Zgjedhjet 2019

Osmani akuzon partitë e tjera për blerje votash – Haziri nga Klina i çon porosi “mr. Bean-it”

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten në tubimin elektoral në Klinë, se me gjithë përpjekjet e disa partive për të blerë vota, nuk ka para që e blen vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët, siç ka thënë ajo, kanë vendosur t'i besojnë LDK-së në fitoren e saj më 6 tetor.

“Ne duhet të jemi vigjilent që këtë vullnet kaq të qartë të qytetarëve të Kosovës për ta përkrahur LDK-në, ta mbrojmë. Duhet ta mbrojmë me çdo kusht, sepse ka parti që mendojnë se munden me e ble vullnetin e qytetarëve. Ka ardhur koha me ju thanë që nuk ka para që e blen këtë vullnet. Nuk ka asnjë kërcënime prej tyre që e blen dhe e ndal këtë vullnet. Nuk ka asgjë dhe asnjeri që mundet me e ndal fitoren e LDK-së”, ka thënë Osmani, përcjell LDK-ja përmes një deklarate për media.

Ajo ka adresuar kritika për kundër-kandidatët e saj, të cilët në këtë fushatë zgjedhore po flasin për vizion evropian.

“Ne nuk flasim në një anë për vizion evropian, e në anën tjetër me lejua me i kidnapu qytetarë të shteteve tjera në shtetin tonë. Ne nuk lejojmë që në një anë me u fol për vizion evropian, e me u leju me u vjedh dhomat e dëshmive në polici, me leju që qeveria jonë me qenë çdo ditë në televizion për skandale korruptive, ato nuk janë vlera evropiane. Vjedhja e shtëpisë tënde nuk është vlerë evropiane. Abuzimi i shtëpisë tënde nuk është sepse Kosova është shtëpia jonë, keqpërdorimi i shtëpisë tende nuk është vlerë evropiane”, ka thënë Osmani, duke i ftuar klinasit që mos ta rrezikojnë shtetin duke e lënë atë në duart e partive të tjera.

Ndërsa, shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke përmendur Albin Kurtin të cilin ditë më parë e quajti “Mr.Bean”, tha se ai është bërë merak tash e një muaj, se pse ai ka qenë i lumtur me nominimin e Vjosa Osmanit, për kryeministre nga LDK.

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Lutfi Haziri tha gjatë një tubimi me qytetarët e Klinës, se kundërshtarët politikë janë munduar t’i bëjnë “sehire” Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që të njëjtit kanë mbetur të zhgënjyer.

“Ai që unë i them ‘mr. Bean’ është bërë merak ta di pse unë kam shkuar i lumtur në takimin, dhe kam qenë i lumtur pas rizgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe se është nominuar Vjosa Osmani për kryeministre, iu ka bë merak që një muaj nuk po i bie në fije pse unë kam qenë më i lumturi. Dëshiroj t’i them nga Klina se kurrë më i lumtur se atë ditë nuk kam qenë. Sheshi i Prishtinës mbrëmë dhe kjo sallë tregon se ne jemi unifikuar, dhe besimi ynë është në Vjosën. Ata që kanë pritur dhe kanë bërë ‘sehire’ natën për të përçarë LDK-në, me thyer edhe në copat e saj, kanë dalë të zhgënjyer, kanë për të mbetur të zhgënjyer për jetë, sepse LDK është rikthyer në besim në familje që është program i Vjosës”, tha Haziri.

Ai tha se sot janë kthyer në Klinë që të falënderojnë qytetarët për pjesëmarrjen në manifestimin e mbrëmshëm në Prishtinë.

Kandidatët për deputetë të LDK-së nga komuna e Klinës janë Mirjeta Kalludra, Ukë Berisha dhe Isuf Berisha.