Via Balcanica

Suksesi i papërsëritur i basketbollistëve të rinj në BeH

Suksesi i papërsëritur i basketbollistëve të rinj në BeH

Suksesin më të madh deri më tani përfaqësuesja e basketbollit të BeH-së e ka arritur në vitin e largët 1993, kur në kampionatin evropian ka përfunduar në vendin e tetë. Në përfaqësuese asokohe kishte edhe mjaft basketbollistë të rinj, të paafirmuar, që dëshmuan kualitetin. Megjithatë, rrëfimi meriton një shikim retrospektiv. Suksesi i ekipit sarajevas “Bosna” dhe titulli i kampionit për vitin 1979 njëkohësisht shënoi edhe nisjen e ngritjes së basketbollit të klubeve jugosllave. Gjenerata e udhëhequr atëherë nga eksperti i ri, Boshko Tanjeviq, bëri diç që askush deri më atëherë nuk e kishte arritur në ish-shtetin.

Me fitoren në Grenoble kundër ekipit mitalian “Emerson”, Delibashiqi, Varajiqi, Radovanoviqi dhe studentët e tjerë sarajevas u ngritën në majën e kontinentit të vjetër. Kampionë të Evropës! Më vonë nga Jugosllavia këtë e arritën edhe “Cibona”, “Jugoplastika” dhe “Partizani”. Trembëdhjetë vjet më vonë, në qytetin që ndërkohë u bë edhe olimpik, nisi lufta. Shumë gjëra të shëmtuara ndodhën, sporti gati se u shua tërësisht. Ai terr zgjati gjithë vitin, ndërsa më pas lindi ideja që sporti që sillte trofe, të përpiqet të depërtojë në skenën ndërkombëtare. Lindi ideja për pjesëmarrjen e përfaqësueses së BeH-së në kampionatin evropian. Kinxhe legjendar duket se ishte i parapërcaktuar që të jetë bartës i suksesit. Edhe kësaj radhe ai ishte nismëtar i idesë.