Mandati i dytë i Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian, që nuk dihet kur nis por mbaron në fund të vitit 2029, do të jep përgjigjen në pyetjen se a është apo jo real zgjerimi i BE-së. Nëse deri atëherë asnjë vend kandidat nuk do të bëhet vend anëtar, ose së paku të mos e ketë nënshkruar traktatin e anëtarësimit, zgjerimi si prioritet do të mbetet vetëm një fjalë e pafund dhe premtim abstrakt
Por edhe kur t’i ketë hapur negociatat e anëtarësimit, nëse gjykojmë me ritmin e deritashëm me vendet e tjera, Shqipëria do të jetë vetëm në fillim të procesit. Disa vjet larg Serbisë e shumë vjet larg Malit të Zi. Edhe Mali i Zi mund të nisë mbylljen e disa kapitujve, edhe pse me disa veprime politike i ka shkaktuar vetes probleme në raport me BE-së, pasi që ka acaruar paksa raportet me Kroacinë për t’ia bërë qejfin Serbisë. Ka presion që edhe me Serbinë të hapen pas tre vjetësh disa kapituj, por këtu angazhimi i disa vendeve për të mos lejuar një gjë të tillë do të jetë më i madh. Megjithatë, afrimi i Francës e në kohët e fundit edhe i Gjermanisë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, krahas lobimit të Shteteve të Bashkuara në favor të Serbisë, është shndërruar në një presin të madh ndaj atyre që nuk duan avancimin e Serbisë në kohën kur ajo haptas refuzon përshtatjen me BE-në në politikën e jashtme, në veçanti sanksionet ndaj Rusisë nuk bënë sa duhet për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Banjskë, mohon gjenocidin në Srebrenicë dhe u jep hapësirë dhe glorifikon kriminelët e luftës. Vendet e mëdha si Gjermania nuk çajnë shumë kokën për vlera. Por ka vende më të vogla, të cilat mendojnë seriozisht kur thonë se një Serbi e tillë nuk mund të lëvizë drejt BE-së. Për Kosovën asgjë nuk pritet të ndodhë as dy vjet prej kur ajo ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. As Bosnjë-Hercegovina nuk pritet të nisë negociatat. Pra, ky është realiteti i procesit të zgjerimit. Të mos harrojmë se ndërkohë BE-ja është tkurrur, duke u zvogëluar nga 28 në 27 vende anëtare pas largimit të Britanisë së Madhe.
Kemi tash një realitet tjetër në BE, që paraqet një pamje shumë më optimiste për zgjerimin. Ky proces tash është bërë përsëri prioritet. Për të dëshmuar këtë presidentja e tashme dhe e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se do të ketë një komisioner vetëm për procesin e zgjerimit.
Edhe tash, dhe në të kaluarën e afërt, Komisioni Evropian ka pasur komisioner për zgjerim. Por ata në të njëjtën kohë ishin edhe komisionerë për politikën fqinjësore të BE-së. Kjo ka rezultuar që me zgjerim të merren vetëm pjesërisht, pasi në fushëveprimin e tyre ishin edhe vendet në fqinjësi të BE-së, nga lindja e Evropës deri tek ato të Afrikës së veriut. Olli Rehn në Komisionin e udhëhequr nga Jose Manuel Durao Barroso në mandatin 2004-2009 ka qenë komisioneri i fundit vetëm për Zgjerim. Në atë kohë kishte besim, e besa edhe premtim, që vendet e Ballkanit Perëndimor të realizojnë të ardhmen e tyre evropiane. 20 vjet më vonë vetëm Kroacia është bërë vend anëtar dhe asnjë tjetër nuk është as afër.
Ndërkohë në Procesin e zgjerimit, pos gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit dhe Turqisë, e cila formalisht mbetet në këtë proces ndonëse të ngrirë për të, janë përfshirë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Pra, janë plot dhjetë vende që e bëjnë këtë proces më të rëndësishëm dhe për komisionerin e ardhshëm më voluminoz. Edhe ky fakt se tash në proces janë dhjetë vende vetvetiu imponon që Komisioni Evropian të ketë një person i cili do të merret vetëm me zgjerim e jo të merret me këtë vetëm në kohë të lirë si punë dytësore. Duke emëruar komisioner vetëm për zgjerim, “Komisioni Von der Leyen 2” do të dëshmojë në një mënyrë edhe seriozitetin që do t’i kushtojë këtij procesi dhe se do ta ketë prioritet. Por do të duhet të jepen edhe dëshmi e ato mund të jenë të besueshme vetëm kur të shihet se si vendet kandidate avancojnë në rrugëtimin e tyre dhe bëhen vende anëtare.
Mandati i dytë i Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian, që nuk dihet kur nis, por mbaron në fund të vitit 2029, do të jep përgjigjen në pyetjen se a është apo jo real zgjerimi i BE-së. Nëse deri atëherë asnjë vend kandidat nuk do të bëhet vend anëtar, ose së paku të mos e ketë nënshkruar Traktatin e anëtarësimit, zgjerimi si prioritet do të mbetet vetëm një fjalë e pafund dhe premtim abstrakt.
Natyrisht se mbështetja nga Komisioni Evropian nuk do të mjaftojë nëse nuk ndiqet nga gatishmëria dhe vullneti politik i vendeve anëtare. Por një angazhim edhe më i madh, dhe më i sinqertë dhe i balancuar i Komisionit, duke mos preferuar disa vende kandidate e disa jo, do të ndihmonte që edhe vendet kandidate ta shohin anëtarësimin në BE si një mundësi reale e jo si një ëndërr.