Arbëri

“Shtëpia e Kosovës” në Davos i kushtoi buxhetit 300 mijë euro

Të premten është përmbyllur Forumi Ekonomik Botëror, i mbajtur në Davos të Zvicrës. Pjesë e tij ka qenë edhe Kosova. Hapësira ku i organizoi aktivitetet shteti, i kushtoi buxhetit 300 mijë euro pa përfshirë mbështetjen nga sponsorët

300 mijë euro i ka kushtuar buxhetit të shtetit financimi i hapësirës së njohur si Shtëpia e Kosovës, e hapur në Davos të Zvicrës, gjatë Forumit Ekonomik Botëror.

Këto mjete janë ndarë nga kabineti qeveritar në nëntor të vitit të shkuar, e në Qeveri kanë bërë të ditur se ky organizim ka pasur nevojë edhe për më shumë mbështetje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndarë 300 mijë euro për financimin e këtij organizimi përmes vendimeve të miratuara në mbledhjen e 277-të të qeverisë. Pjesa tjetër e shpenzimeve mbulohet nga sponsorët. Edhe këtë vit, po mbahen aktivitete të shumta, të cilat mbulojnë veçanërisht panele diskutimi me ekspertë dhe studiues me renome ndërkombëtare në fusha si ekonomia dhe teknologjia, gjersa Shtëpia e Kosovës shërben si hapësirë për diskutime me investitorë dhe sipërmarrës dhe takime bilaterale me liderë shtetërorë nga shtete mike dhe partnere”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Ky është viti i dytë i këtij organizimi, e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do të kthehet në traditë gjatë mbajtjes së forumit.

“Ne këtu në njërën anë prezantojmë kulturën, identitetin dhe atë se kush jemi ndërsa në anën tjetër i prezantojmë edhe mundësitë për investime ekonomike, për shkëmbime tregtare dhe për bashkëpunime të të gjitha llojeve. Pra tregojmë edhe atë se çfarë mund të bëjmë bashkë përveç se kush jemi”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka thënë se Kosova me shtëpinë e saj në Davos, është në mesin e 25 shteteve të botës që kanë hapësira të këtilla.

Të premten, është shënuar edhe dita e fundit e Forumit Ekonomik Botëror.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti është takuar me Jonathan Powrell, këshilltar për Siguri Kombëtare i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Në njoftim janë bërë të ditura temat e takimit.

“Gjatë takimit, u diskutua për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresin demokratik në Kosovë dhe rritjen ekonomike, dhe çështje të sigurisë rajonale”.

Forumi në Davos është hapur të hënën, e në kuadër të tij është formalizuar “Bordi i Paqes”, mekanizëm i themeluar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe anëtare themeluese e të cilit është edhe Kosova.