Kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, përmes mediave u është drejtuar me një mesazh të gjitha palëve pjesë të procesit zgjedhor dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, përmes të cilit ka kërkuar prej tyre që t’u përmbahen rregullave dhe proceduarave dhe kështu të ruajnë kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, të vlerësuara si më të mirat ndonjëherë në vendin tonë, transmeton Koha.net.
Këtë mesazh, Daka e ka nisur edhe lidhur me përplasjet që kanë nisur mes Nismas e Vetëvendosjes në QNR.
Nisma akuzon Vetëvendosjen se po kërcënon dhe shantazhon vëzhguesit e tyre në QNR
Më pas, akuza erdhën edhe nga Vetëvendosja.
Tash nga Vetëvendosja akuzojnë vëzhguesit e Nismës në QNR për ngacmime seksuale
Në mesazhin e znj. Valdete Daka thuhet:
Si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhje e shoh të nevojshme të njoftojë qytetarët e Republikës së Kosovës se procesi zgjedhor është në fazë të rëndësishme të tij dhe se aktualisht si institucion jemi duke zbatuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e më shumë se 1 mijë e 400 vendvotimeve.
Në këtë fazë, e shoh të nevojshme që të jap këtë mesazh për të gjitha palët që janë pjesë e procesit si dhe duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; t’u përmbahen rregullave dhe procedurave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik.
Gjithashtu, u bëj me dije se çdo cenim i procedurave dhe rregullave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve është në kundërshtim me deklaratën e vëzhguesit të nënshkruar prej tyre si dhe në kundërshtim me ligjin.
Zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale. Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim.
Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”.
Unë mirëkuptoj vërejtjet për kohëzgjatjen e procesit zgjedhor, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka për obligim ligjor që të zbatojë vendimet e institucioneve gjyqësore dhe të gjithëve na takon që të kujdesemi për këtë proces zgjedhor që të gjithë e vlerësuan si një nga proceset më të mira në historinë e zgjedhjeve të vendit tonë.