Për gjashtë muaj Shqipëria në rrugëtimin drejt BE-së ka hapur 16 kapituj dhe deri në fund të vitit mund t’i hapë të gjithë 35 sa janë në procesin negociator. Pra ka bërë një hap gjigant. Kjo falë rastit që i është dhënë nga BE-ja edhe për shkak të rrethanave pozitive të krijuara për procesin e zgjerimit. Për herë të parë në 25 vitet e fundit anëtarësimi në BE duket vërtet real. Por Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë rast. Kur shikon spotet zgjedhore të PS-së dhe PD-së, të kap frika se Shqipëria do t’ia prishë vetes punët, sepse armiqësia e brendshme i tejkalon edhe interesat e shtetit
Thënia se dikush “asnjëherë nuk e humb rastin për të humbur rastin” (Never miss the chance to miss a chance) askujt nuk mund t’i përshtatet më mirë sesa Shqipërisë në rastin e rrugëtimit të saj drejt integrimit në BE. Në kohën kur vendet e ish-Jugosllavisë ishin në luftë apo duke u përballur me pasojat e luftës, Shqipëria pati rastin të ecë para tyre në procesin e integrimeve euroatlantike. Dhe po, deri në vitin 2000 ishte para Kroacisë si në raportet me BE-në, ashtu edhe me NATO-n. Por politika e konflikteve të brendshme, skandalet e Piramidave dhe manipulimet e pafund të zgjedhjeve, e lanë Shqipërinë të ngecë prapa. Përballja me “armikun”, e ai armik shiheshin kundërshtarët politikë, ishte prioritet më i madh sesa avancimi i vendit drejt BE-së dhe NATO-s, dhe duke e parë se vendi nuk po lëvizte drejt BE-së, shumë shtetas të Shqipërisë vendosen të mos presin shtetin e tyre, por vetë të shkojnë në BE. Herë si emigrantë ilegalë me gomone përmes detit, herë duke u paraqitur si kosovarë, herë me leje pune, më shumë se një milion njerëz u larguan nga Shqipëria. Për kokë banori Shqipëria duhet të ketë numrin më të madh të bashkëkombësve të tyre në Evropën Perëndimore sot.
Shpesh Shqipëria në rrugëtimin evropian ka qenë edhe viktimë e rrethanave të tjera. Si për shembull kur zgjerimi nisi të shihet si rrezik dhe si diçka që nuk është i dëshirueshëm në BE. Ndodhte që kur Shqipëria ishte e gatshme dhe i përmbushte kushtet, nuk lëvizte. Nganjëherë duhej pritur ndonjë shtet fqinj, si për shembull Maqedoninë e Veriut për të bërë hapa së bashku. Por ndodhte edhe e kundërta, kur në BE ishin të gatshëm të lëvizin me Shqipërinë, por Shqipëria bënte gabime, shpesh të lidhura me procesin zgjedhor dhe me mungesën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tash është një moment pozitiv, apo “momentum” siç i thonë me fjalorin e BE-së, për procesin e zgjerimit të BE-së. Në këtë “momentum” është përshtatur jashtëzakonisht mirë Shqipëria. Krahas Malit të Zi, është i vetmi vend që realisht ka gjasa që deri në fund të këtij dhjetëvjeçari të bëhet anëtar i BE-së. Prandaj, edhe pse Shqipëria për nga numri i kapitujve të hapur është larg Serbisë, por përmendet si “front runner”, si “prijëse” në procesin e zgjerimit të BE-së. Dallimi mes Shqipërisë dhe Serbisë është shumë, shumë i madh në aspektin politik. Shqipëria nuk ka dyshime rreth orientimit të saj, dhe sinqerisht dëshiron të jetë në BE. E kjo nuk mund të thuhet për Serbinë. Shqipëria nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve e Serbia ka. Për më tepër, Shqipëria është vendi më i përshtatshëm në rajon ku mund të bashkohen të gjithë. Prandaj gjithnjë e më shumë po i besohen Shqipërisë ngjarjet e mëdha politike siç do të jetë tash edhe Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane, samiti më i madh në histori që është mbajtur ndonjëherë në Shqipëri ku do të mblidhen më shumë se 40 krerë shtetesh dhe institucionesh evropiane.
Procesi i zgjerimit është kombinim i vullnetit politik dhe përmbushjes së kritereve teknike e formale. Për Shqipërinë, kësaj radhe janë përputhur të dyja, që nuk ndodh shpesh. Pa vullnet politik nuk mund të lëvizë as kur i përmbush kushtet, ndërsa pa i përmbushur kushtet nuk ndihmon shumë as vullneti politik. Prandaj është rast i cili nuk duhet të humbë. Në të kundërtën, nuk do të kthehet shpejt.
Për gjashtë muaj, Shqipëria në rrugëtimin drejt BE-së ka hapur 16 kapituj dhe deri në fund të vitit mund t’i hapë të gjithë 35 sa janë në procesin negociator. Pra ka bërë një hap gjigant. Kjo falë rastit që i është dhënë nga BE-ja edhe për shkak të rrethanave pozitive të krijuara për procesin e zgjerimit. Për herë të parë në 25 vitet e fundit, anëtarësimi në BE duket vërtet real. Por Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë rast. Kur shikon spotet zgjedhore të PS-së dhe PD-së të kap frika se Shqipëria do t’ia prishë vetes punët, sepse armiqësia e brendshme i tejkalon edhe interesat e shtetit.
Në spotet e PD-së, Shqipëria e sotme paraqitet si “narko shtet”. Lideri i opozitës me terme të tilla iu referua shtetit të tij edhe në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP). Sali Berisha vazhdoi atë sjelljen tipike të opozitës së Shqipërisë që, nëse nuk është ai në pushtet, atëherë shteti është “kriminel” apo “narko shtet”. Kur dëgjojnë Berishën, kundërshtarët e Shqipërisë s’kanë nevojë të flasin.
PS-ja në spotin e saj skandaloz tallet me moshën e Sali Berishës, diçka që në BE është e ndaluar edhe me ligj. Numëron ngjarjet tragjike për të cilat fajin e ka PD-ja, nga Piramidat e deri te Gërdeci. Por harron PS-ja se Shqipëria sukseset më të mëdha në historinë e integrimeve euroatlantike i bëri me Sali Berishën në krye. U anëtarësua në NATO, mori liberalizimin e vizave dhe aplikoi për anëtarësim në BE. Këto janë fakte historike që në një mënyrë edhe dëshmojnë se proceset e tilla i tejkalojnë mandatet e ndonjë qeverie.
Me fjalorin “Bufi i Knetës” dhe “Narko shteti”, PS-ja e PD-ja do t’i bëjnë dëm shtetit. Edi Rama, përderisa po e shfrytëzon me sukses rastin që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë, ka dhënë një kontribut të madh në krijimin e një klime konflikti permanent të brendshëm në Shqipëri me fjalorin e tij për kundërshtarët politikë. Që të dy, Rama dhe Berisha, kanë përgjegjësi për polarizimin që është krijuar në shoqërinë shqiptare, që shkon përtej garës legjitime politike.
Sali Berisha do t’i humbë zgjedhjet më 11 maj. Ai ka mundur të mbetej në histori si lider historik, që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, nisi rrugën drejt BE-së dhe gjatë mandatit të tij, shqiptarëve iu hoqën vizat dhe prej atëherë në mënyrë të civilizuar udhëtojnë drejt Evropës, pa pasur nevojë të ndjekin rrugët ilegale. Por ai insiston që të mbetet në krye të PD-së, formalisht apo de facto, që kur kjo parti u themelua. Në këtë mënyrë nuk ka lejuar reformën në PD. Një PD e tillë i përshtatet Edi Ramës dhe PS-së, e cila do t’i fitojë zgjedhjet. Do të ishte befasi e madhe sikur të mos jetë kështu.
Por për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së do të jetë e rëndësishme ajo që do të ndodhë pas 11 majit. A do të ketë mashtrime zgjedhore, apo vetëm aty këtu ndonjë parregullsi që nuk ndikon në rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve? A do të pranohet rezultati? Më së paku që ka nevojë Shqipëria është për përsëritjen e së kaluarës kur, sapo të shpallen rezultatet e para, humbësit dalin dhe thonë “u vodh vota e popullit”. Çfarë do të mendojnë 40 liderë evropianë kur të mblidhen në Tiranë në mesin e majit për të diskutuar për të ardhmen e kontinentit nëse nëpër rrugët e atij qyteti do të ketë protesta për “vjedhjet zgjedhore”? Të shpresojmë se mbrëmja e 11 majit do të shënojë lindjen e një Shqipërie të re, një vendi ku fituesit do t’i urohet suksesi në zgjedhje dhe ata që humbin do të shprehin mbështetjen për rrugëtimin e vendit drejt BE-së. Sepse suksesi në anëtarësim në BE vjen vetëm kur të ketë vërtet një konsensus të brendshëm politik dhe shoqëror për atë qëllim.
Kroacia është shembulli më i mirë për këtë. Opozita e Kroacisë asnjëherë nuk i ka bartur në tryezën evropiane dallimet që kanë pasur me qeverinë brenda shtetit, por ka insistuar që BE-ja pa kushte t’ia hapte dyert. Berisha bëri të kundërtën në takimin e EPP-së. Por për fat të mirë kjo nuk bën dëm, sepse EPP-ja mbështet vetëm parimisht anëtarët e saj, e PD-ja është anëtare, dhe nuk hyn në dëmtimin e shteteve kandidate vetëm për interesa të një partie të caktuar politike. Dhe po, Kroacia është edhe shembull se si edhe politikanët me merita historike për vendin – ish-kryeministri Ivo Sanader – mund të përfundojnë në burg nëse gjenden dëshmi se kanë shkelur ligjin dhe janë përfshirë në afera korruptive. Gjatë rrugëtimit të Kroacisë drejt BE-së janë ndërruar gjashtë qeveri, dhe secila ka pasur merita për momentet e caktuara në këtë proces. Prandaj edhe në Shqipëri duhet ta kuptojnë se shteti e jo partitë politike anëtarësohen në BE dhe suksesi e përfitimet do të jenë të përbashkëta.
Është ndoshta paradoks, por Shqipëria sot duket shumë më mirë nëse shikohet nga Brukseli e jo nga brenda. Dhe duket shumë më mirë sesa që do të fitohej përshtypja kur ndjek fushatën zgjedhore apo shikon TV kanalet e Shqipërisë. Ky moment pozitiv është një rast që nuk guxon të humbë dhe nuk do të duhej të rrezikohej me procesin zgjedhor.