Zgjedhja që e kemi përpara nesh është nëse t’ia dorëzojmë mendjet tona Inteligjencës Artificiale apo t’i trajtojmë LLM-të si partnerë mësimi që na mundësojnë t’i përmirësojmë aftësitë tona njohëse. Revolucioni i të dhënave ka hyrë në një fazë të re dhe vetëm nëpërmjet trajtimit të mendjeve tona mund të jemi në hap me të
Ngaire Woods
Publikimi i mëparshëm i “Gemini Deep Think” dhe “GPT-5” nxori në pah evolucionin e shpejtë të modeleve të mëdha gjuhësore (LLM). Teksa 67 për qind e organizatave në mbarë botën tashmë i përdorin këto modele, edhe ju, me shumë gjasë, veçse keni eksperimentuar me ta. Mbase jeni impresionuar – apo ndoshta edhe jo, në rastin e versionit të ri të ChatGPT-së. Por mund edhe të keni vërejtur se shpërqendroheni më lehtësisht, se kujtesa më nuk u është aq e qëndrueshme dhe se detyrat që dikur i ndjenit si të lehta tani ju duken më të vështira për t’u menaxhuar.
Nuk është kjo vetëm imagjinatë juaja. Përderisa veglat që funksionojnë me inteligjencë artificiale mund të joshin me shpejtësinë dhe rrjedhshmërinë e tyre, mbështetja e tepërt tek ato mund të na topisë, duke na bërë më të ngadaltë, më të ngathët dhe më pak të aftë për të menduar vetë. Katër trendë të theksuar në kërkimet e fundit kanë veçanërisht rëndësi.
Shpërqendrimi digjital po e tkurr aftësinë tonë për t’u përqendruar dhe fokusuar. Gjatë dy dekadave të fundit telefonat e mençur dhe pajisjet tjera e kanë minuar përherë e më shumë aftësinë tonë për të ruajtur vëmendjen, për të marrë vendime dhe për t’i përfunduar detyrat, duke na shpërqendruar me njoftime të vazhdueshme dhe duke na tunduar me alternativa të pafundme shfletimi në ekran. Shtytja për t’i kontrolluar telefonat, e përforcuar nga shpërblimet e vogla që truri i regjistron në çdo mesazh apo përditësim, është sa varësikrijuese, po aq edhe e dëmshme. Studimet tregojnë se këto ndërprerje, të kombinuara me kënaqësinë e atypëratyshme të shfletimit, e vështirësojnë përqendrimin në detyra të vështira dhe kërkuese.
Qasja përherë më e lehtë në informacion shkakton erozion të kujtesës, që do të thotë më pak kapacitet për ta mbajtur dhe për ta organizuar informacionin gjatë marrjes së vendimeve. Studiuesit i nisën kërkimet në “Efektin Google”, kohë më parë, duke e theksuar ndikimin negativ në kujtesë të varësisë në rritje nga telefonat e mençur. Brezat e mëparshëm, për dallim, duhej t’i memorizonin numrat e telefonave, poezitë e edhe tabelën periodike.
Aftësia në rënie për të rezonuar mirë dhe për ta arritur një marrëveshje të mirë është efekti më i ri i Inteligjencës Artificiale, teksa përherë e më shumë njerëz ia delegojnë mendimin ChatGPT-së, Geminit apo DeepSeek-ut. Studimet tregojnë se ky “shkarkim kognitiv” e pengon aftësinë tonë për të menduar qartë, për t’i bërë lidhjet logjike dhe për t’i dalluar argumentet e gabuara. Është ky ekuivalent mental me delegimin e rutinës së ushtrimeve fizike – mund të kurseni energji në aspekt afatshkurtër, porse me kalimin e kohës, forca ju bie.
Në epokën e para LLM-ve, studiuesit duhej të kërkonin në internet – ose, më herët, në biblioteka – dhe të vlerësojnë me kujdes çdo burim të ri. A ishte kjo e dobishme? Si krahasohej kjo me burime tjera? A mund idetë të kombinoheshin apo të testoheshin me një tjetër? Procesi i kërkimit e trajnon mendjen të mbajë mend, të aplikojë, të analizojë dhe të sintetizojë. Pa këtë punë, këto aftësi pashmangshëm dobësohen.
Mungesa e vënies në dyshim, e debatimit dhe e sfidimit të ideve çon në dobësim të mendjes.
