Ka më shumë se një vit që janë bërë përpjekje për arritjen e konsensusit ndërmjet partive politike lidhur me përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Një gjë e tillë nuk u arrit as gjatë gjysmës së mandatit të Qeverisë Haradinaj.
E, më pak se një muaj nga data e zgjedhjeve të parakohshme, kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, u është drejtuar konkurrentëve të tij me një letër publike.
Ka kërkuar nga ta që pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, të zotohen se do të japin kontribut në përmbylljen e dialogut me Serbinë.
“Meqenëse interesi jetik i Kosovës është mbyllja e këtij kapitulli, ftoj të gjitha forcat politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit që të zotohen publikisht se do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të dialogut me Serbinë, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita”, ka thënë Limaj.
Në letrën publike, Limaj është zotuar se pas 6 tetorit partia e tij do të punojë për të ndihmuar përfundimin e bisedimeve tetë-vjeçare me palën serbe.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive politike kanë qenë të paqasshëm gjatë së premtes për të kuptuar qëndrimet e tyre lidhur me këtë kërkesë.
Mirëpo, kërkesën publike të Limajt gjatë parafushatës, po e quajnë të pasinqertë në Grupin për Studime Politike dhe Juridike.
Ndërsa, analistët politikë vlerësojnë se Qeveria e ardhshme duhet të merret edhe me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo vetëm me dialogun.
Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, në krye me atëherë zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.
Pas gjashtë muajsh, Gjykata Kushtetuese e shpalli të jashtëligjshëm ekipin dhe Ligjin për Kompetencat e këtij delegacioni.