Tentimet e fundit që ndonjëra parti të zbulojë ndonjë skandal të partisë tjetër, me shpresën se ndoshta në momentet e fundit dikujt do të mund që t'ia ndërrojnë mendjen dhe votën e tyre t'ua japin atyre të “drejtëve” dhe “parimorëve”. Vdeksha në lloç se çfarë parimesh pamë dhe dëgjuam nga të gjitha ato
Sot u zgjova më herët se zakonisht. Është ditë e veçantë. Do të shkoj në kafenenë time të preferuar që fillimisht ta pi kafenë time të mëngjesit, t’i shfletoj titujt e lajmeve dhe më pas të nisem drejt shkollës fillore “Ismail Qemajli”, ku gjendet vendvotimi im.
Mëngjeset veçse janë bërë mjaft të freskëta, edhe pse gjatë ditës temperaturat po shënojnë ngritje të dukshme. Kamerierët më përshëndesin dhe me një shenjë dore ma bëjnë me dije se e dinë porosinë time, është e njëjta e cila me vite nuk ka ndryshuar. Një machiatto e madhe dhe një Coca Cola, një përzierje fatale e qumështit të vluar dhe Coca Colas e që barkut tim nuk i bën aspak mirë, por ja që ndoshta kam krijuar një lloj varësie nga ky kombinim dhe ashtu vazhdoj ta porosis dhe ta konsumoj të tillë.
Do të dalësh në votim më pyeti kamerieri derisa po më shërbente me porosinë time.
Po, iu përgjigja, posa të mbaroj këtu do të vazhdoj për në vendvotimin tim.
Unë do ta kryej obligimin tim qytetar më vonë, mu përgjigj ai.
Ambasador unë përcjell shkrimet e ditarit tuaj rregullisht dhe në pamundësi që t’i përcjell lajmet rregullisht për shkak të orarit në punë dhe obligimeve në fakultet, unë informohem mjaft shumë për atë që ndodh nga ditari juaj. Nga aty e kam edhe një ide të mirë se kë do ta votoj.
Është një lloj satisfakcioni i veçantë kur njeriu pranon këso lloj komentesh dhe impaktesh që shkrimet e tua mund të kenë sfiduar mendjen e dikujt për një mendim apo vendim kritik.
Vazhdova me leximin e titujve të lajmeve. Dita e kaluar kishte qenë heshtje zgjedhore, por në ambasadën time në Facebook ajo rregull nuk vlen, kështu që aty kishte qenë fushata në vrullin e saj të zakonshëm apo ndoshta edhe më agresive se të zakonshëm.
Tentimet e fundit që ndonjëra parti të zbulojë ndonjë skandal të partisë tjetër, me shpresën se ndoshta në momentet e fundit dikujt do të mund që t'ia ndërrojnë mendjen dhe votën e tyre t'ua japin atyre të “drejtëve” dhe “parimorëve”. Vdeksha në lloç se çfarë parimesh pamë dhe dëgjuam nga të gjitha ato. Por obligimi qytetar duhet kryer. Zhurmat e kakofonive të debateve tashmë i kisha lënë pas dhe t’u them të drejtën aspak nuk e ndiej mungesën e tyre. Sidomos nuk e ndiej mungesën e analistëve mercenarë politikë, që medoemos dëshirojnë që t’i influencojnë publikun dhe votuesin dhe atë as duke mos hezituar që ta fshehin, por duke e thënë publikisht, siç ishte rasti me Dastid Pallaskën, ku bëri thirrje që votuesit të mos votonin Vetëvendosjen, sepse ardhja e tyre në pushtet do të thoshte më shumë shtet (në konotacion kontrolli dhe heqje e lirive tona) deri në shtëpitë tona apo diçka të ngjashme.
Analisti tjetër, Çalon Syla, fiaskon e angazhimit të ish-ushtruesit të detyrës së prokurorit të përgjithshëm të SHBA-së, i cili atë detyrë e ushtroi për tre muaj dhe ndaj të cilit edhe FBI-ja është duke kryer hetime për shkak të implikimeve të kompanisë së tij në mashtrime të veteranëve të luftës dhe kursimeve të sigurimeve të tyre, si dhe ardhjen e tij për mbështetjen e fushatës së Kadri Veselit, na e shiti si interesimin e Amerikës për Kadri Veselin dhe rëndësinë e figurës së Kadri Veselit në mirëmbajtjen e kësaj miqësie. Po qe bre ju njeriun, i cili nuk e ka pasë njet me e votu Vetëvendosjen e shtini me e votu atë ashtu thjesht veç për inat të juajin edhe mercenarizmit të juaj aq të hapur e pa shije. Kush hamamin jeni ju me iu tregu qytetarëve kë mos me e votu?
Kësi mercenarësh has edhe në ambasadën time me bollëk. Disa i kam në trajtë miqsh e disa anonimë. Obsesioni dhe paranojat e tyre kundër VV-së dhe liderit të saj, Albin Kurti, shkojnë deri në atë pikë që unë nuk jam i sigurt që ata nuk e votojnë atë kur arrijnë tek kutia e votimit.
I nderuari lexues i ditarit tim. Mos lejo që të influencohesh nga asnjëri prej këtyre mercenarëve mediatikë. Ju vendosni vetë me kokën tuaj. Nëse jeni më të moshuar, i keni 20 vjet për të shikuar mbrapa se çka patëm nga partitë dhe kombinimet e partive që e patën pushtetin deri tani. Nëse jeni më të ri në moshë, atëherë barra e votës suaj bëhet pak edhe më e rëndë për juve, sepse votoni për të ardhmen tuaj të afërt, e kaluara mund t'ju tingëllojë si narracion i hidhur, por ju mund të mos e keni hetuar atë në lëkurën tuaj ashtu siç ndoshta e kanë përjetuar prindërit tuaj. Mos bini pre e paranoikëve pavarësisht se ndaj cilës parti e shfaqin atë paranojë, sidomos jo të paranoikëve të cilët paguhen që paranojën e tyre ta shpërndajnë nëpërmjet të eterit mediatik. Për t'u thënë mos e shitni votën tuaj mendoj se ata të cilët e bëjnë atë gjë as që janë lexues të ditarit tim apo lexues të çfarëdo për të qenë më i saktë. Kështu që ajo këshillë këtu nuk mund të gjejë prehje.
