Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas shumë takimeve me qytetarë gjatë fushatës, dje ka folur sovrani.
Ajo ka thënë se qytetarët i kanë dhënë goditje dhe kanë ndëshkuar subjektet politike që e kanë dëmtuar vendin për vite me radhë.
Haxhiu ka thënë se qytetarët kanë vlerësuar se Vetëvendosje duhet të qeverisë me vendin.
“Ne presim që të numërohen votat me kusht, votat e mërgatës të cilat sipas informacioneve ato janë duke u verifikuar”, ka thënë ajo.
Sipas saj, qytetarët e kanë vlerësuar punën e Lëvizjes, derisa ka shtuar se nuk është punë vetëm e një muaji por e 14 vjetëve të aktivitetit politik.
“I gjithë përkushtimi jonë 14 vjeçar dhe puna e aktivistëve të Vetëvendosjes, ekipi i kandidatëve për deputetë, kandidati për kryeministër, e shumë gjera tjera kanë bërë qe ne të fitojmë. Kosova ka shumë sfida dhe ne duhet t’i përvjelim mëngët. Ajo çka presin qytetarët është që t’i jetësojmë premtimet. Ne nuk do të jemi arrogant me opozitën dhe do të respektojmë republikën parlamentare”, ka thënë ajo duke shtuar se me qeverisjen Vetëvendosje, do të respektohet përfaqësuesi i popullit.
Haxhiu ka thënë se që nga viti 2010 nuk ka pasur garë më interesante se sa zgjedhjet e djeshme.
Secila votë e qytetarëve ka qenë e rëndësishme, ka thënë Haxhiu ndër të tjera.
Duke folur për deklaratat e Dardan Molliqajt të PSD-së ajo ka thënë “Ku ka mbet ai se s’po dihet ku ka mbetur, tha që do të jap dorëheqje prej politikës nëse VV i merr 12 deputetë”ka thënë Haxhiu.
“Ka qenë një moment kur LDK ka dalë para nesh, dhe pas disa ditësh ai rezultat u përmbys. Ka pasur pjesëmarrje të të rinjve shumë. Në tubime tona ka pasur vajza dhe gra shumë. Ka qenë e qartë se kur flitet për ndryshim kjo nënkupton Vetëvendosje”, ka thënë ajo.