Osmani: Në mbledhjen e parë të Qeverisë do rekomandoj shkarkimin e bordeve me performancë negative

Osmani: Në mbledhjen e parë të Qeverisë do rekomandoj shkarkimin e bordeve me performancë negative

Norë Shabani 16 September 2019 12:22

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani ka thënë se në mbledhjen e parë të qeverisë do të rekomandoj që të shkarkohen të gjitha bordet që kanë performancë negative, që kanë opinione të mohuara nga Auditori i përgjithshëm.

Osmani ka thënë se me të në Qeveri, do të zvogëlohet numri i ministrive.

Ajo në Forumin “Fol Hapur”, të organizuar nga Lëvizja Fol, ka thënë se me zvogëlim të ministrive nuk do të largohen të punësuarit nga puna, por do të bashkohen.

Ajo tutje ka shtuar se funksionimi i shtetit ndërlidhet drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve.

“Për mua një shtet funksional është nëse viti i një qytetari është i përballueshëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në lëvizjen e lirë dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve që janë të parapara në letër. Në qeverinë time do të ketë vetëm 12 ministri, kjo nuk do të thotë që të punësuarit do të largohen nga puna por ato vetëm do të bashkohen. Bashkimi i disa ministrive në një do të shkurtojë edhe shpenzimet. Ajo ka thënë se edhe agjencitë dhe ndërmarrjet e ndryshme të pavarur do të funksionojnë brenda ministrive përkatëse”, ka thënë ajo raporton Koha Ditore.

Sipas saj Bordet e Agjencive do të depolitizohen, sepse politizimi po i shkatërron këto agjenci dhe po ndikon në prishjen e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë si dhe në humbjen e besimit të qytetarëve tek këto agjenci.

Ndërkaq sipas saj investimet në arsim dhe shëndetësi aktualisht janë minimale, derisa shton se synimi është që prioritetet të kthehen tek arsimi dhe shëndetësia.

“Situata në shëndetësi për mua është emergjencë kombëtare”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se sundimi i ligjit është shtyllë për realizimin e punëve të tjera.

Osmani thotë se nuk synojnë qeverisje duke vënë në kontroll sistemin e drejtësisë.

“Për mua sundimi i ligjit është shtyllë, për realizmin e të gjitha të tjerave. Ne nuk synojmë të qeverisim duke vënë kontroll në sistemin e drejtësisë, nuk ka të drejtë një kryeministër që të vendos një kryeprokuror. Detyra e qeverisë është që të garantojë që në gjykata ka njerëz profesionist dhe jo të atillë që u shërbejnë skemave kriminale. Ne nuk do të qeverisim me parti që e kanë vendosur këtë sistem. Po i dëgjoj kundërkandidatët që po thonë se do të vendosin se kush do të jetë kryeprokuror, jo këtë e vendosin prokurorët”, ka thënë ajo.

Osmani tutja ka shtuar se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ajo.

Ajo thotë se në këtë drejtim ajo ka përvojë më shumë se secili nga kundërkandidatët e saj.

“Dialogu do të udhëhiqet nga qeveria, atë proces do ta udhëheq unë, unë kam përvojë në këtë fushë më shumë se secili prej kundëkandidatëve të mi”, ka thënë ajo.

Sipas saj, roli i presidentit në këtë proces do të jetë vetëm ceremonial.

“Presidenti ka një rol krejt tjetër ... ai do të ketë vetëm një rol ceremonial që ta hedh nënshkrimin dhe ta dekretojë marrëveshjen, ky është i vetmi rol që duhet të ketë presidenti”, thotë Osmani.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme