Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot në Rahovec se partitë politike që po duan ta largojnë taksën e vendosur ndaj Serbisë po bëjnë gabim.
Ai tha se PDK, LDK dhe LVV nga mënyra se si po duan të hyjnë në dialog duke e hequr taksën, janë duke bërë gabim dhe po e tronditin të arriturat e deritashme.
Haradinaj ka ftuar qytetarët e Rahovecit të votojnë për AAK-PSD, pasi sipas tij, ky është koalicioni i vetëm që do të sjellë të mira për vendin.
“Për të mund të ecim përpara nuk guxojmë të kthehemi mbrapa, kthim mbrapa do të ishte nëse konceptet që e kanë rikthyer Kosovën para vendimeve të marra, për shembull para dy vjetësh kemi marrë vendime që e kanë konsoliduar Kosovën. Edhe PDK, edhe LDK, edhe LVV janë subjekte politike që po e hapin edhe një herë të arriturën tonë deri tashme. Për shembull, nga mënyra si po duan të hyjnë në dialog duke e hequr taksën, ju siguroj se janë duke e bërë një gabim dhe po e tronditin të arriturën e deritashme. Ju kisha lutur më 6 tetor të votojmë për ecjen përpara për temat që janë direkt për Rahovecin dhe atë e bëjmë me numrin 119”, tha Haradinaj, raporton Ksp.
Haradinaj u ka premtuar qytetarëve të Rahovecit se në qeverinë e ardhshme ministri i Bujqësisë do të jetë po nga kjo komunë, pasi sipas tij askush më mirë se Rahoveci nuk e di se çka i duhet bujqësisë.
“Ju siguroj që kompensimi për dëmet për vreshtarët është bërë edhe me konflikt të brendshëm, pra jam detyruar, jam përballur edhe brenda qeverisë në konflikt derisa e kam realizuar. Jam detyruar me ngul këmbë për t’u bërë. Ju lutem, unë nuk e harroj Rahovecin, nuk do ta lë Rahovecin pa vendimmarrje në qeverinë e ardhshme. Jam deklaruar që 1/3 e qeverisë do të jetë femra, po kurrqysh nuk do ta lë Rahovecin pa vendimmarrje pa qenë pjesë e Ministrisë së Bujqësisë. Nuk dua dikush që nuk merr vesh prej bujqësisë e për Rahovecin me ua ‘pre teshat’ juve, ka me bë çmos që ju me i marr vendimet vetë për bujqësinë se më së miri në Kosovë e dini ju vetë se çka i duhet bujqësisë”, tha ai.
Pretendenti për kryeministër ka premtuar se akciza e naftës prej 45 cent do të hiqet, ai tha se këtë premtim do ta mbajë.
Votën e qytetarëve të Rahovecit e ka kërkuar edhe kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, i cili tha se kanë nevojë për mbështetje, në mënyrë që të mos kenë nevojë për koalicione të tjera, të cilat vetëm do t’i pengonin në punën e tyre.
“Nëse ka simbol të punëtorëve në Kosovë, e simbol të fshatarëve e bujqve që punojnë ajo është në komunën e Rahovecit, e po ju them edhe sot, Ramush Haradinaj pos me qenë i Rahovecit, edhe ky në 6 të mëngjesit dilte në zyre me punuar. Neve na nevojitet përkrahja sa më e madhe e qytetarëve, kjo për shkak se sa më e madhe përkrahja për koalicionin AAK-PSD aq më pak kemi nevojë për koalicione që mund të na zvarritin. Mos harroni se unë e di se kam punuar me Ramushin edhe kur kam qenë në opozitë e ky ka qenë në qeveri, ka marrë detyra, kur ka ardhur në komunë, ka marrë detyra, cilat janë punët që duhet me i kryer unë si kryetar, për të ndihmuar ty në Prishtinë dhe ato detyra ka ardhur pastaj i ka raportuar, sepse është njeri që merr detyra, kryen punë, por them se na duhet mbështetje që mos me na zvarrit”, tha ai.
Koalicioni AAK-PSD gjatë ditës ka mbajtur tubim elektoral në Drenas, ndërsa do të ketë tubim edhe në Prizren.