Mbi presidentin amerikan në një qytet bregdetar egjiptian
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tërheq vëmendjen në paraqitjet e saj publike, gjithsesi në mënyrë krejt tjetër nga disa paraardhës të saj, ta zëmë Bettino Craxi, i cili iku në Tunezi nga frika se në Itali do të përfundonte në burg për shkak të korrupsionit. Atje vdiq, atje u varros, ndërsa drejtësia e atdheut të tij e pati dënuar me shumë vjet burg. Pjesë e një skandali korruptiv të Craxit ishte edhe një biznesmen i quajtur Silvio Berlusconi, i cili po ashtu do të bëhej kryeministër i Italisë.
Meloni nuk ka probleme të tilla. Por ajo prapë bie në sy. Për shembull: kur nuk i pëlqen diçka, ajo fillon me një gjysmë rrotullim të bebëzave nga qendra poshtë, pastaj, pas një pauze, me një lëvizje të shpejtë dhe elegante bebëzat ngjiten në pjesën e epërme të syve. Gazetat perëndimore kanë shkruar aq shumë për këtë, saqë nëpër redaksi duket se ka edhe redaktorë të specializuar në interpretimin e lëvizjes së syve të Melonit.
Nganjëherë ajo është në qendër të vëmendjes pa bërë asgjë. Në fillim të javës së kaluar, kur në një ceremoni në Sharm al-Sheik të Egjiptit u nënshkrua një deklaratë e quajtur armëpushim në Gazë dhe marrëveshje paqeje për Gazën, Donald Trumpi nxori në skenë një duzinë burrështetas dhe gruashtetasen Giorgia Meloni, ndaj së cilës ka një dobësi të madhe. “Ajo është një grua e bukur dhe e re”, tha presidenti amerikan, por pastaj menjëherë la të kuptohet se për një kompliment të tillë në Amerikë ta heqin qafën. “Megjithatë, unë po rrezikoj”, tha ai. Pse jo, kur je njeriu më i fuqishëm në botë, ndonjëherë nga Deti i Kuq mund t’i provokosh të majtët, feministet, progresivët, liberalët, komunistët, me një fjalë të gjithë ata që për çështjet politike e shoqërore kanë mendime të tjera nga Trumpi.
I përkëdheluri tjetër i Trumpit është Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë. Ja prezantimi që ia bëri Trumpi atij në Sharm al-Sheik: “E kemi Hungarinë. Oh, Viktor. Ku është Viktori? Ne e duam Viktorin... Ju jeni fantastikë. E di që shumë njerëz nuk bien dakord me mua, por unë jam i vetmi që ka rëndësi. Ju jeni fantastikë. Ai është një udhëheqës i madh. E mbështeta në zgjedhjet e fundit dhe ai fitoi me 28 pikë përqindjeje. Kësaj here do të bëni edhe më mirë. Keni edhe një palë zgjedhje të tjera, dhe do të shkëlqeni. Dhe e vlerësojmë. Dhe jemi pas jush 100 për qind. Kjo është Hungaria”.
Tonet e stërholluara diplomatike nuk janë punë e Trumpit, këtë e bën të qartë vazhdimisht. Burrështetasve të tjerë në Sharm al-Sheik ai u tha: “Unë jam i vetmi që ka rëndësi”, pastaj: “Disa prej jush nuk i pëlqej aspak, por nuk do ta merrni kurrë vesh se cilët janë. Ose ndoshta do ta merrni vesh”.
A e kishte fjalën për presidentin francez, Emmanuel Macron? Gazeta bulevardeske gjermane “Bild” botoi këtë titull: “Luftë për pushtet para kamerave: Trump ia shtrydh dorën Macronit”. Në Sharm al-Sheik shtrëngimi i duarve mes dy presidentëve zgjati gati 30 sekonda. Dy burra me armë bërthamore mateshin se cili do të jetë në epërsi. Mikrofonat ishin të fikur.
Por lexuesja profesionale e buzëve, Nicola Hickling, e përktheu bisedën e tyre për platformën “US Mirror”. Ajo raporton për kërcënime dhe akuza që Trump dhe Macron ia përplasën njëri-tjetrit në fytyrë. Pastaj ata u pajtuan ta vazhdojnë bisedën me dyer të mbyllura. Ky është leximi i bisedës nga Nicola Hickling, botuar edhe në “Die Welt” të Gjermanisë: “Kënaqësi t’ju shoh. Pra, keni rënë dakord?”, e pyeti Trump Macronin, kur ai doli në skenë. Macron iu shmang kamerës dhe u përgjigj: “A është kjo serioze?” Trump shtoi: “Në rregull, tani dua ta di - pse më keni lënduar? Unë tashmë e di. Në fund të fundit, po bëj paqe këtu.” Macron e preku dorën e Trumpit me gisht dhe tha: “Më falni”. Pasi Macron kërkoi falje, Trumpi dukej sikur ia shtrëngoi dorën francezit edhe më fort. Macron tha: “Le ta sqarojmë këtë me dyer të mbyllura”. Trump u përgjigj: “Unë kam lënduar vetëm tjetrin.” Macron u përgjigj: “E kuptoj. Do të shohim çfarë do të ndodhë”. Trump tha: “Do të shihemi pas pak”.
Duket se ngatërresa nuk u zgjidh as pas dyerve të mbyllura. Kur krerët e shteteve të pranishëm u mblodhën pas Trumpit në skenë, Emmanuel Macron nuk u shfaq. Ai kishte zënë vend në një kolltuk mes publikut dhe e shikonte Trumpin duke iu folur burrështetasve pas shpinës së tij si të ishin nxënës të së njëjtës klasë dhe po qortoheshin (dhe më rrallë lavdëroheshin) nga nxënësi më i mirë dhe më muskuloz i klasës. Me gjasë Trump e vërejti mungesën e kryetarit francez në skenë dhe tha: “Faleminderit Francë! Faleminderit Emmanuel! Do të prisja që Emmanuel të ishte diku pas meje. Ku është ai?”, pyeti presidenti amerikan. Mandej Trump e pa Macronin në ulëset përpara skenës dhe tha: “Nuk mund ta besoj që sot jeni kaq i përmbajtur”.
Para spektaklit në Sharm al-Sheik, Trump mbajti një fjalim në parlamentin izraelit. Ai foli 68 minuta. S’la gati asnjë temë pa prekur dhe në një moment iu drejtua presidentit izraelit Isaac Herzog me kërkesën të amnistojë kryeministrin Benjamin Netanjahu, i cili po gjykohet për akuza korrupsioni. “Puro dhe pak shampanjë - kujt i intereson?”, tha presidenti amerikan lidhur me akuzat për mashtrim ndaj Netanjahut.
Trump është i bindur se çfarë u nënshkrua në Sharm al-Sheik është e arritur historike. Sipas tij, u deshën 3000 vjet për të mbërritur në këtë pikë. Politikanë të tjerë, veçanërisht francezi Macron, janë skeptikë. Organizata terroriste Hamas nisi menjëherë taktizimet duke mos dorëzuar kufomat sipas marrëveshjes dhe e shfrytëzoi momentin e parë pas armëpushimit për të ekzekutuar në rrugë disa palestinezë që i konsideron “kolaboracionistë të Izraelit”. Terroristët mbeten terroristë!
Megjithatë, Trump shprehu indirekt mirëkuptim për ekzekutimet e Hamasit. “Kjo nuk më shqetësoi shumë, për të qenë i sinqertë. Është në rregull”, tha ai. Në rregull?
Meqë ky tekst filloi me Italinë, ai duhet të përfundojë me Italinë. Jemi në vitin 2009. Po mbahet kongresi i Partisë Popullore Evropiane. Italiani Silvio Berlusconi e shfrytëzoi rastin të tregojë një qyfyr në llogari të vetes (gjë që Trump nuk do ta bënte kurrë). Shakaja ishte si vijon: Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, Berlusconi, Papa dhe një asistent i kreut të Kishës ndodhen në një avion. Avioni përballet me probleme. Në bord mungon një parashutë. Obama merr parashutën e parë. Ai thotë: “Unë jam më i rëndësishmi” - dhe hidhet. Berlusconi thotë: “Unë jam njeriu më inteligjent i Evropës”, mori parashutën e dytë dhe u hodh gjithashtu. Papa i thotë pastaj asistentit të tij: “Unë jam plak. Ti je i ri. Merre ti parashutën”. Por asistenti u përgjigj: “Nuk është fare e nevojshme. Kemi edhe dy parashuta. Njeriu më inteligjent i Evropës, në vend të parashutës, mori çantën time të shpinës”.
Atëherë: fluturim të këndshëm!