“Ngacmimi kognitiv” është jetik për mprehtësinë mendore. Lajkatimi prej LLM-ve, të cilat janë të trajnuara të jenë tërheqëse dhe që bazohen në miratimin e përdoruesit, e topisin mendimin tonë. Është njashtu edhe një anë e errët e këtij lajkatimi, siç është ai kur modelet e Inteligjencës Artificiale pajtohen me vetëdiagnozat e pasakta apo kur bëjnë sugjerime të dëmshme.
Në mënyrë alarmuese, një studim i fundit tregoi se sa më shumë përdoruesit këmbëngulin në pavërtetësi, aq më shumë ndodhë që modelet kryesore i përsërisin ato. OpenAI tani po punon në frenimin e lajkatimit apo sikonfancisë, duke i inkurajuar (sipas fjalëve të vetë ChatGPT-së) “ndershmërinë, mosmarrëveshjet konstruktive dhe mendimin e pavarur në vend të lavdërimeve apo bindjes automatike”. Problemi është se ky ngacmim krijon pakënaqësi te përdoruesi, ani se ky tension është pikërisht ai që e nxit zhvillimin personal.
Kompanitë teknologjike, vendet e punës, institucionet arsimore dhe individët duhet të marrin përsipër sfidën për të siguruar që Inteligjenca Artificiale ta fuqizojë e jo dobësojë kapacitetin njerëzor. Për mua, që punoj në një universitet, sfida është e menjëhershme. Më 2023, një e treta e studentëve amerikanë raportuan se e kanë përdorur ChatGPT-në për detyra; më 2024, një tjetër sondazh zbuloi se 86 për qind e studentëve në 16 vende të botës mbështeten në Inteligjencën Artificiale për studimet e tyre.
Duke qenë se një pajisje që funksionon me IA është përherë në qasjen tonë, pyetja që duhet ta ketë një përgjigje të qartë është: Përse të përpiqemi të mbajmë mend, të arsyetojmë apo ta ndërtojmë një argument kurse këtë mund ta bëjë për ne një LLM? Përgjigja është se nëse nuk e trajnoni trurin për të mbajtur mend, për të arsyetuar dhe për të mirëpritur “ngacmimin kognitiv”, rezultati do të jetë gërryerja e kapacitetit për të mësuar, për të arsyetuar, për të qenë kreativ, për të reflektuar mbi veten dhe për të menduar në mënyrë kritike.
Disa zgjidhje kanë histori të gjatë. Mbase ka ardhur koha që ta rikthejmë memorizimin si formë e trajnimit për trurin. Si një ushtrim të thjeshtë, mund të provoni ta mësoni LLM-së tuaj të preferuar për diçka që sapo e keni mësuar: shpjegimi i një materiali të ri për dikë tjetër – madje edhe për një asistent AI-je – ndihmon në ngulitjen e njohurive.
Grekët e lashtë e kuptonin që mësimi i përnjëmendtë nuk buron nga argëtimi, impresionimi apo kujdesi për nxënësit, por nga sfidimi i tyre për t’i vënë në dyshim besimet që i kishin. Metoda sokratike – të pyeturit: “Çfarë nënkupton me këtë? Çfarë provash e mbështesin këtë? A e ke menduar ndonjë perspektivë tjetër?” – i nxiti nxënësit t’i testojnë supozimet e tyre dhe t’i mprehin argumentet.
Reduktimi i shpërqendrimit mund të përfshijë krijimin e hapësirave, të orëve mësimore dhe të kohës së kaluar pa përdorim të vazhdueshëm të pajisjeve. Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 90 për qind e shkollave i kanë ndaluar telefonat e mençur mësimit. Universitetet dhe vendet e punës mund të krijojnë mjedise pa pajisje për lexim, reflektim dhe debat. Duke e përqafuar metodën e të nxënit përmes problemeve dhe simulimeve, ato mund t’i ndihmojnë nxënësit dhe kolegët që të përballen me sfida komplekse dhe të hapura, duke i përdorur (dhe zhvilluar) gjykimin dhe kreativitetin.
Zgjedhja që e kemi përpara nesh është nëse t’ia dorëzojmë mendjet tona Inteligjencës Artificiale apo t’i trajtojmë LLM-të si partnerë mësimi që na mundësojnë t’i përmirësojmë aftësitë tona njohëse. Revolucioni i të dhënave ka hyrë në një fazë të re dhe vetëm nëpërmjet trajtimit të mendjeve tona mund të jemi në hap me të.
(Ngaire Woods është dekane e Shkollës Blavatnik të Qeverisjes në Universitetin e Oksfordit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)