Nga 200 euro në muaj për të porsalindurit, shtesa nga 50 euro për fëmijët të moshave nga 1 deri në 16 vjet, e rritje të pensioneve për pensionistët ka premtuar kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Në tubimin e mbajtur të dielën në Kaçanik, në ditën e pestë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Abdixhiku ka deklaruar se me të marrë mandatin do të themelojë Ministrinë e Familjes e cila, sipas tij, do të kujdeset për mbështetje të familjeve.
“Për çdo fëmijë që lind në Kosovë nënat do të përfitojnë nga 200 euro në muaj për 12 muaj rresht për vitin e parë. Dhe më lejoni të them se ky kujdes nuk ndalet vetëm me lindjen. Çdo fëmijë nga mosha 1 deri në moshën 16 vjet do të fitojë mbështetje financiare prej 50 eurosh në çdo muaj, sepse shteti nuk guxon dhe nuk duhet ta braktisë familjen kosovare”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka premtuar mbështetje edhe për çiftet e reja duke u zotuar për mbulimin e kostos së interesit për banesën e parë që e blejnë.
Gjatë paraqitjes së programit të tij qeverisës, ai ka premtuar realizimin e mësimit tërëditor, duke thënë se këtë tashmë LDK-ja e ka bërë në Prishtinë.
“Me mësim tërëditor, shujta të ngrohta dhe kushte të barabarta në shkolla. Me teknologji, kodim dhe përgatitje reale për të ardhmen. Me trajnim për 40 mijë të rinj dhe punësim të garantuar pas diplomimit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se do të futet lënda e kodimit dhe inteligjenca artificiale në shkolla dhe shtesa 50 euro për moshat 11-16 vjeç.
“40 mijë trajnime në ICT për moshat 16-21 vjeç dhe mbi 21 vjeç punësim të garantuar dhe 500 euro në muaj për 6-12 muaj për çdo të sapodiplomuar”, është zotuar Abdixhiku.
Ka premtuar sërish rritje edhe të pensioneve.
“Do të nisim rritjen e pensioneve për pensionistët. Për ta vitin e parë pensionet do të bëhen 200 euro, vitin e dytë 250 euro dhe në vitin e tretë ju zotohem se pensionet për pensionistët tanë do të bëhen 300 euro. Ky është zotimi i LDK-së”, ka theksuar Abdixhiku.
Krahas premtimeve, ai ka kritikuar edhe pushtetin e deritanishëm të LVV-së. Ai ka thënë se politika ka dështuar të udhëheqë shtetin me maturi dhe me respekt ndaj ligjit dhe Kushtetutës.
Sipas tij, Kosova nuk është vetëm në vështirësi ekonomike, por edhe në krizë të besimit pasi, siç ka thënë, e ardhshmja e shtetit është vënë në pikëpyetje.
“Institucionet janë bllokuar, Kushtetuta është shkelur dhe vendimmarrja është përqendruar tek individi, jo te ligji”, është shprehur ai, duke shtuar se vendi ka përfunduar në izolim politik dhe nën masa ndëshkuese.
Në tubimin me qytetarët e Kaçanikut, ai ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vetëm garë politike, por “vendim për të ardhmen e shtetit”.
“Ne nuk jemi këtu për pushtet, por për shtet. Jo për një mandat, por për një drejtim të ri”, ka deklaruar Abdixhiku.
Duke folur nga qyteti ku është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut, Abdixhiku ka theksuar se Kaçaniku ka një peshë të veçantë historike.
“Të flasësh në Kaçanik nuk është fjalim i zakonshëm politik. Është përballje me historinë dhe përgjegjësi ndaj shtetit”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin ndryshimin, sipas tij, të nevojshëm.
“Shpresa nuk është ndjenjë e butë, shpresa është vendim. Dhe Kaçaniku di të vendosë drejt”, është shprehur ai.
Shpalosjen e programit të tij qeverisës ai e ka bërë edhe para simpatizantëve të LDK-së në Ferizaj dhe Viti.
LDK-ja në zgjedhjet e parlamentare të 9 shkurtit ka siguruar 18.27 për qind të votave, duke siguruar 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.