Zgjedhjet 2019

Germin tregon pse KQZ-ja duhet të numërojë edhe 1806 pakot me fletvotime të diasporës

Foto: Driton Paçarada / KD

Organizata Germin, që ka përcjellë edhe një ankesë tek organi i pavarur për Ankesa dhe Parashtresa – PZAZ në lidhje me 1806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga diaspora.

Përmes një njoftimi për media, Germin thotë se gjatë vëzhgimit të verifikimit dhe numërimit të pakove me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës pas datës 5 tetor, vëzhguesit e saj kanë vërejtur se KQZ nuk po e zbaton plotësisht vendimin e Gjykatës Supreme, lidhur me pranueshmërinë e votave në fjalë.

“KQZ nuk i ka procesuar fare 1806 pako me fletëvotime nga diaspora të cilat kanë arritur mes datës 11 tetor 2019, ditën kur është ushtruar ankesa ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka sjellë deri tek vendimi i Gjykatës Supreme për pranueshmërinë e fletëvotime të ardhura me postë pas ditës së zgjedhjeve, dhe deri më datën 17 tetor 2019. Konsiderojmë që ky veprim i KQZ-së nuk është në përputhje me aktgjykimin A.A.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019 të Gjykatës Supreme”, thuhet në komunikatën e Germinit.

Sipas kësaj organizate, 1806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga bashkëqytetarët që jetojnë jashtë vendit janë refuzuar pa kaluar asnjë procedurë verifikimi.

“Të gjitha këto pako janë nisur si dërgesa postare para afatit përfundimtar për dërgimin e pakove postare të vendosur nga KQZ-ja, përkatësisht nga data 19 shtator deri më datën 5 tetor 2019, gjë që mund të vërtetohet në bazë të vulës postare në datën e nisjes. Gjithashtu, 1806 pakot në fjalë kanë ardhur në KQZ përpara se të niste verifikimi dhe numërimi i 4639 të tjerave që ishin objekt i ankesës së parë të LVV-së, e cila do të thotë se përfshirja në numërim e 1806 pakove të reja nuk do të kishte vonuar procedimi i pakove të tjera. Mostrajtimi i këtyre pakove të fundit bie në kundërshtim me aktgjymin e Gjykatës Supreme A.A.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019, si dhe me aktgjykimin më të hershëm të kësaj Gjykate, A.A.-U.ZH.nr. 19/2019 të datës 25.10.2019”, thuhet në njoftimin për media të Germinit.

Më tej, Germin thotë se për sa i përket vlefshmërisë së votave me postë të ardhura pas afatit ligjor dhe Rregullës Zgjedhore të KQZ-së nr. 03/2013, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit A.A.UZH.nr. 20/2019 ka vendosur qartë se mospranimi i votave të ardhura me postë pas datës 5 tetor përbën shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatueshmëria e së cilës garantohet nga neni 22 i Kushtetutës së Kosovës.

“Aktgjykimi në fjalë i Gjykatës Supreme konstaton se ‘neni 96 par. 3 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe neni 4 par. 4 i Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013 janë në kolizion me nenin 3 të Protokollit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i cili përfshin të drejtën për zgjedhjet e lira, dhe në rastin konkret votuesit pa fajin e tyre ishin privuar nga mundësia për të shprehur mendimin e tyre në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, votuesve u është mohuar veti thelbi i së drejtës për të votuar, siç garantohej nga neni 3 i Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut’”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas Germinit, refuzimi për të proceduar 1806 pakot në diskutim bie ndesh gjithashtu me aktgjykimin e parë të Gjykatës Supreme lidhur me këtë rast, A.A.UZH.nr. 20/2019, i cili, duke u mbështetur në Ligjin Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, neni 127, par. 2, konstaton se votat e nisura me postë përpara datës së zgjedhjeve “duhet të trajtohen sikur kanë arritur në KQZ brenda afatit të pranueshëm”.

“Të gjitha 1806 pakot e panumëruara janë nisur përpara datës së zgjedhjeve. Përkatësisht, janë dorëzuar me postë nga data 19 shtator deri më 5 tetor 2019. Rrjedhimisht, sipas arsyetimit të kësaj Gjykate, edhe ato “duhet të trajtohen sikur kanë arritur në KQZ brenda afatit të pranueshëm” dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtit proces të verifikimit dhe numërimit, në mënyrë të barabartë me të tjerat”, thuhet në komunikatë.

