Në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve janë partitë që garuan në zgjedhjet e 6 tetorit
Por, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po presin certifikimin për ta konkretizuar koalicionin e tyre paszgjedhor, raporton KTV.
Megjithatë, këto dy subjekte do të duhet të presin edhe disa ditë, derisa ky proces të kompletohet.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, certifikimi i rezultateve pritet të bëhet në fillim të muajit nëntor.
Elezi nuk ka treguar nëse hetimet që janë duke u bërë për votat e ardhura nga Serbia do të ndikojnë në certifikimin e rezultateve.
Nga objekti ku ishin së bashku me votat e ardhura nga Serbia, ato nga diaspora, të hënën janë zhvendosur në QNR, e numërimi i tyre ka filluar këtë të mërkurë.
Sipas koordinatorit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës do të përfundojë gjatë ditës së enjte, kurse i atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, javën tjetër.
Ndërkohë, nga votat e numëruara, deri më tash, prin Lëvizja Vetëvendosje.
Nga 16 mijë e 189 pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora, 13 mijë e 491 janë aprovuar, derisa 2 mijë e 698 janë refuzuar.
Ndërsa mbrëmë rreth orës 22:00 ka përfunduar procesi i rinumërimit të kutive të votave nga 314 vendvotime.