OpEd

Trumpi dhe Kosova: Një përmendje që duhet lexuar me kujdes nga politikanët kosovarë!

Fadil Maloku

Një analizë sociologjike mbi mënyrën se si përdoren vendet e vogla në retorikën e liderëve të mëdhenj

Fadil Maloku

Përmendja e shpeshtuar e Kosovës prej presidentit amerikan, Donald Trump, nga një këndvështrim sociologjik, mund të interpretohet edhe si një performancë e zgjeruar politike, të cilën ai e përdor jo pa qëllim, sidomos kur është në pyetje protagonizmi i tij i theksuar që nga ardhja në pushtet. 

Por, njëherazi, ajo mund të shihet edhe si satisfaksion strategjik i interesave që Shtetet e Bashkuara i kanë aktualisht në këtë pjesë të botës. Të dyja këto projeksione, në gjykimin tim, nuk duhen parë vetëm me sy kritik, por natyrisht as me skepticizëm, e aq më pak me pesimizëm.

Them kështu për disa arsye: Së pari, në diplomacinë tradicionale, por edhe në këtë të sotmen që është shumë dinamike dhe ofensive, fuqitë e mëdha globale priren të flasin për vendet e vogla, jo për shkak të ndonjë peshe reale strategjike që këto vende mund të kenë, por për shkak të vlerës së tyre si “certifikata legjitimuese” në situata kërcënuese, që shërbejnë si mesazhe të koduara diplomatike për interesa më të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike. 

Së dyti, përmendja që ia bëri Donald Trumpi Kosovës, si një nga shembujt e “marrëveshjeve të suksesshme” të tij, e meriton një vëmendje më të thelluar, pra, përtej entuziazmit sipërfaqësor që vërehet te politikanët, mediat konformiste dhe rrjetet sociale. Ku perceptimi emocional (lexo; elektoral!) rrezikon të mbizotërojë mbi analizën racionale që ka të bëjë me interesat tona afatgjata kombëtare. Kjo vëmendje e thelluar ka për “detyrë” të mos ndalet vetëm te “lisi”, por ta vështrojë edhe “malin”. 

Së treti, mendoj se sfida kryesore për Kosovën nuk qëndron vetëm te përmendja apo te mungesa e përmendjes në arenën ndërkombëtare, qoftë në fjalime sporadike apo në diskutime për sigurinë rajonale dhe kontinentale. 

Sfida reale mbetet: A do të mundet Kosova që të shndërrohet në një subjekt aktiv të historisë së saj, e jo vetëm një objekt përmendjeje. Vetëm përmes një lenteje sociologjike dhe diplomatike, ku fuqia dhe ndikimi interpretohen në dritën e proceseve të dominimit dhe të ndërvarësisë, mund ta kuptojmë peshën reale të këtyre deklaratave. 

Nga dioptria e mendimit të Pierre Bourdieusë, përmendja e Kosovës nuk është asgjë tjetër veçse shfrytëzim i kapitalit simbolik ndërkombëtar, të cilin Trumpi përpiqet ta përdorë për ta përforcuar narrativen e tij si negociator i suksesshëm global. Edhe pse as në intuitën e tij personale dhe as në katalogët e preokupimeve të tij “ovale” (jam më se i bindur!), Kosova nuk zë ndonjë vend të rëndësishëm – ajo nuk përmendet për peshën e saj reale, qoftë në gjeopolitikën rajonale, e aq më pak në atë kontinentale. 

Ajo përmendet thjesht si dëshmi e pretenduar për suksese personale, në një narrativë politike ku Trumpi e paraqet veten si njeriu që “bën gjëra që askush më parë nuk i ka bërë”.

Një vëzhgues serioz i politikës ndërkombëtare e kupton shpejt se kjo përmendje – përveç protagonizmit të theksuar që tashmë po e karakterizon Trumpin – është edhe një formë retorike që i shërben një modusi vivendi diplomatik, duke e përshkruar Kosovën si një “protektorat të suksesshëm”, i cili, në retorikën amerikane, e legjitimon moralitetin ndërkombëtar të SHBA-së. Kjo qasje, në fakt, i ngjan konceptit të Antonio Gramscit për hegjemoninë kulturore, ku fuqitë e mëdha e mbështesin krijimin e strukturave të varësisë, duke i prezantuar këto si ndihmë humanitare apo si aleanca vullnetare. Pra, përmendja e Kosovës nga një lider i kalibrit të Trumpit – edhe pse ajo mbetet në periferinë e interesit të vërtetë global – mund të “prodhojë” efekte të menjëhershme politike, psikologjike dhe simbolike:

• Politike, sepse i mobilizon shpresat e politikanëve vendorë (si ish-qeverinë, ashtu edhe ish-opozitën);

• Psikologjike, sepse e krijon perceptimin e afërsisë (por edhe të indeferencës!) me superfuqinë;

• Simbolike, sepse përdoret si instrument për të (de)legjitimuar ca subjekte politike, që kanë ambicie dhe synime “shkurorëzuese” të partneritetit me SHBA-në.

P.S. 

Suma sumarum, kjo përmendje do të duhej të shfrytëzohej pa hezitim, sidomos në drejtim të mobilizimit të komunitetit shqiptar në diasporë, në shtete, si Miçigani apo Nju Jorku, ku shqiptarët kanë peshë të rëndësishme elektorale. Për më tepër, kjo përmendje duhet të shërbejë edhe si nxitje e fuqishme për krijimin e një lobimi atraktiv shqiptar, i cili, përveç Kosovës si “plagë e vjetër”, do të duhej tani e tutje të fokusohet shumë më shumë në interesat e të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan.