Ali Sefaj, njohës i çështjeve politike, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se për herë të parë në Kosovë një kryeministër po mbron të akuzuarit për korrupsion, në vend se të mbrojë sinjalizuesit dhe të luftojë dukuritë korruptive.
Sipas Sefajt, nga deklaratat publike dhe “lufta mediale” e zhvilluar nga qeveria, shpeshherë është e paqartë nëse synimi ka qenë luftimi i korrupsionit apo sulmi ndaj Prokurorisë. Ai ka theksuar se, si zyrtar institucional me rol të përafërt me atë të sinjalizuesve, ka njohuri të drejtpërdrejta për mënyrën se si janë trajtuar këto raste.
“Është qeveria e parë që i ka zhveshur sinjalizuesit nga mbrojtja, ndonëse ka qenë e obliguar t’i mbrojë. Madje, në pozitat e zyrtarëve për sinjalizim janë vendosur persona lojalë ndaj kabinetit qeveritar”, ka deklaruar Sefaj në debatin “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai ka shtuar se shumica e sinjalizuesve që kanë dalë publikisht, fillimisht i kanë raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit te ministrat përkatës dhe, në disa raste, edhe te vetë kryeministri, duke qenë se bëhej fjalë për raste me vlera milionëshe.
Sipas Sefajt, në vend që këto raste të trajtoheshin seriozisht dhe sinjalizuesit të mbroheshin, kryeministri i ka kthyer ata tek personat e dyshuar për korrupsion.
“Kemi për herë të parë një kryeministër që i mbron të akuzuarit për korrupsion”, ka theksuar ai.
Në fund, Sefaj ka vlerësuar se, ndonëse edhe qeveritë e mëhershme kanë pasur probleme dhe lidhje të dyshimta, nuk ka pasur më parë një qasje të tillë ku, sipas tij, sulmohen Policia, mediat, Prokuroria dhe gjykatat, vetëm pse ato po kryejnë detyrat e tyre ligjore.