OpEd

Trieste, Beograd, Sarajevë – dhe një dyshim për krime makabre

A kanë udhëtuar njerëz të pasur nga Perëndimi në Sarajevë për të qëlluar mbi civilë gjatë luftës? Këto dyshime të tmerrshme po i heton drejtësia italiane

Lufta në Bosnjë-Hercegovinë përfundoi saktësisht 30 vjet më parë, por plagët janë shumë larg shërimit. Ditët e fundit ato madje po rihapen: mediat italiane kanë raportuar vazhdimisht se prokuroria e Milanos ka nisur hetime për një kapitull të errët dhe pak të njohur të konfliktit të përgjakshëm. Sipas këtyre raportimeve, ekziston dyshimi se persona të pasur nga Italia dhe vende të tjera perëndimore, midis viteve 1992 dhe 1996, kanë udhëtuar në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, për të kryer krime të rënda. Mendohet se ata u kanë paguar para ushtarëve serbë të Bosnjës me qëllimin që, për pikë të qejfit, të qëllonin dhe të vrisnin civilë të pambrojtur.

Sarajeva qe e rrethuar për 1.425 ditë nga kodrat përreth - rrethimi më i gjatë i një qyteti në historinë moderne të Evropës. Para syve të botës u vranë më shumë se 11 mijë njerëz nga ushtria e serbëve të Bosnjës, mes tyre edhe qindra fëmijë. Rreth 14 mijë të tjerë u plagosën.

Drejtësia italiane u vu në lëvizje pas kërkimeve të gazetarit investigativ Ezio Gavazzeni, i cili në korrik, së bashku me një avokat dhe një ish-gjykatës, dorëzoi prova në prokurorinë e Milanos. Kjo u bë e ditur para gati dy javësh.

Gavazzeni shpjegoi për gazetën “La Repubblica” se të ashtuquajturit turistë të luftës niseshin nga Trieste për të shtënë mbi njerëz të pafajshëm. Nga qyteti verior italian supozohet se fluturonin me kompaninë serbe Aviogenex për në Beograd dhe prej andej vazhdonin drejt Bosnjës - vetëm për t’iu dorëzuar këtij hobi makabër. Sipas Gavazzenit, bëhej fjalë për njerëz me pasion për armët dhe me kontakte të duhura në Itali dhe Serbi. “Është indiferenca e së keqes: të bëhesh si zot dhe të mbetesh i pandëshkuar”.

Raportimet nga Italia po ndiqen me shumë interes nga familjet në Sarajevë që kanë humbur fëmijët gjatë luftës. Irina Qisiq u vra nga një snajperist më 12 tetor 1993, ndërsa po hidhte hapat e parë në rrugë, duke mbajtur dorën e nënës - vetëm katër ditë pas ditëlindjes së saj të parë. Edhe pas 32 vjetësh, prindërit i mundon pyetja se kush ia mori jetën fëmijës së tyre dhe pse caku më i madh - nëna - u kursye, ndërsa një fëmijë 75 centimetra i gjatë u vra.

Fatima Popovac tregoi në mediat boshnjake se djali i saj është vrarë nga një snajper nga pozicionet e ushtrisë serbe. 31 vjet pas krimit, kjo nënë nga Sarajeva ende ka shumë pyetje: “Si mund të vrasësh fëmijën e dikujt tjetër? Për çfarë mund të jetë fajtor një fëmijë gjashtëvjeçar? Është e pabesueshme për mua që dikush e vret fëmijën e një tjetri për qejf”.

Këtyre pyetjeve u është përkushtuar edhe ish-kryebashkiakja e Sarajevës, Benjamina Kariq, prej vitesh. Ajo ishte vetëm njëvjeçare kur filloi agresioni serb ndaj Bosnjës. Në vitin 2022, Kariq pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zupaniq dhe u trondit aq shumë sa menjëherë dorëzoi padi në Bosnjë dhe Itali. Deri tani drejtësia boshnjake po hesht.

Në film, dy agjentë të shërbimeve sekrete, që donin të mbeteshin anonimë, përmendin qytetarë të huaj që u bashkuan me snajperistët serbë dhe qëllonin ndaj banorëve të Sarajevës. Ata ishin përgatitur, u ishin dhënë edhe dylbi dhe armë. “Pashë si një prej tyre vrau një njeri”, tha një dëshmitar. Në turizmin e snajperistëve, me sa duket, nuk ishin të përfshirë vetëm rreth njëqind italianë.

