Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e njëmbëdhjetë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Kurti mbyll fushatën: 28 dhjetori do t’ia kalojë fitores së 9 shkurtit

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 20:07
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do të arrijë “më 28 dhjetor fitore që do t’ia kalojë edhe asaj të 9 shkurtit”.

Në tubimin përmbyllës ai ka numëruar ato që i ka cilësuar arritje e suksese të qeverisjes së tij deri tash.

“Me qeverisjen tonë e tuaj të mirë, territorit ia kemi shtuar integritenit, institucioneve ua kemi kthyer besimin, shtetit ia kemi shtuar sovranitetin, ekonomisë prodhimin, prodhimit punësimin, punësimit arsimit, për siguri për begati…mos lëshoni pe”, ka thënë Kurti. “Na ka mbetur edhe një pjesë e vogël e punës, por meqë jemi kaq shumë, nuk ka punë që nuk e kryejmë”.

Kurti ka premtuar ndarjen e një miliard eurove për sigurinë, rritjen e shtesave për fëmijë e ato për lehona.

Ndërkaq në këtë tubim, Donika Gërvalla, bashkëkryetare e Partisë GUXO, ka bërë thirrje që të votohet Vetëvendosja për t’i dhënë fund siç ka thënë ajo, “sabotimit dhe bllokadës nga ana e një opozite të zbehtë dhe të dobët”.

“Në luftën e tyre pa zgjedhur mjete, ata nuk e luftuan veç qeverinë dhe kryeministrin, por e goditën shtetin tonë”, ka thënë Gërvalla.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje doli e para me rreth 42 për qind të votave.

Hamza në përmbylljen e fushatës: Të hapim kapitull të ri për Kosovën

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 18:22
Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, në mbyllje të fushatës elektorale ka thënë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit vendoset për fatin e Kosovës.

“Është kënaqësi që sonte po takohemi edhe një herë. Që po bëhemi bashkë edhe një herë, në fund të kësaj fushate të mrekullueshme. Të kësaj fushate plot entuziazëm dhe energji. Të kësaj fushate plot ide për zhvillim, për punë e angazhim, për të bërë Kosovën vend më të mirë. Një Kosovë çfare e meritojmë të gjithë ne. Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për ta përmbyllur fushatën tonë, por edhe për ta hapur një kapitull të ri për Kosovën. Një kapitull të unitetit. Një kapitull të zhvillimit dhe të dinjitetit. Një kapitull ku secili qytetar ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i sigurt për të ardhmen”, ka thënë Hamza në tubimin në Prishtinë.

Hamza ka thënë se kosovarët gjithmonë kanë ditur të bëhen bashkë kur ka qenë më së vështiri.

“Çdo dalje në votim është një vendim për të ardhmen e familjes suaj. Për fëmijët tuaj. Për prindërit tuaj. Për Kosovën që duam”, ka thënë ai.

Në përmbyllje të fushatës Hamza ka përsëritur premtimet kryesore: për rritje pagash 50 për qind, për rritje 50 për qind të pensioneve e TVSH 0 për qind për produktet esenciale e për rrymë dhe ulje të tatimit në të ardhura.  

AAK-ja përmbyll fushatën, Haradinaj premton dyfishim pagash dhe pensionesh

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 15:23
r

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti sot tubimin përmbyllës të fushatës elektorale.

Kryetari kësaj partie Ramush Haradinaj premtoi dyfishim të pagave, pensioneve dhe shtesave, duke akuzuar “mafinë energjetike” për rritjen e çmimeve.

Ai tha se anëtarësimi në NATO dhe ndryshimi i qasjes ekonomike janë kyç për stabilitet, investime dhe ulje të çmimeve, raporton KosovaPress.

“Ne do t’i rrisim pagat pensionet dhe shtesat në dyfishim, e kemi të paraparë, e kemi shkruar, e kemi shpjeguar... Secili qytetar mund të shohë që do t’i rrisim pagat... Ju pyes kush mundet ta çlirojë Kosovën prej mafisë energjetike, a ka dikush në këtë vend? Sot ne jemi të poshtëruar, gati po na dërgon në shkatërrim ekonomik mafia energjetike që i ka kapur ata që e qeverisin... Besoni nuk ma ndien për këta tregtarë as për këtë mafi energjetike, dikush duhet ta mbrojë këtë popull ta çlirojë nga ky tmerr i çmimeve, sepse energjia po na rrit të gjitha çmimet e tjera”, tha ai.

Haradinaj u shpreh se Kosova duhet ta kryejë urgjentisht anëtarësimin në NATO, për të siguruar stabilitet dhe siguri afatgjate, dhe ndryshimin e qasjes politike dhe ekonomike.

“Lista 129, programi jonë bashkë me ju jemi në pozitën më të mirë ta vendosim Kosovën në NATO, t’i japim siguri të përjetshme, e cila na ndihmon të zhvillohet ekonomikisht, na trimëron të bashkëpunojmë me të gjithë, të largohemi nga gjendja e riciklimit të krizave apo mesazheve të gabuara, ku edhe vetë qeveria jonë flet, po na sulmon ky, po na sulmon ai, e pastaj ankohen që nuk ka investime. Normal që nuk ka investime kur retorika jonë është gjithë kohën luftë po na sulmon tjetri. Ju lutem për këto dy punë më besoni qytetarë të Kosovës kudo që jeni të gjithë pa marrë parasysh në cilën parti, nëse nuk i kryen Kosova këto dy punë, kemi me heq keq në këtë vend... Nëse i kryejmë këto dy punë shpejt, atëherë do të ulen çmimet”, tha Haradinaj.

Haradinaj theksoi se programi i AAK-së synon siguri, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për çdo qytetar, duke u zotuar se partia e tij do të jetë në krah të familjeve, punëtorëve, mjekëve, bujqve dhe bizneseve, me synimin për një Kosovë më të qëndrueshme dhe më të begatë. / KosovaPress

Kurti: Mandatin e ardhshëm do ta dyfishojmë buxhetin për bursa

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 12:43
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të dyfishohet buxheti për bursa për studentët.

Kurti theksoi se studentët janë tregues i qartë i zhvillimit socio-ekonomik dhe kulturor të një vendi, duke vënë në pah mbështetjen që Qeveria ka dhënë gjatë mandatit aktual.

“Nuk ka kategori shoqërore që mund të tregojë më mirë se kah po shkon zhvillimi i një vendi sesa studentët e universiteteve. Gjatë këtij mandati qeverisës kemi ndarë afër 18 mijë bursa, me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 20 milionë euro. Në mandatin e ardhshëm do ta dyfishojmë buxhetin për bursa”, ka shkruar Kurti.

Ai bëri të ditur se ndërmjet dy mandateve është iniciuar edhe Programi i Bursës së Mobilitetit për studentë, i cili ofron mbështetje shtesë për studentët që udhëtojnë për të ndjekur studimet jashtë vendbanimit të tyre.

Sipas Kurtit, aktualisht janë rreth 10 mijë përfitues nga ky program, ndërsa një grup prej tyre, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, janë pritur sot në ambientet e Kryeministrisë.

Partitë përmbyllin fushatën elektorale

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 08:16
zgjedhje