Së paku gjatë një jave sa do të zgjatë sfida ime, do të jetë një lokal më tepër i mbyllur për "konsumimin e duhanit" dhe për krijimin e tullugut të mendimeve të lira dhe të pavarura politike. Përndryshe, "sfida" e Parim Ollurit dhe e Vehbi Kajtazit mendoj se do të jetë më kohëgjatë sesa kjo e imja, dhe shih ata tash nuk na dolën aksionarë në portalin e tyre, por po dalin disa aksionarë të tjerë mbrapa tyre, të cilët tashmë i kanë paditur dhe është ngritur aktakuza për këta të dy për keqmenaxhim, mashtrime, malverzime dhe shantazhe të ndryshme. Luaje macë kryet e bullit
Psikologët do të kenë shumë punë me përfundimin e karantinimit të njerëzve. Këtë e faktoj vetëm duke i marrë për bazë qindra mijëra postime dhe komente të ndryshme në të cilat hasi dhe i shoh e i lexoj në Facebook. Ngujimi nga ky armik i padukshëm nëse nuk e ka arritur pikun e tij në epidemi, atë e ka arritur në psikozën e njerëzve sigurisht.
Lexoj komente nga më të ndryshmet, që nga përmbajtja e tyre apo animi, ose thënë më saktë tifozëria politike dhe partiake shpeshherë janë aq të shkëputura nga realiteti dhe e logjikshmja, saqë filloj të ndiej një mundim të cilin nuk di ta shpjegoj.
Unë e kuptoj mendimin ndryshe, por filloj të kem probleme kur ai mendim ndryshe mbrohet me aq ngulm, përkundër të gjitha fakteve të dokumentuara të cilat e dëshmojnë të kundërtën. Këtu nuk po e luaj tifozin e asnjërës parti, grupi politik apo politikani, vetëm po e shpreh atë të cilën po e vërej se na ka kapluar si shoqëri.
Kontaminimi mediatik dhe i rrjeteve sociale nga njerëz që pikësëpari politikisht nuk përfaqësojnë pothuajse askënd, pasi që në Kuvend nuk janë, moralisht të bankrotuar nga akuza të ndryshme gjyqësore të cilat rëndojnë mbi ta, çdo natë nga studio të televizioneve të ndryshme e dhunojnë shikuesin e ngujuar në kohë pandemie me dokrra dhe mendime nga më morbidet politike, me lojën e pistë politike e cila është duke u luajtur në Kosovë, e rëndojnë dhe argumentojnë situatën së cilës po i referohem unë.
Dukuria tjetër, intervista me avokatë të ndryshëm të cilët kanë mendim për çdo gjë që ndodh në shoqërinë kosovare. Kjo dukuri nuk më ka ra që ta has askund në botë, avokatë të kastave politike, me agjenda politike, duke dhënë mendime dhe analiza të "pavarura" politike.
Klientelizëm i skajshëm dhe dhunim i fjalës së lirë, poshtë, lart, anash, para dhe mbas në transmetim të drejtpërdrejtë pa siglën +18.
Jemi dëshmitarë se ngujimi në anën tjetër në rrjetet sociale p.sh. ka zgjuar kreativitetin e njerëzve të cilët tani që kanë pasur shumë më shumë kohë t’i kushtohen vetes sesa punës nga e cila mbijetojnë, u janë kushtuar talenteve të tyre të moçme, ndoshta të fjetura, ndoshta rishtazi të zbuluara ose thjesht mundësi për t’i ndarë ato me të tjerët. Pamë sfida nga më të ndryshmet, postime fotografish nga rinia, postime këngësh, postime gatimesh të ndryshme, poezish, barsoletash e shumë e shumë aktivitete të ndryshme.
Edhe unë vendosa që para dy ditësh t’i sfidoja miqtë e mi.
Të gjithë ata të cilët do t’i bashkëngjiteshin sfidimit tim unë i sfidova që një javë të tërë të mos postojmë asnjë status me konotacion dhe përmbajtje politike.
Një kontribut i imi modest, sepse ndoshta edhe për dikënd mendimet dhe qëndrimet e mia politike përbëjnë një kontaminim të hapësirës në rrjetet sociale, një mundësi që edhe ata të pushojnë nga unë.
Kjo sfidë rastësisht mua më ndërlidhet edhe me dyvjetorin qysh se e kam lënë duhanin. Mund të them se ndjesia është po ajo e njëjta. Ata të cilët kanë qenë dikur duhanxhinj apo të cilët ndonjëherë kanë tentuar që ta lënë atë e dinë dhe mund të më kuptojnë se çka po mendoj.
Ngjarjet politike vazhdojnë që të ndodhin qoftë në skenën botërore, qoftë në atë vendore në Kosovë. Sa shumë sfidohem që ta shkruaj një status, por nuk e bëj atë gjë. Një status në të cilin do të merrja qindra LIKE, dhjetëra komente, ndoshta edhe ndonjë shpërndarje, dhe kështu me apo pa dashje qindra njerëz do ta lexonin dhe në njërën apo në një mënyrë tjetër do të hynin në vorbullin e atij mendimi qoftë duke u pajtuar me të, qoftë edhe duke e kundërshtuar.
