Osmani në Cerrcë: LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Presidentit Rugova

Osmani në Cerrcë: LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Presidentit Rugova

16 September 2019 19:53

Gjatë një vizite që i bëri fshatit Cerrcë të Istogut, vendlindjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se “LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Rugovës”.

“Asnjë vend nuk mund të jetë më krenar se ju sot. Cërrca është vendi që i dha Kosovës mendjen më të urtë, më të ndritur dhe më këmbëngulëse që njeh historia jonë e re, arkitektin e pavarësisë, Presidentin Rugova, që ishte sublimim i përpjekjeve tona për liri, pavarësi e demokraci”, ka thënë Osmani, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ajo ka pohuar se LDK-ja e ka besimin e plotë të banorëve të vendlindjes së Rugovës dhe “këtë besim tuajin nuk mund ta blejë dhe as ta tjetërsojë askush”. “Këtë besim dhe përkrahje tuajën do ta ruaj në përjetësi duke dërguar në vend synimin e Presidentit tonë Rugova për një shtet demokratik, të lirë dhe të pavarur, në miqësi të përjetshme me miqtë tanë euroatlantikë”, ka thënë Osmani.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, potencoi se secili qytetar që vërtetë e donë Kosovën është rugovist në zemër.

Osmani ka thënë se do të jetë besnike dhe konsistente e qytetarëve në Zyrën e Kryeministrit, duke luftuar me vendosmëri çdo shkelje të ligjit dhe duke garantuar barazi për të gjithë.

Kandidatja e LDK-së, ka folur për vizionin e saj për një Kosovë të zhvilluar dhe demokratike, ku sundon ligji dhe kthehet shpresa e të rinjve në shtetin e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme