Zgjedhjet 2019

DnV: Vendimi i Supremes i zbatueshëm por jo i drejtë

Foto: Koha

Demokracia në Veprim (DnV) thotë se ka ndjekur të gjitha zhvillimet lidhur me pakot me fletëvotime të supozuara, të cilat kanë ardhur me vonesë nga diaspora.

“DnV njeh dhe respekton maksimalisht të drejtën universale të të gjithë qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur, në këtë rast qytetarëve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit. Mirëpo, kjo e drejtë duhet të ushtrohet duke respektuar procedurat dhe afatet ligjore të përcaktuara në kuadër të legjislacionit zgjedhor”, thuhet në reagim.

DnV konsideron që qëllimi për të cilin janë vendosur procedurat dhe afatet ligjore për ushtrimin e të drejtës së votimit nga jashtë është i bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare dhe si i tillë i shërben garantimit të integritetit dhe rregullsisë së procesit zgjedhor.

“Ne vlerësojmë që vendimi i Gjykatës Supreme për pranimin dhe vlerësimin e këtyre pakove si të rregullta, ndonëse është i zbatueshëm, është jo i drejtë dhe përbën një precedent që mund ta ndikojë negativisht mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore në Kosovë”, thuhet tutje.

Duke marrë në konsideratë kompleksitetin e krijuar lidhur me votimin jashtë vendit në këto zgjedhje, thuhet tutje, DnV kërkon që kjo çështje të jetë një nga prioritetet kryesore që duhet të adresohet në kuadër të reformës zgjedhore.