Paguaj kafenë time dhe nisem drejt vendvotimit tim. Nuk ka tollovi. Me të arritur më pyesin për mbiemrin tim dhe më drejtojnë se nga do të duhej të shkoja. Arrita te klasa ku ishte i paraparë vendvotimi ynë. Prezantova letërnjoftimin tim. Më gjetën në listën e votuesve, ma spërkatën gishtin tregues me sprejin ultravioletë dhe ma dhanë fletën e votimit. U drejtova nga vendi i dedikuar për t’i mbushur ato. Mora njëherë frymë thellë dhe i zgjodha numrat e mi të kandidatëve, të cilët më herët i kisha identifikuar, si dhe numrin e partisë, së cilës ata i përkisnin. E palosa fletëvotimin, iu drejtova kutisë së votimit dhe e hodha votën time në të. Kaq e kishte. I tërë procesi nuk i mori as 7 minuta që nga hyrja ime në shkollë e derisa dola nga ajo.
Çka janë 7 minuta të jetës sime në ndërrim për potencialisht 4 vjetët e ardhshëm të udhëheqjes së një pushteti, i cili do të dalë nga këto zgjedhje? Vazhdoj rrugën për në shtëpi dhe preferoj t’i dëgjoj lajmërimet e gazetarëve nga qendrat e ndryshme, qytetet e ndryshme, intervistat me qytetarë dhe gjithçka çka ka të bëjë me këtë ditë të veçantë.
Orët ikin, mua edhe më kishte zërë gjumi nën zërin e televizorit, i cili e ka këtë efekt në mua më shumë se çfarëdo qetësuesi me përbërje të melatoninës.
Kutitë do të mbyllen edhe një orë. Të gjitha qendrat lajmërojnë për mbarëvajtje të zgjedhjeve dhe asnjë incident të vetëm përveç disa rasteve ku ka pasur probleme të vogla në teknikalitete, të cilat ishin tejkaluar pas një kohe të shkurtër. Tashmë me padurim jam në ethet e pritjes së mbylljes së vendvotimeve, si dhe rezultateve të para preliminare nga vendvotimet. Erdhi edhe mbyllja e vendvotimeve, tashmë çdo gjë kishte mbaruar. Ethet e pritjes së numërimit të votave nga vendvotimet dhe adrenalina tashmë fillojnë që të ma përshkojnë trupin tim. Lajmërohen gazetarët nga të gjitha qendrat. Konfirmojnë mbylljen e vendvotimeve. Dalja e gjithëmbarshme e votuesve në vend ka shënuar një ngritje në 42% të numrit të votuesve. Analiza të shumta nga studiot e të gjitha televizioneve nacionale. Fillojnë edhe numërimet e votave të para. Është normale që qendrat më të vogla me vendvotime më të pakta dhe me më pak banorë numërohen shumë më shpejt dhe rezultatet e tyre dërgohen në KQZ. Varësisht se cilat qendra janë këtu, tendencat e bastioneve janë më të dukshme për partitë politike pasi që shumica e votave janë edhe vota familjare apo të bashkësive familjare që i jepen një partie të caktuar.
Fillojnë edhe numërimet e votave nga qendrat më të mëdha. Tashmë numrat realë fillojnë të marrin formë në përqindjen totalit të votave të shpërndara në partitë që po garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Votat vazhdojnë që të arrijnë dhe të numërohen.
Një burrë i ri dhe një grua e re po shënojnë shkëputje të ngadalshme nga burrat e tjerë në numrin e votave, dhe në përqindjen e votave për partitë e tyre respektivisht. Me kalimin e secilës orë shkëputja e tyre nga kandidatët e tjerë është solide dhe e dukshme, ndërsa gara e ndërsjellë ndërmjet atyre dyve thuajse e barabartë. Sidoqoftë, entuziazëm i madh, festim në të gjitha qendrat. Ajo që bie në sy është kremtimi i shumë të rinjve dhe numri i madh i tyre të cilët dolën dhe morën pjesë në këto zgjedhje. Një ndërrim i madh është në horizont, një ofertë dhe një mundësi e re mbase edhe ndryshe për Kosovën pas 20 vjetësh.
Çfarë ndjenje e bukur të kesh aftësinë që të udhëtosh në kohë!
Të pëlqyen këta 20 minuta të së ardhmes tënde? Atëherë merri 7 minuta të jetës tënde dhe të dielën dil në vendvotim që të votosh ndryshimin në të cilin ti beson. Unë di edhe më shumë nga e ardhmja, sepse kalova më shumë kohë aty, mirëpo nuk dëshiroj që t'ua zbuloj të gjitha, është më mirë që t’u lë juve që vetë ta përjetoni atë, të mos ju vijë si një film i treguar nga dikush e që kur pastaj e shikoni vetë i humb ajo magjia e befasisë së ngjarjes.
P. S. Ramush çka me të thonë? E di që edhe ty po të intereson një pjesë nga kjo ardhmëria të cilën unë e vizitova. Duke mos dashtë me prishë asgjë nga balanca e Universit, vetëm po të them që Zana ishte nisë në opozitë të fortë…