Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Viktimat jonjerëzore të luftës së Putinit

Përveç vdekjeve dhe lëndimeve, zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka rrëmbyer me forcë 400 mijë ukrainas. (Rusia thotë se shkuan vullnetarisht). Cilado qoftë e vërteta për këtë, duket qartë se forcat ruse po rrëmbejnë, burgosin dhe torturojnë ukrainas, duke përfshirë gazetarë, udhëheqës kulturorë dhe kryebashkiakë të qyteteve që kanë pushtuar

Pushtimi rus i Ukrainës ka pasur dhe po vazhdon që të ketë pasoja katastrofike për shumë njerëz. Mirëpo, populli i Ukrainës nuk është viktima e vetme e luftës – dhe shumë ukrainas refuzojnë që ta injorojnë këtë fakt.

Në mesin e mijëra viktimave janë edhe 1.200 civilë ukrainas të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur. Këto shifra po rriten çdo ditë dhe tërheqja ruse nga rrethina e Kievit u ka hedhur dritë provave të reja të krimeve të luftës. Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 5 mijë njerëz janë vrarë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ndërsa 20 mijë të tjerë janë dëbuar ilegalisht në Rusi, ku nuk dihet gjë për fatin e tyre.

Sido që të jenë shifrat e vërteta për Ukrainën në tërësi, ato pa dyshim se do të ishin shumë më të larta nëse më shumë se dhjetë milionë ukrainas nuk do të kishin lënë shtëpitë e tyre, me ç’rast më shumë se katër milionë syresh që kanë kaluar kufijtë kombëtarë dhe janë bërë refugjatë në Poloni e vende të tjera fqinje. Numri i ushtarëve që kanë vdekur është i diskutueshëm, por sigurisht që është disa mijëra nga të dyja palët.

Përveç vdekjeve dhe lëndimeve, zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka rrëmbyer me forcë 400 mijë ukrainas. (Rusia thotë se shkuan vullnetarisht). Cilado qoftë e vërteta për këtë, duket qartë se forcat ruse po rrëmbejnë, burgosin dhe torturojnë ukrainas, duke përfshirë gazetarë, udhëheqës kulturorë dhe kryebashkiakë të qyteteve që kanë pushtuar.

Pastaj janë viktimat indirekte të luftës. Çmimet e bukës në Lindjen e Mesme dhe në disa vende afrikane tashmë po rriten për shkak se pjesa më e madhe e furnizimeve të tyre me drithëra importohen nga Ukraina dhe ekspertët po paralajmërojnë për pasiguri të përhapur ushqimore. Situata është veçanërisht e rëndë në Jemen, ku lufta civile veçse kishte shkaktuar një krizë humanitare, si dhe në Afrikën Lindore, ku rritja e çmimeve të grurit do të përkeqësojë efektet e tre sezoneve të reshjeve nën mesataren.

Edhe Qershori – muaji më vdekjeprurës nga sulmet ruse në Ukrainë që nga 2022-ta Botë 1 j. më parë Qershori – muaji më vdekjeprurës nga sulmet ruse në Ukrainë që nga 2022-ta

Lufta ka pasur gjithashtu numër të panjohur viktimash jonjerëzore. Imazhet e refugjatëve që ikin me qentë dhe macet e tyre janë shfaqur në media, por edhe shumë kafshë shoqëruese janë lënë prapa për t'ia dalë mbanë ashtu siç munden. Një kopsht zoologjik afër Kievit, i shkatërruar nga luftimet, ishte pa ushqim të mjaftueshëm dhe nuk kishte as mjetet për t'i dhënë fund jetës së kafshëve të uritura.

Janë sulmuar gjithashtu strehët e kafshëve dhe janë vrarë kafshët. Në raste të tjera, vullnetarët kanë luftuar për të vazhduar punën e strehimoreve dhe për t'u siguruar kafshëve ushqim dhe ujë. Ushtarët rusë që pushtuan Hostomelin, në veri të Kievit, janë akuzuar për djegien e stallave, ku vetëm dy nga 32 kuajt shpëtuan. Pjesa tjetër u dogjën për së gjalli.

Sado të tmerrshme të jenë këto episode, ka të ngjarë që numri më i madh i kafshëve të ngordhura për shkak të luftës të ketë qenë në fermat e fabrikës. Forcat ruse bombarduan fermën e qumështit Agromol, afër Kharkivit, e cila kishte 3 mijë lopë. Në internet janë shfaqur imazhe të lopëve të ngordhura ose të plagosura të shtrira brenda hambarit të shkatërruar. Punonjësit nuk mund të shkonin në fermë për të trajtuar ose eutanazuar lopët e plagosura, sepse rusët pushtuan zonën. Ukraina është gjithashtu prodhuese e madhe evropiane e vezëve, dhe punëtorët janë ndërprerë nga objektet e prodhimit që përmbajnë dhjetëra e mijëra pula. Vetëm në rajonin e Khersonit, tre milionë pula kanë ngordhur pasi pushtuesit rusë ndërprenë furnizimin me ushqim për kafshët, ndoshta si pjesë e përpjekjes së qëllimshme për t'i lënë ukrainasit të dorëzohen. Në të gjithë Ukrainën, shifrat do të jenë shumëfishi i tyre.

Vullnetarët po rrezikojnë jetën e tyre për t’i ndihmuar kafshët në nevojë. Tre vullnetarë, përfshirë 26-vjeçaren Anastasiia Yalanskaya, po sillnin ushqim në strehën ku qentë nuk ishin ushqyer për tre ditë kur ushtarët rusë sulmuan makinën e tyre. Të tre u vranë.

Deri në ditën e pushtimit, “UAnimals”, organizatë ukrainase që ka mbrojtur kafshët që nga viti 2016, numëronte ndër arritjet e saj ndalimin e cirkut në disa qytete të Ukrainës. Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit, është fokusuar në parandalimin e llojit të vuajtjes që kemi përshkruar duke ndihmuar strehimoret e kafshëve për të marrë ushqim dhe duke u përpjekur të evakuojnë kafshët në rrezik për shkak të luftës.

Me kaq shumë vuajtje njerëzore, disa mund të mendojnë se është e papërshtatshme të shqetësohen për atë që lufta u ka bërë kafshëve. Mirëpo vuajtjet e kafshëve që vdesin nga uria, digjen të gjalla ose plagosen nga bombat duhet të llogariten ndër kostot e luftës. Bashkimi Evropian dhe të tjerët duhet t'i njohin kafshët jo thjesht si pronë, por si qenie të ndjeshme, aftësitë e të cilave për të vuajtur dhe për të shijuar jetën u japin atyre status moral.

Edhe Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë Botë 2 j. më parë Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë

Sulmi në zonat civile të qyteteve me artileri ose raketa është krim lufte dhe e njëjta gjë duhet të jetë e vërtetë për sulmin e objektivave si kopshtet zoologjike, stallat dhe hambarët, ose për parandalimin e ushqimit të kafshëve. Nëse kuajt në Hostomel janë djegur së gjalli me qëllim, siç pretendohet, krimi duhet të hetohet tërësisht dhe autorët, nëse gjenden, duhet të dalin para drejtësisë.

(Peter Singer, profesor i Bioetikës në Universitetin e Princetonit, është autor i librave “Animal Liberation”, “Practical Ethics”, “The Life You Can Save” dhe “Why Vegan?” Oleksandr Todorchuk, themelues dhe shef i UAnimals, aktualisht është pjesë e ushtrisë ukrainase. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).