Zgjedhjet lokale

Përfundon procesi i rinumërimit të 5 vendvotimeve

Rinumerimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të pesë vendvotimeve, në bazë të vendimit të PZAP-it. Vendvotimet e rinumëruara i takonin komunave: Mitrovicë e Jugut; Kamenicë dhe Podujevë.

KQZ-ja po ashtu njoftoi se në QNR po vazhdon edhe numërimi i votave me kusht për të vazhduar pastaj me ato të personave me nevoja të veçanta.

“KQZ njofton se në QNR është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, ndërkaq pas tyre planifikohet fillimi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Edhe këto rezultate janë duke u paraqitur në platformën për rezultate, në rubnrikën “Rezultate QNR – Votimi me kusht”. Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve”, thuhet mes tjersh në njoftim.

Gjithashtu, në QNR është duke u zhvilluar edhe procesi i skanimit të Listës së Votuesve. Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht.