OpEd

Trashëgimia evropiane e Vuçiqit

Kur para më shumë se dhjetë vjetësh Vuçiqi e mori pushtetin, njëri prej premtimeve kryesore të tij qe integrimi i përshpejtuar në BE. Tani Vuçiqi është në prag të përfundimit të mandatit të tij si president i Serbisë dhe largimit nga politika. Në vend të anëtarësimit në BE, ai po ia lë Serbisë shtetin e kapur. Serbia, që dikur ishte “front-runner” i rajonit për anëtarësim në BE, tani është “front-runner” i shtetit të kapur në rajon. Kjo është trashëgimia e vërtetë e tij

Kapja e shtetit është një akuzë tejet e rëndë. Të jesh shtet i kapur i bie që proceset demokratike janë pezulluar në favor të vullnetit të një njeriu apo grupi interesi. Institucionet shtetërore, siç janë policia, prokuroria dhe gjykatat, kanë kolapsuar dhe ato janë tani në shërbimin personal të regjimit sundues. Elementet qenësore të demokracisë, siç janë opozita, mediat dhe shoqëria civile, janë asgjësuar ndërsa resurset ekonomike janë monopolizuar nga regjimi.

Prandaj, duke qenë një akuzë kaq e rëndë, akuza e “shtetit të kapur” tradicionalisht është përdorur vetëm si armë e instancës së fundit në marrëdhëniet diplomatike - vetëm kur të gjitha mundësitë e tjera diplomatike kanë dështuar. Thënë ndryshe, ta akuzosh një vend se është shtet i kapur është një lloj bombe bërthamore diplomatike. Kjo është edhe arsyeja përse Bashkimi Evropian ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm në përdorimin e termit “shtet i kapur” karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë termi “shtet i kapur” është përdorur në vitin 2016 për ta përshkruar regjimin e Gruevskit në Maqedoninë e Veriut. Që nga ajo kohë, ndonëse termi është përdorur sporadikisht në mënyrë të përgjithshme në vlerësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tani më 2025 ai përsëri kthehet për ta përshkruar gjendjen politike brenda disa vendeve aspiruese për anëtarësim në BE. Këto vende janë tani delet e zeza të procesit integrues: Serbia, Gjeorgjia, Turqia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në Serbi zgjedhjet janë bërë farsë. Gjatë zgjedhjeve të kaluara, regjimi në pushtet është ndier aq i paprekshëm saqë e ka hapur komplet një sallë të sporteve për të krijuar qendër të rreme të votimit. Zgjedhjet e fundit në dy komuna të vogla (Zajeçar dhe Kosjeriq) nuk ishin “as fer, as të lira”, sipas shoqërisë civile serbe. Ato u zhvilluan “në mjedis të frikës dhe të represionit”. Opozita është nën përgjim të përhershëm nga aparati i sigurisë, ndërsa shoqëria civile është subjekt i masave të dhunshme që kanë për qëllim intimitimin e tyre. Ato pak media që nuk janë nën kontrollin e pushtetit janë duke u ballafaquar me presion të jashtëzakonshëm për mbylljen e tyre. Hiç më larg se këtë javë, Ministri serb i Informimit, Boris Bratina, ka kërkuar hapur mbylljen e tyre. E gjithë kjo ndodh në një sfond, ku vetë presidenti Vuçiq i cilëson mediat e pavarura si media terroriste dhe kriminale. Gjendja alarmante për lirinë e mediave e ka shtyrë Komisionin Evropian që për herë të parë të konkludojë se Serbia është duke shënuar regres, si pasojë e “përkeqësimit serioz të mjedisit të punës për gazetarët dhe mediat. Deklaratat e vazhdueshme të

zyrtarëve të lartë mbi punën e gazetarëve po krijojnë mjedis të frikshëm për lirinë e shprehjes”.

Ndërkohë, në televizionin shtetëror serb, 94 për qind e kohës i dedikohet partisë së Vuçiqit, ndërsa vetëm 6 për qind opozitës. Nga ana tjetër, projektet gjigante ekonomike, sikur që janë EXPO, Beogradi mbi Ujë dhe së fundi kompleksi Trump - të gjitha dizajnohen për qëllimin e njëjtë: Pasurimi dhe mirëmbajtja e regjimit të Vuçiqit. Në raportin e këtij viti, Komisioni Evropian konkludoi se “korrupsioni është i gjithanshëm dhe ngelet çështje brengosëse”.

