Nga shpallja e rezultateve përfundimtare nga KQZ, janë disa ish-deputetë që s’do të jenë më pjesë e legjislaturës së shtatë.
Nga Partia Socialdemokrate, asnjë nga ish-deputetët s’kanë marrë vota të mjaftueshme, transmeton Koha.net.
Në rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, për kandidatët për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shihet se njëri nga ish-deputetët e kësaj partie ka mbetur jashtë. Ismet Beqiri ka marrë veç 7,121 vota, vota këto që kanë lënë jashtë përfaqësimit në Kuvend. Kujtojmë se në zgjedhjet e 2017-s, Ismet Beqiri kishte marrë votat e mjaftueshme për ta përfaqësuar LDK-në në Kuvend.
As Xhavit Haliti i PDK-së nuk do të jetë më deputet. Në zgjedhjet e 6 tetorit Haliti ka marrë 8,351 vota, apo 2 mijë e 14 vota më pak vota se zgjedhjet e kaluara. Haliti në legjislaturën e kaluar kishte hyrë me 10 mijë e 365 vota, ndërsa në këto zgjedhje ai ka marrë vetëm 8 mijë 351. Deputet s'do të jenë as Hajdar Beqa i PDK-së e as Muharrem Nitaj i AAK-së. Beqa, në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë vetëm 8,075 vota, ndërsa Nitaj në zgjedhjet ka siguruar vetëm 2,557 vota.
As Milaim Zeka s’do të jetë më deputet. Ai ka marrë vetëm 795 vota. Zeka kandidoi në zgjedhjet e 6 tetorit prej Partisë Euroatlantike të Kosovës.
Pjesë e Kuvendit s’do të jenë as Sami Kurteshi e Ismail Kurteshi, ish-deputetë të Vetëvendosjes.