Sa shumë sfidohem të komentoj në postimin politik të mikut, por durohem dhe nuk e bëj. Është vetëm dita e tretë. Ndoshta sfida do të ishte më e lehtë po qe se gjatë kësaj kohe nuk do të hyja fare në Facebook, apo ta deaktivizoja llogarinë time gjatë kësaj kohe të sfidës, por unë e zgjodha atë rrugën më të vështirë, që unë të vazhdoj të mbetem aktiv në Facebook, mirëpo pa postime me përmbajtje politike.
Analogjia është po e njëjta me atë të duhanxhiut i cili sot e ka lënë duhanin dhe shkon në kafenenë e tij të preferuar, me shoqërinë e tij të preferuar, për ta pirë kafenë e tij të preferuar. Të tërheqë aroma e duhanit, ndërmjet gishtërinjve të tu e ndien mungesën e cigares, pas çdo gllënjke të kafesë mungon edhe thithja e duhanit dhe mbushja e mushkërive me timin e tij. Pastaj mungon lirimi i frymës me renë e tymit të duhanit, të cilin e liron nga mushkëritë jashtë, qoftë nga goja apo nga vrimat e hundës.
Të mungon ndjesia të cilën ta jep rrotullimi i rrotëzës së shkrepëses nga fërkimi i gishtit të madh dhe zëri që e prodhon kur rrotëza nën presionin e gishtit rrotullohet dhe fërkohet me gurin i cili liron shkëndijat e para, të cilat e ndezin gazin e liruar nën presion nga shkrepësja dhe kur ndodh ndezja e flakës së vogël nga ajo, njëjtë siç të mungon kur një status i yti politik "dhez" qoftë ai i postuar si sarkazëm, ironi apo thjesht shprehje e një mendimi të lirë politik.
Të mungon dhe sfidon kur dikush ashtu pa dashur ta hedhë fytyrës tymin e vet të liruar nga thithja e duhanit. Ia ndien aromën, e kujton ndjesinë, sa shumë do të dëshiroje që tash edhe ti të liroje një tullug tëndin dhe të krijoje një re të tymit rreth vetes.
Tash duke i shkruar këta rreshta m’u kujtuan edhe ata që fare nuk e pinë duhanin. Si ndihen ata në botën e rrethuar me duhanxhinj? Me ambientet ku duhani konsumohet dhe janë të rrethuar me duhanxhinj. Ata sigurisht se nuk do t’i kuptojnë krahasimet dhe analogjitë të cilat unë i bëra më lart, sepse atë ndjesi nuk e kanë të njohur dhe asnjëherë nuk kanë qenë të varur nga një ndjesi e tillë?
Mirëpo këtu tani më lind një dilemë tjetër të cilën dëshiroj që ta sqaroj tek lexuesi i Ditarit tim.
Kur flas për varjen, i referohem asaj varjes shpirtërore të cilën njeriu e krijon ndaj një vesi të cilin e ka, nuk flas për atë varësinë materiale të cilën e krijon për shkak të qëndrimeve të caktuara politike dhe varësinë ekzistenciale nga një grup i caktuar politik.
Unë e bëj dallimin nga njerëz që postimet politike i bëjnë thjesht nga frustrimi i gjendjes në të cilën ka ra vendi si pasojë e sjelljeve të politikanëve tonë në 20-vjeçarin e fundit, prej qëndrimeve të atyre të cilët janë të sponsorizuar nga politika dhe politikanët për të kontribuar në shtimin e reve të mjegullës së "duhanxhinjve" të tjerë.
Së paku gjatë një jave, sa do të zgjatë sfida ime, do të jetë një lokal më tepër i mbyllur për "konsumimin e duhanit" dhe krijimin e tullugut të mendimeve të lira dhe të pavarura politike. Përndryshe, "sfida" e Parim Ollurit dhe e Vehbi Kajtazit mendoj se do të jetë më kohëgjatë sesa kjo e imja, dhe shih ata tash nuk na dolën aksionarë në portalin e tyre, por po dalin disa aksionarë të tjerë mbrapa tyre, të cilët tashmë i kanë paditur dhe është ngritur aktakuza për këta të dy për keqmenaxhim, mashtrime, malverzime dhe shantazhe të ndryshme. Luaje macë kryet e bullit !
E edhe sa të tjerë të tillë na sillen sikur analistë dhe opinionbërës nëpër studiot televizive tona, duke shitur tullug mediatik për dhe në lidhje me çdo temë e cila e preokupon shoqërinë tonë- mendve zarar.
Përsëri dëshiroj që të kthehem tek ata që kurrë nuk e kanë konsumuar duhanin (lexo), tek ata që kurrë nuk postojnë apo bëjnë komente politike. E kuptoj që bota e tyre nuk është e kollajtë, përderisa janë të rrethuar me duhanxhinj aktivë e pasivë, kronikë e socialë, mirëpo vështirë bindem se vetëm se nuk postojnë dhe komentojnë jomedoemos nuk i lexojnë ato postime ashtu nga prapavija, njëjtë siç do t’i shihni në shoqëri me duhanxhinjtë në lokale të ndryshme, vetëm se nuk e ndiejnë "lezetin" e cigares me të gjitha ceremonitë e saj, nuk i bën ata më injorantë në bisedën e cila zhvillohet në atë tavolinë.
U mundova të them diçka, dita e tretë e mospostimeve të statuseve politike dhe ngujimi e kanë bërë të veten …