Zgjedhjet 2025

Kurti: Banka Zhvillimore do të mbështesë prodhimtarinë me një miliard euro

Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme të  28 dhjetor. Në një tubim e mbajtur në Podujevë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar reforma fiskale për të nxitur prodhimin. Kurti ka thënë se do të garantojë kreditë investive, duke lehtësuar kështu prodhimin bujqësor, industrial apo zejtar, pa pasur nevojë që ndërmarrësit e Podujevës t’i vendosin “tokat e tyre stërgjyshore” në hipotekë nëpër bankat e Kosovës

Ndërtimin e liqenit artificial të Pollatës, që do t’i furnizojë llapjanët me ujë të pijes dhe ujitje, ka premtuar kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Në tubimin me mbështetësit e kësaj partie në Podujevë, të hënën, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Kurti ka premtuar zgjerim të ngrohjes qendrore, e ndërtim të kompleksit për banim të përballueshme.

“Në Podujevë do të ndërtojmë kompleksin për banim të përballueshëm me gjithsej 133 banesa, prej tyre 27 për banim social e 106 për banim të papërballueshëm. Projekti kushton 13.5 milionë, gurthemelin e kemi vendosur në maj, sivjet”, ka theksuar ai.

Kurti ka premtuar shtimin e çerdheve në Komunë të Podujevës, duke thënë se në këtë komunë tashmë janë ndërtuar 9 sosh, ndërsa do t’i shtohen edhe 14 të tjera.

“Gjatë këtij mandate katër vjet e nëntë muaj deri më tani, ne i kemi ndërtuar, rinovuar ose përshtatur 74 çerdhe anë e mbanë Kosovës. Dhe ata para neve për 17 vjet - kanë ndërtuar katër çerdhe. As një çerdhe në mandat nuk e kanë ndërtuar, e ne për vetëm një mandat 74 çerdhe. Kjo tregon se për Qeverinë e Kosovës, me mua kryeministër, fëmijët e Kosovës, janë të gjithë fëmijët e Kosovës. Ndërsa, për ata paraprakisht kanë qenë fëmijët e Kosovës, veç fëmijët e tyre”, ka theksuar Kurti.

Ai është zotuar se rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundojë, duke arsyetuar vonesat me problemet me shpronësimet.

Kurti gjatë tubimit ka renditur disa nga arritjet dhe zotimet kryesore të qeverisjes së tij, duke vënë theksin në arsimin parashkollor, zhvillimin ekonomik dhe lehtësirat për bizneset.

Kurti ka thënë se do të garantojë kreditë investuese, duke lehtësuar kështu prodhimin bujqësor, industrial apo zejtar.

Ka premtuar se gjatë mandatit të tretë qeverisës do të funksionalizohet Banka Zhvillimore e Kosovës, përmes së cilës do të mbështetet prodhimtaria vendore me 1 miliard euro.

“Viti i Ri nis më herët, por Viti i Ri gjithashtu është viti i mandatit tonë të tretë në të cilin përmes Bankës Zhvillimore do të mbështesim prodhimtarinë me 1 miliard euro. Asnjë ndërmarrës nuk do të ketë më nevojë që për të investuar në prodhim bujqësor, industrial a zejtar ta lë hipotekë tek bankat tokën e vetë stërgjyshore, sepse shteti i Kosovës, do të jetë garanci për ato kredi investive për më shumë prodhimtari në vendin tonë”, ka theksuar Kurti.

Ai ka përmendur edhe masa lehtësuese për bizneset dhe importuesit, duke theksuar se mbledhja e TVSH-së për mallrat në kufi do të zhvendoset brenda vendit, ndërsa për importin e veturave nga Bashkimi Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind.

“Kjo do të jetë ndihmë e madhe që do ta bëjmë për bizneset e Llapit. Por jo vetëm kaq, që bizneset llapjane të kenë likuditet të shtuar, mbledhjen e TVSH-së për mallra në kufi do të zhvendosim brenda vendit dhe në muajin pasues ashtu siç bëjnë bizneset me TVSH-në e brendshme. Ndërkaq, për ata që do të importojnë vetura nga BE, në mandatin tonë të tretë e heqim taksën doganore prej 10 për qind”, ka deklaruar Kurti.

Mandatin e ardhshëm ka thënë se do ta nisin me arkat fiskale digjitale, për të hequr barrierën e panevojshme për bizneset, si dhe do jetë fatura elektronike ‘biznes-biznes’, e cila sipas tij, mundëson mbikëqyrjen në kohë reale të detyrimeve të tatimeve mbi vlerën e shtuar si dhe rimbursimin automatik të TVSH-së.

Duke shpalosur programin e partisë së tij para simpatizantëve në Llap, tha se do të ketë transport publik, urban e ndër urban - publik anë e mbanë me biletë të integruar me vetëm 10 euro në muaj për të qarkulluar qytetarët në gjithë vendin. 

E gjatë ditës së hënë, Kurti ka qëndruar edhe në Drenas. Aty u takua me mbështetës të kësaj partie, të cilëve iu premtoi finalizim të Poliklinikës Specialistike.

Kurti premtoi ndërtimin e Digës së Kuqicës për furnizim me ujë të pijes, Parkun Industrial 2 dhe dy çerdhe.

Në ditën e gjashtë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Kurti takoi edhe imamin e xhamisë së Drenasit, Osman Musliun. Në takim me të, njoftoi se në mandatin e ardhshëm do të rindërtohet xhamia e Ibrit.