Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se këto ditë do të takohet me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të diskutuar për mundësitë e bashkëqeverisjes.
Pas numërimit të plotë të votave të rregullta, VV-ja po prin me rreth 5 mijë vota para LDK-së. Mustafa ka thënë tani se LDK-ja ka marrë përkrahje të gjerë nga qytetarët dhe se janë ndëshkuar ata “që kanë qeverisur keq”.
“Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave”, ka shkruar ai në Facebook.
Mustafa tutje ka thënë se pas pak ditësh do të takohen me Kurtin për “të vazhduar aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor”.
“Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, ka shkruar më tej ai.
Kurti e Mustafa kishin pasur disa takime para zgjedhjeve, me synimin për të arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Në fund, të dy partitë hynë të vetme në zgjedhje me deklarimet se e shohin njëra-tjetrën si partneren numër një në rast se fitojnë zgjedhjet.
Kjo deklaratë e Mustafës erdhi pas takimit që ai pati me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. Gjatë ditës, Kosnett u takua edhe me Kurtin.