Qytetarët po përballen me mungesë të barnave në treg, pasi distributorët farmaceutikë refuzojnë t’i furnizojnë barnatoret me çmimet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, duke kërkuar fitim më të lartë. Pas nivelimit të çmimeve, gati një vit më parë, disa ilaçe mungojnë plotësisht apo shiten me çmime shumëfish më të larta e edhe pa banderolë
Qytetarët kanë mbetur pa disa lloje barnash, pasi distributorë farmaceutikë nuk pranojnë ta furnizojnë tregun me çmime të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, duke kërkuar fitim më të lartë.
Pas nivelizimit të çmimeve të barnave, gati një vit më parë, në Shoqatën e Distributorëve Farmaceutikë dhe Medicinale thanë se importimi nuk ka qenë i favorshëm për kompanitë, pasi nuk e solli përfitimin e pritur. Mungesën e barnave, ata e konfirmuan tek e justifikuan me marzhën e ulët të fitimit.
“Arsyet janë disa: çmimi jo mirë i kalkuluar nga MSH (kriteret jo të qarta për përcaktimin e çmimit), ndryshimi i çmimeve në ndërkohë në vendet referente (Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Mal i zi dhe vendin e regjionit) e që nuk janë përditësuar, etj. Nuk kemi informata për një situatë te tillë, por një prej faktorëve mund të jetë çmimi tejet i ulët (nën kosto) i furnizimit të cilin importuesit dhe depot farmaceutike nuk kanë interes ta sjellin në treg. Sigurisht që nëse nuk ka interes dhe përfitim të caktuar, si rezultat i pakënaqësive me çmimet e përcaktuara edhe mund të mos i importojnë”, thuhet në përgjigjen e kësaj shoqate.
Mungesa e barnave në treg ka nisur që nga hyrja në fuqi e listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, në shkurt të vitit të shkuar.
Sipas listës zyrtare të barnave, për produktet me çmim nën 100 euro, Ministria ka caktuar marzhë fitimi për kompanitë prej rreth 25 për qind. Por distributorët nuk u pajtuan me këtë.
Për pasojë, disa ilaçe mungojnë plotësisht, disa shiten pa banderolë e me çmime shumëfish më të larta.
Me mungesë të Euthyrox 100 mg, pacientë që vuajnë nga çrregullimet e gjëndrës tiroide përballen prej disa muajsh. Disa farmacistë, me të cilët kontaktoi KOHA, thanë se mungesa e tij është pasojë e çmimit të përcaktuar nga Ministria, e që nuk ka qenë i favorshëm për kompaninë furnizuese.
Një qytetar, që foli në kusht anonimiteti, tregoi se pas kërkimeve të gjata, e gjeti ilaçin porse me çmim gati trefish më të shtrenjtë.
Ilaçi iu shit pa banderolë e me çmim 3 euro e 30 cent, ndërsa në listën zyrtare, çmimi me pakicë i këtij produkti është 1 euro e 17 cent.
Nëpër barnatore ka mungesa edhe të disa barnave për tension, diabet e sëmundje tjera.
Që nga e mërkura në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë ofruar përgjigje nëse kanë identifikuar barnat që mungojnë si pasojë e refuzimit për furnizim nga distributorët farmaceutik dhe nëse është ndërmarrë ndonjë masë ndaj tyre. Në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje as në pyetjet lidhur me shitjen pa banderola të po këtyre barnave dhe me çmim shumëfish më shtrenjtë sesa çmimet e përcaktuara zyrtarisht.
Në Odën e Farmacistëve pranuan se nivelimi i çmimeve shkaktoi mungesa, porse thanë që procesi është në fazë tranzitore të stabilizimit të tregut.
“Realisht MSh-ja nuk ka bashkëpunuar, po flasim për periudhën e fillimit të zbatimit, prej 9 shkurtit të vitit të kaluar, nuk ka bashkëpunuar dhe ka filluar me një hap jo të mirë edhe ka nis me prodhuar mungesa të shumta të barnave të panevojshme, por me një koordinim së bashku me komunitetin mendoj se nuk do të vinte kjo situatë të cilën jemi duke e ndjerë për mungesë të barnave”, ka thënë Astrit Haxhijaha, nënkryetar i kësaj ode.
Sipas Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, përcaktimi i çmimeve bëhet bazuar në metodologjinë e çmimeve referente në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Kroaci dhe vendin e origjinës së produktit.