OpEd

Sovjetizimi i rajonit nga Brukseli si prodhues krizash

Shqiprim Pula

Sovjetizimi i rajonit nga Brukseli ndodh ngaqë heshtazi ka riafirmuar hegjemoninë serbe në Evropën Juglindore, duke mos e ndëshkuar në asnjë rast Serbinë për ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të rajonit për t’i minuar reformat demokratike, për t’i parandaluar dhe për t’i penguar anëtarësimet euro-atlantike, në plotni me doktrinën Brezhnev

Shqiprim Pula

Bashkimi Evropian (BE), procesin e dialogut Kosovë-Serbi që nga viti 2011 e ka sovjetizuar - e ka përvetësuar idenë e Leonid Brezhnevit më 1968 në Çekosllovaki!

Brukseli zyrtar e ka organizuar dhe e ka mbikëqyrur një proces “cinik”, “të cunguar” madje më tepër si “armëpushim të kontrolluar sesa me paqe të garantuar”, ndaj një Serbie politike jonormale, ka kërkuar prej Kosovës politike, marrëdhënie të normalizuara!

Sipas Kosovës politike, interesi parësor ishte vendosja e përhershme e paqes me fqinjin verior dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal, porse Brukseli zyrtar e dështoi paqen, duke e sovjetizuar procesin. Brukseli ka ushtruar presion të madh mbi Kosovën politike për një kohë të gjatë, por më kot, nuk gjeti mbështetje për pranimin e paqes nga Serbia politike. Përgjatë gjithë procesit të dialogut, Brukseli e ka bërë të qartë se nuk e mbështet përshpejtimin e pranimit të rajonit në procesin e zgjerimit të saj. Madje, duke mos e respektuar opinionin ligjor (Korrik, 2010) të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) mbi të drejtën e vetëvendosjes politike dhe deklarimin e pavarësisë nga Kosova, Unioni Europian ka devijuar nga korniza ligjore e vendosur e saj, në mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës, e edhe duke mos insistuar ndaj shteteve anëtare të saj (5 sosh) për njohje! Kështu, jo vetëm se e ka zbehur rolin e saj por edhe ka dështuar në arritjen e paqes së përhershme, në njohjen e ndërsjellë, në pajtimin e popujve, në dëmshpërblimin e dëmeve, në dënimin e krimeve për t'u arritur normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas modeleve të paqes ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë (Jugosllavisë) të vitit 1991, apo të asaj ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë më 1996.

Bashkimi Evropian, si organizatë supra-nacionale, jo vetëm që vazhdon të mos e njohë mëvetësinë e Kosovës, por, përkundrazi, ka ushtruar presion në rritje edhe ka shantazhuar politikanë të Kosovës për të llogaritur varësinë e tyre në propozime gjithnjë të reja që viheshin në tavolinë në kontradiktë me principet e dialogimit.

Ndërsa shtetet anëtare të caktuara të BE-së dhe Brukseli e sulmojnë vazhdimisht Kosovën politike apo e kushtëzojnë në mosmbështetje për shtrirje të integritetit territorial apo në mosmbështetje të sundimit të ligjit në veri të Republikës, si dhe në mosdhënien e fondeve të premtuara për shkak të qëndrimeve kushtetuese e politike gjeostrategjike të saj, në fakt Brukseli do të paguajnë çmimin më të madh, të menaxhimit të krizave që po i prodhon Serbia ndaj të gjitha shteteve në rajon.

Idetë dhe veprimet e Serbisë politike janë përqendruar rreth ruajtjes së hegjemonisë serbe mbi Evropën Juglindore dhe kërcënimit të vazhdueshëm të parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike që kulmon me ndërhyrjet e paprecedenta në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë e Maqedoni të Veriut, diku përmes Kishës Serbe si agjitator i politikës zyrtare, e diku tjetër edhe përmes grupeve parashtetërore ushtarake.

Në asnjërën nga këto ndërhyrje flagrante, Brukseli nuk e ka ndëshkuar Serbinë! Pushtimi i hapësirës politike në Evropën Juglindore nga Serbia, përmes ndërhyrjeve, duke mos lejuar liberalizëm politik, liri të fjalës e të medias, për burokratët politikë në Bruksel nuk përbën qasje armiqësore të një vendi ndaj vendeve të tjera dhe as nuk përbën problem e shqetësim për Bashkimin Evropian!

Vendet e rajonit që e aspirojnë anëtarësim në NATO dhe në UE, paraqesin kërcënim për dominimin serb, andaj dhe çuditërisht, Brukseli heshtazi e ka pranuar një qasje kontrolli të tillë me një stabilitet të rrejshëm në rajon.

Procesi i dialogut me Serbinë vazhdon të jetë kompleks nga faktorë e aktorë në Bruksel por edhe me plot mistere të pashpjegueshme nga ana e emisarëve të emëruar për këtë proces. Madje, emisari është vendosur në format tregtie “fitimprurëse” në pritës buqeta lulesh mbi arkivolin për paqen e paarritur në rajon. Mbrapa në histori, ashtu siç Brezhnevi i eliminonte ata që i konsideronte rrezik, me qëllimin që ta ruante kontrollin mbi të tjerët, edhe Brukseli me shantazhe e presione e nënshtron Kosovën për t'ia ruajtur dominimin Serbisë!

Brukseli lejon kriza politike e të sigurisë ngase e ka mundësuar ëndrrën kulmore të Serbisë për dominim. Lejimi i krizave dhe mungesa e principeve të dialogimit, së bashku, në bashkekzistencë për pabarazi ndërmjet palëve, është i shtyrë edhe nga interesa gjeo-ekonomike.

Sovjetizimi i rajonit nga Brukseli ndodh ngaqë heshtazi ka riafirmuar hegjemoninë serbe në Evropën Juglindore, duke mos e ndëshkuar në asnjë rast Serbinë për ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të rajonit për t’i minuar reformat demokratike, për t’i parandaluar dhe për t’i penguar anëtarësimet euro-atlantike, në plotni me doktrinën Brezhnev.