“Gjithashtu, në aktgjykimin e saj më të fundit (A.A.UZH.nr. 20/2019), kjo Gjykatë ka arsyetuar se numërimi i 4639 pakove që ishin objekt i atij rasti, duhej të kryhej, për shkak se “procesi i numërimit të fletëvotimeve ka qenë në vazhdim e sipër dhe kjo [arritje me vonesë e pakove] nuk kishte për të ndikuar në rregullsinë e procesit të numërimit të fletëvotimeve”. Në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtën arsye, përfshirja e 1806 pakove të fundit “nuk kishte për të ndikuar në rregullsinë e procesit të numërimit të fletëvotimeve”, përderisa ato pako kishin ardhur të gjitha përpara se të fillonte verifikimi dhe numërimi i 4639 pakove të tjera, më 31 tetor 2019. Rrjedhimisht, në bazë të arsyetimit të kësaj Gjykate, edhe 1806 pakot në diskutim duhet të verifikohen dhe të numërohen, sidomos duke marrë parasysh se numërimi i tyre nuk do të kërkonte as një ditë të plotë, në qoftë se KQZ i procedon me të njëjtën shpejtësi me të cilën i ka proceduar 4639 pakove më të fundit, të cilat janë verifikuar dhe numëruar brenda dy ditëve”.


Germin shpreh bindjen se mospranimi i 1806 pakove të fletëvotimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por të cilat kanë arritur pas afatit të vendosur nga KQZ, cenon sërish të drejtat zgjedhore të garantuara me nenin 45 të Kushtetutës dhe parimin e votimit universal.

“Ky veprim shkel po ashtu edhe parimin e barazisë së votës sipas të cilit, e drejta e votës nuk nënkupton vetëm të drejtën për të votuar por edhe të drejtën e efektit të barabartë të votës me votat e qytetarëve të tjerë të Republikës. Duke pasur parasysh që në këtë rast KQZ nuk e ka vlerësuar fare vlefshmërinë e votave në këto 1.806 pako, sepse nuk ka pranuar t’i trajtojë ato, dhe se ligjshmëria e tyre duhet të pranohet në bazë të dy aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, humbja e votës nuk është aspak e justifikueshme. Rrjedhimisht, mosnumërimi i fletëvotimeve nga këto pako, edhe pas aktgjykimit A.A.UZH.nr. 20/2019 të Gjykatës Supreme, e bën të kontestueshëm gjithë procesin e numërimit të votave dhe cenon integritetin e këtyre zgjedhjeve”.

Fakti që në aktgjykimin A.A.UZH.nr. 20/2019 të Gjykatës Supreme pranohet rregullësia dhe vlefshmëria e 4.639 pakove me fletëvotime nuk do të thotë që votat e tjera të ardhura prej momentit kur është bërë ankesa (11.10.2019) dhe deri në fillimin e verifikimit të tyre (31.10.2019), janë të papranueshme, thotë Germin.

“Vlefshmëria e votave të ardhura përmes postës, e përcaktuar me dy aktgjykimet e Gjykatës Supreme, nuk mund të reduktohet në numra, por në parimet mbi të cilat janë vendosur këto aktgjykime”.

“Kjo është pranuar edhe më herët nga KQZ kur aktgjykimi AA.-Uzh.nr.16/2017 i Gjykatës Supreme për certifikimin e një kandidati në listën zgjedhore, është zbatuar për të gjithë kandidatët tjerë në kategorinë e njëjtë, sepse aktgjykimi edhe pse kishte për objekt një kandidat, kishte vendosur një parim që vlen edhe për rastet e tjera të së njëjtës natyrë”, thuhet më tej aty.

Sipas logjikës së aktgjykimeve të Gjykatës Supreme për votat me postë, thotë Germin, të gjitha pakot me fletëvotime të nisura para ditës së zgjedhjeve, të cilat kanë arritur në KQZ deri në ditën përpara procesimit të 4639 pakove për të cilat është ushtruar ankesë nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, duhej të procesoheshin së bashku me to.

“Përkitazi me këtë, 1806 pakot me fletëvotime janë po aq të vlefshme sa 4.639 pakot e tjera të numëruara tashmë nga KQZ dhe duhet të procesohen, pa vonesë”, thotë Germin.

Krejt në fund, Germin kërkon nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që sipas mandatit që ia jep Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, të ndërmarrë veprime konkrete dhe të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar 1.806 pakot e mbetura me fletëvotime të ardhura përmes postës.