Demokracia gjeorgjiane gjatë këtij viti shënoi regres edhe më të madh nën lidershipin e miliarderit, Bidzina

Ivanishvili. Nga shteti i kapur, shoqëria gjeorgjiane po degradon drejt një shteti plotësisht autoritar. Autoritetet gjeorgjiane kanë vendosur masa represive kundër shoqërisë civile, kundër përfaqësuesve të medias dhe kundër udhëheqësve të opozitës, që i dëmtojnë rëndë proceset demokratike. Tetë figura të opozitës u dënuan me 7-8 muaj burgim dhe u ndaluan të mbajnë poste publike në dy vjetët e ardhshëm.

Nga këta gjashtë janë aktualisht të burgosur, ndërsa dy janë falur nga presidenti i Gjeorgjisë. Një figurë tjetër e opozitës është nën hetime penale, me burgim të mundshëm deri në pesëmbëdhjetë vjet, në rast se dënohet. Pas zgjedhjeve parlamentare të 26 tetorit 2024, Gjeorgjia u zhyt në një krizë të thellë politike. Shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut janë tani normë e re.

Sa i përket Turqisë, asgjë nuk tregon më bukur gjendjen e degradimit demokratik sesa lajmi i fundit i ngritjes së aktakuzës që kërkon 2000 vjet burgim për kundërshtarin kryesor të Erdoganit, kryetarin të tanishëm të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Zhvillimet sikurse këto e kanë shtyrë Komisionin Evropian që të konkludojë se “gjyqësori ka vepruar vazhdimisht në mënyrë selektive, duke i targetuar figurat e opozitës dhe duke e mbrojtur regjimin në pushtet. Kjo dinamikë hedh dyshime mbi paanshmërinë e procedurave gjyqësore dhe e ka ulur besimin e publikut në sistemin ligjor në nivelin më të ulët historik”.

Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, Komisioni Evropian siç duket e ka humbur durimin diplomatik dhe ka filluar të përdorë një gjuhë shumë më të ashpër. Në raportin e këtij viti thuhet se “Qeverisja është duke degraduar. Të gjitha nivelet e qeverisjes tregojnë shenja të kapjes së shtetit”. Për më tutje, raporti bën vlerësim të rëndë kur thotë se “autoritetet politike kanë dështuar në luftimin e korrupsionit të përhapur gjerësisht dhe penguan në mënyrë aktive progresin, duke çuar në ngecje afatgjatë dhe në rritje të shenjave të kapjes së shtetit”. Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, raporti shkon edhe më larg, duke e akuzuar skenën politike në Bosnjë për kriminalizim të “sistemeve politike, ligjore dhe ekonomike”, si dhe kapjen politike të institucioneve të sundimit të ligjit.

Janë shumë mënyra për të ndarë dhe për të grupuar vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Nga ky vit do të kemi edhe një ndarje të re: vende që janë shtete të kapura dhe ato që nuk janë të tilla.

Serbia, që dikur ishte “front-runner” i rajonit për anëtarësim në BE, tani është “front-runner” i shtetit të kapur në rajon. Kur para më shumë se dhjetë vjetësh Vuçiqi e mori pushtetin, një prej premtimeve kryesore të tij qe integrimi i përshpejtuar në BE. Ai pati deklaruar: “Ne nuk fshehim që qëllimi ynë është anëtarësimi i Serbisë në BE deri vitin 2020 dhe ne këtë detyrë do ta përmbushim”.

Tani Vuçiqi është në prag të përfundimit të mandatit të tij si president i Serbisë dhe të largimit nga politika. Në vend të anëtarësimit në BE, ai po ia lë Serbisë shtetin e kapur. Serbia që dikur ishte “front-runner” i rajonit për anëtarësim në BE, tani është “front-runner” i shtetit të kapur në rajon. Kjo është trashëgimia e vërtetë e tij.