Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i sapoaderuar në Vetëvendosje, ka thënë se sikur të varej nga ish-partia e tij, Aleanca Kosova e Re, ai s’do të fitonte në zgjedhje në këtë komunë.
Në Interaktiv të KTV-së duke arsyetuar braktisjen e AKR-së dhe kalimin e tij në VV, Bahtiri ka thënë se i është bashkuar “vizionit për të ndryshuar qeverisjen e vendit”.
Ai po ashtu ka thënë se kalimi i tij në VV nuk është tradhti ndaj qytetarëve teksa ka thënë se ka dallim edhe nga kalimi i tij në VV prej atyre që u larguan nga kjo parti në drejtim të PSD-së.
“S’e kam në traditën familjare të tradhtoj askënd. Kam dëgjuar aktivistët dhe qytetarët që kanë kërkuar ndryshime. Jemi përqendruar të shtrojmë kauzën popullore në nivel qendror. Ndërsa ata që janë larguar e kanë lënë VV-në si gjeneratorin kryesor për të ndryshuar. E dini fuqinë e AKR-së, sa për AKR-në s’kisha fituar asnjëherë e VV-ja më ka përkrahur”, ka thënë ai teksa ka shtuar se ka pasur përkrahje të fuqishme nga kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Bahtiri ka thënë se në VV ka kaluar me të gjithë strukturën e AKR-së në Mitrovicë, me 600 vetë.
“Jam njeri i qytetarëve e sa për partinë e dini sa do të fitoja. Më kanë votuar pavarësisht partisë, më kanë votuar si Agim, si njeri që mbaj fjalën dhe jam njeri i punës. Më 2013 kam marrë 12 mijë vota e më 2017 17 mijë vota”, ka thënë ai.
Për kalimin e tij te partia e Kurtit, Bahtiri ka thënë se s’ka pasur kushte.
“Kam dëshirë të bëj ndryshime dhe mendoj se kam gjetur partnerin e duhur, sidomos për mbrojtjen e territorit të Kosovës. kryeministrin Haradinajn e kam mik, por si kryeministër ka qenë joefikas dhe s’ka bë asgjë. Pa asnjë kusht iu kam bashkëngjitë kauzës së tij, vizionit të Kurtit. Mendoj se e njoh mirë këtë vizion sepse bashkëpunojmë nga 2014-a dhe e kuptoj saktësisht se çfarë ai dëshiron dhe iu kam bashkëngjitë për t’i ndihmuar në ndryshimin që do të ndodhë më 6 tetor, në mënyrën më të mirë të mundshme siç ka ndodhur në Mitrovicë e tani në krejt Kosovën”, ka thënë ai më tej.
Largimin e ka arsyetuar edhe me dështimin e punës së AKR-së në kuadër të qeverisë së PAN-it. Ai ka thënë se e për ministrat e AKR-së nuk është pyetur fare partia dhe se e gjithë puna e tyre ka rënë në zero.
“Ne patëm katër ministra, por asnjëherë s’u pyet askush, por u pyet krejt dikush tjetër. Puna jonë ishte baras me 0. E pata një ministër të mirë, si ai i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, e një vendim i tij për arrestimin e Gjuriqit e çoi në shtëpi. S’kemi pas mundësi të lëvizim për të mos e shkarkuar ministrin. I kam thënë edhe atëherë Pacollit për të mos hyrë në PAN”, ka thënë Bahtiri.