Zgjedhjet 2019

PDK-ja ende s’e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë, analistët thonë se aty po zhvillohet garë

Ka kaluar një ditë qëkur partitë politike dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat me kandidatët e tyre për deputetë.

Por, jo të gjitha kanë publikuar emrat e atyre që synojnë ulëse në Parlament pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, raporton KTV.

Njëra nga to është PDK-ja. Duket se partia e Kadri Veselit po pret afatin ligjor për përmirësime eventuale të listave, i cili zgjat deri më 8 shtator.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se brenda PDK-së po zhvillohet garë ndërmjet grupeve të ndryshme rreth kandidatëve për deputetë.

Sipas Muhaxhirit, duke përdorur të drejtën e ndonjë zëvendësimi në listë, PDK-ja po e vonon publikimin e emrave, me qëllim që deri në minutat e fundit, t’i menaxhojë pakënaqësitë e disa figurave brenda partisë.

Mundësinë për ndryshime në listë ka thënë se do ta përdorë kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai pritet ta largojë nga lista Haki Raçin, të dënuarin për korrupsion disa vjet më parë, të cilin e raportoi grupi KOHA.

Raçi figuronte në listën prej 110 kandidatëve të LDK-së për deputetë, e cila u publikua të shtunën.

“Çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së. Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raçi, për të cilin ka raportuar Koha.net”, ka shkruar Mustafa.

Partia e Mustafës kishte thënë se nuk do t’i nominonte për deputetë personat që kanë probleme me ligjin. Të njëjtin zotim e ka bërë edhe PDK-ja.