Gazetari Ezio Gavazzeni, autor i disa librave për krimet në Itali, tha për gazetën britanike “The Guardian” se midis snajperistëve kishte “gjermanë, francezë, anglezë dhe njerëz nga vende të tjera perëndimore”.

Edhe pse lajmet për të ashtuquajturat “safari snajperistësh” po shkaktojnë tronditje në Itali dhe gjetkë, ato nuk janë krejtësisht të reja. Shkrimtari italian dhe ish-aktivisti i majtë Adriano Sofri, i cili raportoi nga Sarajeva e rrethuar në vitet 1990, shkroi në gazetën “Il Foglio” se ishte gjë e ditur gjerësisht që snajperistë të shumtë vinin nga jashtë për të qëlluar mbi civilë.

Në filmin “Sarajevo Safari”, një dëshmitar tregon se ka ekzistuar një listë çmimesh për këto krime të tmerrshme. Për vrasjen e një burri të rritur paguheshin mbi 90 mijë franga. Për gratë tarifa ishte më e ulët. Ndërsa vrasja e fëmijëve ishte, me sa duket, më e shtrenjta. Të moshuarit mund të vriteshin falas, sipas dëshmitarit.

Tani i takon drejtësisë italiane të hetojë këto akuza të rënda - por nuk duhet pasur shumë shpresë. Që nga fillimi i luftës në Bosnjë kanë kaluar mbi 30 vjet, shumë dëshmitarë ka të ngjarë të kenë vdekur, dhe provat mund të jenë humbur ose shkatërruar.

Që në vitin 2007, një zjarrfikës amerikan dëshmoi para Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi në Hagë, duke treguar për snajperistët e ardhur nga jashtë. Ai kishte ardhur vullnetarisht në Sarajevë gjatë luftës për të ndihmuar kolegët e tij. “Ata nuk më dukeshin vendas. Rrobat dhe armët e tyre më bënë të dyshoja se ishin snajperistë”. Amerikani i përshkroi ata si turistë të armatosur dhe “më të përshtatshëm për gjuetinë e derrave të egër në Schwarzwald (të Gjermanisë) sesa për luftë”.

Sipas gazetarit Gavazzeni, autoritetet serbe refuzuan të merreshin me këtë rast, duke e quajtur atë “legjendë urbane”, pra një shpikje apo teori konspirative. Italiani pretendon se është i vetmi në Evropë që ka sjellë dritë në këtë çështje.

Por dyshimet e para datojnë që nga viti 1995. Atëherë, gazeta “Corriere della Sera” raportoi për turistë të huaj që udhëtonin në Bosnjë për të marrë pjesë në luftë. Një skenë e famshme dhe e njohur është ajo në të cilën Eduard Limonow - politikan dhe shkrimtar ultranacionalist rus - viziton së bashku me liderin serb të Bosnjës, Radovan Karagjiq, ushtarët dhe paramilitarët në një kodër mbi Sarajevë. Videodokumenti është ende në dispozicion deri sot.

Karagjiq, mjek dhe poet amator, reciton nga një nga vjershat e tij: “Dëgjoj hapat e shkatërrimit. / Qyteti digjet si temjani në kishë”. Pastaj ai hap zjarr ndaj qytetit, i pasuar nga disa breshëri të shkrepura nga Limonow. Në luginë shihet silueta e Sarajevës: hoteli “Holiday Inn”, i ndërtuar për Lojërat Olimpike të vitit 1984, xhamitë, sinagogat, kishat katolike dhe ortodokse, urat elegante mbi lumin Miljacka, biblioteka e njohur kombëtare, Bashçarsija, qyteti i vjetër me ndikime osmane i Sarajevës. Dhe njerëz që vrapojnë për jetën e tyre, qëndrojnë para furrave të bukës ose presin të marrin ujë nga burimet. Kujtimet mbi këtë kohë të errët të rrethimit po kthehen këto ditë furishëm në Sarajevë pas raportimeve të fundit në mediat perëndimore dhe lokale.