Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2019

Avokati i Popullit kërkon respektimin e parimit të barazisë gjinore në tërë procesin zgjedhor

Avokati i Popullit lëshoi një deklaratë lidhur me përfaqësimin e barabartë gjinor në procesin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019.

Me këtë rast, duke pasur parasysh zgjedhjet paraprake, Avokati i Popullit rikthen vëmendjen e publikut të gjerë dhe të autoriteteve kompetente për mundësitë e barabarta për pjesëmarrje të të dyja gjinive, në të gjitha segmentet e procesit zgjedhor, duke e konsideruar barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillim demokratik të shoqërisë.

“Avokati i Popullit ua rikujton subjekteve politike se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, respektivisht neni 14 i tij, shprehimisht thotë: ‘Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”. Neni 6, paragrafi 7, i këtij ligji, ndër të tjera, specifikon: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji’”, thuhet në deklaratë.

Duke kujtuar edhe paragrafin 8 të këtij ligji, Avokati i Popullit thotë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Përballë hezitimit lidhur me përparësinë e zbatimit të akteve normative, Avokati i Popullit thekson zëshëm se dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore kanë përparësi ndaj dispozitave të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, që flasin për përfaqësimin gjinor.

Edhe Drejt Kushtetueses ligji që lë në fuqi pabarazinë gjinore në listat zgjedhore Arbëri Drejt Kushtetueses ligji që lë në fuqi pabarazinë gjinore në listat zgjedhore

Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Garantimi i mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi baza gjinore jo vetëm është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, por është përcaktim kushtetues dhe ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, përfshirë këtu partitë politike”, përfundon deklarata e Avokatit të Popullit.