Zgjedhjet 2019

Pacolli përgëzon Kurtin për integritetin e tij dhe Osmanin që krijoi energji të re në trashëgiminë rugoviste

Ish-zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook uruar udhëheqësit e opozitës duke thënë se “me koherencë, me etikë, e konfirmuan alternativën e tyre duke siguruar votim popullor të qartë”.

Pacolli, po ashtu, ka përgëzuar Kurtin për integritetin e tij politik dhe Osmanin që krijoi energji të re mbi themelet e trashëgimisë rugoviste.

Ai ka thënë se “është krejt e qartë, se pakënaqësia popullore e krijuar prej mungesës së perspektivës, stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar favorizoi ardhjen në pushtet të forcave të opozitës”.

Postimi i plotë i Pacollit, pa ndërhyrje:

Bashkudhetarët e mi dhe unë e ndoqem me interes numërimin e votave.

Sovrani e tha fjalën e tij dhe ai ka gjithmonë të drejtë.

Është për tu përgëzuar populli i Kosovës që votoi me qetësi dhe maturi.

Urime për udhëheqësit e Opozitës që me koherencë, me etikë, e konfirmuan alternativën e tyre duke siguruar votim popullor të qartë.

Përgëzoj zotni Albin Kurti për integritetin e tij politik dhe zonjën Osmani që krijoi energji të re mbi themelet e trashëgimisë rugoviste.

Procesi është në përmbyllje e sipër dhe duhet poashtu të kemi durim që institucionet e numërimit dhe legjitimimit të votave të japin verdiktin përfundimtar, pa presione triumfaliste apo të dëshpërimit.

Është krejt e qartë, se pakënaqësia popullore e krijuar prej mungesës së perspektivës, stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar favorizoi ardhjen në pushtet të forcave të opozitës.

Më gëzon fakti për ardhjen e rinisë në krye të institucioneve, atë që e kam dashur më së shumti.

Vullneti për ndryshim fitoi.

Ne duhet të mbajmë shënim këtë vullnet popullor.

Tani duhët mbi të gjitha t’i tregohet miqve tanë perëndimorë se orientimi proatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe ai vetëm do të forcoheT.

Miqët perëndimorë, poashtu, tani të mbajnë shënim rezultatin dhe të hedhin hapin e parë të shumëpritur për popullin e Kosovës-

Punë të mbarë qeverisë së re!”.