Komisioneri i Nismës thotë se u sulmua nga ai i Vetëvendosjes, ky i fundit e mohon

 Valbona Bytyqi 21 November 2019 15:49
19:18

Derisa është drejt fundit përmbyllja e rinumërimit të mbi 1 mijë e 400 vendvotimeve, kanë vazhduar tensionet mes Vetëvendosjes dhe Nismës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë ditës, janë përleshur komisioneri i Nismës, Endrit Zabërgja, me atë të Vetëvendosjes, Valon Hoti.

Derisa, nipi i Fatmir Limajt thotë se është sulmuar nga anëtari i Vetëvendosjes, ky i fundit mohon të ketë pasur konfrontim fizik, raporton KTV.

Zabërgja e Hoti, situatën e kanë shpjeguar në Facebook.

“Tinëzarët qyqarë të Vetëvendosjes, të cilët nuk po mund ta kontrollojnë mllefin që u shkaktua nga anulimi i votave të SRPSKA-s, po e manifestojnë me sulme nga mbrapa sepse u mungon guximi për ballafaqim direkt dhe me argumente. Në pamundësi për të grabitur mandate, ata, në QNR, po synojnë të vjedhin vota duke tentuar t’i bëjnë votat tona të pavlefshme, përderisa rinumërimi është afër përfundimit. Matrapazë hipokritë, kaq e patët për QNR, shihemi në përballjet tjera politike!”, ka shkruar Endrit Zabërgja.

Kurse Valon Hoti i Vetëvendosjes, thotë se është fyer nga Zabegja në baza familjare.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! me vëzhguesit e saj nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që vota dhe vullneti i qytetarëve të tjetërsohet. Votën dhe vullnetin e shprehur më 6 tetor do ta ruajmë me çdo kusht. Ata që kanë vjedhur deri tash Kosovën me tenderë, me afera korruptive, me kilentelë tash po duan të ndërhyjnë në vota që po u duhen për mbijetesë politike. Populli i ka ndëshkuar dhe kjo e vërtetë nuk mund të mohohet. Në këtë lloj presioni u gjenda edhe unë si vëzhgues, me ç’rast nipi i Fatmir Limajt filloi të më fyejë në baza familjare dhe unë i reagova, mirëpo aty nuk pati asnjë konfrontim fizik. Tendenca për t’u viktimizuar vjen vetëm pasi po i njëjti po kërcënonte vëzhguesit e QNR-së. Ne jemi të vendosur të mbrojmë votën, cilado qoftë ajo, dhe ashtu do të vazhdojmë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ky nuk është incidenti i parë gjatë këtij procesi.

Ditë më parë, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është përjashtuar vëzhguesi i Nismës, Behar Amërllahu, pas fyerjeve e kërcënimeve të bëra ndaj koordinatorit të QNR-së, Burim Ahmetaj.

Rinumërimi i më shumë se 1 mijë e 400 vendvotimeve, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, pritet të përfundojë të dielën, duke i hapur kështu rrugën certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pas më shumë se 1 muaj e gjysmë pas përfundimit të tyre.

15:49

Komisioneri i VV-së në QNR flet për përplasjen me atë të Nismës: S’pati konfrontim fizik

Valon Hoti, komisioner i Lëvizjes Vetëvendosje në QNR, ka folur për përplasjet që ka pasur me Nismën Socialdemokrate.

Ai përmes një postimi në Facebook, shkruan se “Lëvizja Vetëvendosje me vëzhguesit e saj nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që vota dhe vullneti i qytetarëve të tjetërsohet”.

“Votën dhe vullnetin e shprehur me 6 tetor do ta ruajmë me çdo kusht. Ata që kanë vjedhur deri tash Kosovën me tenderë, me afera korruptive, me kilentelë tash po duan të ndërhyjnë në vota që po ju duhen për mbijetesë politike. Populli i ka ndëshkuar dhe kjo e vërtetë nuk mund të mohohet”, shkruan ai.

Hoti, shkruan se “në këtë lloj presioni u gjenda edhe unë si vëzhgues me ç’rast nipi i kryetari të Fatmir Limajt filloi të më fyej në baza familjare, dhe unë i reagova, mirëpo aty nuk pati asnjë konfrontim fizik”.

“Tendenca për t’u viktimizuar vjen vetëm pasi po i njëjti po kërcënonte vëzhguesit e QNR-së. Ne jemi të vendosur të mbrojmë votën cilado qoftë ajo dhe ashtu do të vazhdojmë”, shkruan Hoti.

Në anën tjetër, vëzhguesi i Nismës Socialdemokrate, Endrit Zabërgja, në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se s’mund të flasë për rastin, “pasi rasti tashmë ka kaluar te organet kompetente”.

Kurse zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se sot kanë pranuar informatën se rreth orës 9:30 ka pas një mosmarrëveshje mes dy personave në QNR në Fushë Kosovë. Sipas saj, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale.

Ditë më parë, përmes rrjeteve sociale nisën përplaset VV-Nisma në QNR.

Lexo: Nisma akuzon Vetëvendosjen se po kërcënon dhe shantazhon vëzhguesit e tyre në QNR

Lexo: Tash nga Vetëvendosja akuzojnë vëzhguesit e Nismës në QNR për ngacmime seksuale

Pak më vonë, doli një reagim nga kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila kërkoi nga palët të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor.

Lexo: Kryetarja e KQZ-së Daka përmes një mesazhi u kërkon palëve të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme