Para meje në radhë ishte një nënë me dy fëmijët e saj. Njëri nga fëmijët ishte në moshë më të madhe, ndërsa tjetri dukshëm më i ri. Fëmija i madh po mbante një pako me shkopinj shkëlqyes në duart e tij, ndërsa fëmija i vogël po ulërinte që t’i kishte ata. Ndieja aq dhembshuri për secilin lot të kristaltë që po i rrëshqiste nëpër fytyrën e rrumbullakët ngjyrë çokollate fëmijës së vogël. Mami i fëmijës e hapi paqetën, nxori njërin nga shkopinjtë ndriçues dhe ia dha fëmijës së vogël në dorë. Atij menjëherë iu ndërprenë lotët dhe fytyra e tij e rrumbullakët u përmbush nga gëzimi dhe buzëqeshja. Fëmija i vogël ua tregonte të gjithë njerëzve të cilët i kishte pranë shkopin ndriçues, të cilin ai po e mbante dhe e valonte me aq dashuri e pasion në dorën e tij të vockël
Në Ditarin tim jo rrallëherë kam ndarë me ju ngjarje nga jeta, përvoja dhe përditshmëria ime. Edhe kësaj radhe do të veproj ashtu.
Para disa ditësh hyra në njërën nga ato One Pound Shop, ku secili artikull kushton £1, e mua më nevojitej një ngjitës. Pasi që janë edhe ditët e para qysh se u hapën shkollat, përkundër pandemisë vendi gumëzhinte nga prezenca e nxënësve të rinj dhe prindërve të tyre. Kur e gjeta ngjitësin që më duhej u drejtova drejt arkave për pagesë. Linja e njerëzve të cilët po pritnin në rend për t’i paguar artikujt e tyre ishte bukur e gjatë. Para meje në rend ishte një nënë me dy fëmijët e saj. Njëri nga fëmijët ishte në moshë më të madhe, ndërsa tjetri dukshëm më i ri. Fëmija i madh po mbante një pako me shkopinj shkëlqyes në duar, ndërsa fëmija i vogël po ulërinte që t’i kishte ata. Ndieja aq dhembshuri për secilin lot të kristaltë i cili po i rrëshqiste nëpër fytyrën e rrumbullakët ngjyrë çokollate fëmijës së vogël.
Mami i fëmijës e hapi paqetën, nxori njërin nga shkopinjtë ndriçues dhe ia dha fëmijës së vogël në dorën e tij. Atij menjëherë iu ndërprenë lotët dhe fytyra e tij e rrumbullakët u përmbush nga gëzimi dhe buzëqeshja. Fëmija i vogël ua tregonte të gjithë njerëzve të cilët i kishte pranë shkopin ndriçues, të cilin ai po e mbante dhe e valonte me aq dashuri dhe pasion në dorën e tij të vockël. Në një moment vëllai i tij i madh ia mori shkopin nga dora dhe lotët e britma e fëmijës së vogël u kthyen brenda një sekonde. Mirëpo vëllai i tij i madh vetëm e mori shkopin e lakoi atë përgjysmë, pasi që ai është ashtu nga masa plastike elastike dhe shkopi u aktivizua dhe filloi të ndriçonte aq shumë me atë ngjyrën florescente të tij. Përsëri ia dha shkopin ndriçues vëllait të tij të vogël.
Derisa ne po dilnim nga dyqani pothuajse në të njëjtën kohë, fëmija i vogël po e shikonte me aq ngazëllim shkopin i cili po shkëlqente, derisa vëllai i tij më i madh i tha: "Unë duhej që ta thyeja shkopin në mënyrë që ai ta jepte efektin e plotë të tij". Këto fjalë disi në çast m’u sollën ashtu në kokën time thuajse po e dëgjoja Universin duke më thënë: "Unë duhej të të thyeja për të treguar se pse je krijuar. Duhej të kaloje nëpër atë përvojë për të kuptuar qëllimin e ekzistencës tënde, si dhe përmbushjen e qëllimit tënd në jetë".
Fëmija i vogël ishte i lumtur dhe përderisa po e tundte shkopin ndriçues në ajër me dorën e vet të vockël ende as pa qenë shkopi i aktivizuar që të ndriçonte dhe pa e kuptuar se ai shkop ishte prodhuar që të ndriçonte.
Janë disa njerëz të cilët në jetën e tyre janë të kënaqur thjesht "duke qenë", por disa prej nesh jeta ka zgjedhur që të thyhemi. Disa nga ne sëmuremi, humbasim një punë. Ne kalojmë përmes divorcit. Disa nga ne varrosim prindin, vëllanë, motrën, bashkëshortin, fëmijën tonë, shokun më të mirë, fqinjin tonë … Në ato momente dëshpërimi kur jeta po na thyen dhe kur ndodh ajo thyerje, ne atëherë jemi në gjendjen për të parë dhe kuptuar arsyen se për çka jemi krijuar në këtë botë.
Kështu që kur të shihni njerëz të cilët rrezatojnë ndriçim dhe çiltërsi, mendojeni për një çast mundësinë se ata do të mund të jenë të thyer përbrenda nga një ngjarje shumë tronditëse nga jeta e tyre, vetëm për të kuptuar të qenit, ekzistencën dhe rolin e tyre në këtë botë.
Po e mendoja Kosovën. Sa vend i përvuajtur ndër shekuj që është. Nuk do i kthehem të kaluarës së largët, mjafton ky gjysmë shekull të cilin e kam përjetuar vetë në lëkurën time në atë vend. Në ato përvoja ka aq shumë dhembshuri, vuajtje, padrejtësi të cilat ndodhën në atë vend. Një pjesë të jetës sime dihej se kush ishte armiku, dhe ai kishte emër. Mirëpo padrejtësive dhe dhimbjeve të cilat ai na i shkaktoi një ditë iu erdhi fundi pas intervenimit të botës perëndimore demokratike. Por çfarë ndodhi më pas?
Pastaj armiku ynë u bëmë vetë ne. Filluam që ta vjedhim shtëpinë tonë dhe për ambiciet tona lakmiçare e gllabëruam vendin dhe pasurinë publike nga përbrenda. Kur ti vjedh dhe shndërrohesh në hajn ordiner, ti je edhe i shantazhueshëm, sepse i përvetëson të mirat të cilat në fakt nuk të takojnë.
E dini atë fjalën e moçme? Ai i cili vjedh, ai edhe rren! A nuk kemi dëgjuar aq shumë nga këto rrena gjatë këtyre 21 vjetëve që nga përfundimi i luftës në Kosovë? Nuk na nevojiten 21 vjet për t’i shpalosur rrenat e të njëjtave fytyra dhe akterë, mjafton t'iu kthehesh deklaratave të tyre të bëra vetëm ca muaj më parë. Por kur ti e vjedh shtëpinë tënde edhe rren, ti atëherë edhe nuk skuqesh për çfarëdo veprimi tënd tjetër të cilin e ke bërë në jetë, e aq më pak për deklarata kundërthënëse.
Te shesësh shpirtin tek "djalli", gjithsesi se e ka koston e vet, të cilën një ditë do të duhesh që ta paguash. Mund të kesh shkaktuar shumë dhimbje dhe padrejtësi gjatë atij udhëtimit tënd me shpirtin e shitur, shumë njerëz mund të jenë të thyer nga padrejtësitë e bëra ndaj tyre, shumë të tjerë të nëpërkëmbur dhe të shkelur padrejtësisht. Por ja që unë besoj se një ditë do t’i shohim këta njerëz të thyer tek ndriçojnë sikur shkopinjtë ndriçues. Të thyer nga jeta për të ndriçuar më vonë. Ndoshta edhe kjo i është dashur Kosovës që ta përballojë dhe ta përjetojë. Të dhunohet dhe abuzohet nga bijtë e saj e që një ditë edhe ajo të ndriçojë me atë rrezatimin e saj të ngulfatur ndër dekada.
Dëgjova dje deklaratat e Hashim Thaçit, si dhe iniciativën e tij presidenciale që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta parandalojë kryeministrin Avdullah Hoti që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë në të cilat ai zotohet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe rrezikshmërinë të cilat ato e paraqesin për shtetin dhe vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. E po, ja që marrja dhe turpi ende nuk u persekutuan e as gjykuan për vrasjen e askujt në këtë botë se mbi Hashim Thaçin moti do të bënin atentat. Njeriu i cili e negocioi, e promovoi këtë asociacion duke shantazhuar secilin deputet në Kuvendin e Kosovës dhe këndo tjetër i cili iu kundërvu kësaj iniciative me anë të kritikës së mirëfilltë, tash qenka kthyer kundër pjellës së ideve të veta. Mos vallë ai sot do të niset edhe në Kuvend me lotsjellës diku të fshehur në trupin e tij?
Sjelljet e këtij shpirtshituri për mua kanë qenë neveritëse dhe false që nga koha, mirëpo ai tashmë nga profesionistët mund edhe të diagnostikohet me ndonjë çrregullim mendor, sepse një njeri normal nuk bën këso sjelljesh. Në anën tjetër ai edhe mund të jetë shumë "normal", por ja që është në një zor e siklet shumë të madh dhe është i shantazhueshëm dhe bishtin e ka të shkelur ngado që sillet. Këto janë orvatjet e fundit të gjarprit të zënë ngushtë për t’u liruar nga kurthi i ndërtuar për buklat e katundit. Në këto orvatje dikush edhe mund ta pësojë edhe ndonjë kafshim të fundit të gjarprit, prandaj është mirë që për çdo rast në afërsi të jetë edhe antidoti kundër helmimit nga kafshimi i gjarprit, nëse veç i ka mbetur ende ndonjë helm prezent.
Ngadalë do e përfundoj edhe Ditarin tim për këtë javë. Do ta përmbyllë prapë me analogjinë e shkopinjve ndriçues dhe thyerjes së tyre për të ndriçuar. Ndriçimi i atyre shkopinjve ndonjëherë përdoret në raste emergjencash, ndonjëherë thjesht për të ndriçuar ndonjë vend shumë të errët, ndonjëherë përdoren edhe si rekuizita në disko-klube apo ngjarje sportive, e ndonjëherë thjesht ashtu për atraksion.
Edhe Kosova u thye. Kësaj radhe nga bijtë e vet, mirëpo unë nuk kam se si të mos ia kujtoj vetes e edhe juve ditën kur para ca vjetësh bija jonë e dashur Rita Ora, e cila Kosovën e ka ende për zemër, erdhi në Kosovë dhe realizoi spotin për këngën e saj, e cila asokohe u bë hiti botëror i saj i radhës "We Go We Shine" (Ne Shkojmë dhe Ndriçojmë) …