Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka vendosur nëse do ta dërgojë në Supreme vendimin e PZAP-së për refuzimin e numërimit të 392 pakot me fletëvotime të ardhura me postë nga diaspora, e të cilat kanë arritur në KQZ më 12 nëntor.
“Ende nuk kemi marrë ndonjë vendim”, ka thënë shkurt për Kohën Ditore, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në seancën e mbajtur sot, ka shqyrtuar gjithsejtë 14 ankesa, prej tyre një ankesë e paraqitur me datën 22.11.2019 nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, me të cilin ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 392 pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës dhe 13 ankesa të cilat kanë të bëjnë pretendimet me administrimin dhe rinumërimin e Vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve – QNR.
Lexo edhe: Vetëvendosje ende pa vendim nëse do ta apelojë në Supreme vendimin e PZAP-it
“Ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje: Anr.507/2019 e datës 22.11.2019 hedhet e palejueshme”, thuhet në njoftimin për media të PZAP-së.
Në dy raste të ndara pas 6 tetorit, PZAP-ja kishte refuzuar të urdhërojë KQZ-në që të bëjë verifikimin dhe numërimin e votave të diasporës të ardhura me postë në Kosovë pas afatit të përcaktuar, por në dy rastet, pas ankesave të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Supreme, ishte obliguar që të bëhet rinumërimi i votave me postë nga diaspora. Në rastin e 30 tetorit dhe atë të 5 nëntorit, Supremja kishte vendosur se votat janë legjitime dhe kishte urdhëruar PZAP-në që të marrë vendim për njohjen e atyre pakove.