OpEd

Sfidat e paqes që priti 3000 vjet

Rreziku më i madh i dështimit të politikës së Trumpit në Lindjen e Mesme është vetë Trumpi. Ai është i shkëlqyer për të marrë vendime të guximshme dhe të shpejta, të cilat shohin botën nga perspektiva finitive dhe e thjeshtëzuar bardhezi, por ai vuan nga një mungesë e thellë e durimit, urtësisë dhe konsistencës që kërkon një proces kompleks i paqes, sikur ai i Lindjes së Mesme. Thënë ndryshe, lindja e një epoke të re të paqes për Lindjen e Mesme do të kërkojë lindjen e një Trumpi të ri

Arritja e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit do të duhej të ishte një ditë grandioze, e cila më në fund do të jetësonte ëndrrën e shumëkërkuar të presidentit Trump për titullin e “njeriut të paqes”. E gjithë skenografia e asaj dite u projektua për këtë qëllim. Në mes të sallës së konferencës për media u vendos një objekt gjigant, me sloganin “PAQE 2025”, ndërsa në sfondin e liderëve qëndronte mbishkrimi i madh “Paqe në Lindjen e Mesme”. Fjalimi i Trumpit ishte po kështu grandioz. Në mënyrë solemne ai deklaroi: “Sot qielli është i qetë, armët nuk dëgjohen dhe dielli është duke lindur mbi tokën e shenjtë, e cila është më në fund në paqe”. Sikur kjo nuk ishte mjaft, ai shtoi: “3000 vjet na u deshën për të arritur këtu”. 

Por pa mbaruar java qëkur Trumpi i tha këto fjalë, e gjithë paqja e festuar gati u shemb. Hamasi dhe Izraeli përsëri shkëmbyen sulmet duke kërcënuar kështu armëpushimin e arritur. Kësisoj Trump, sikur paraardhësit e tij, ngadalë po kupton përse Lindja e Mesme është varrezë politike për karrierat e presidentëve amerikanë. 

Vetëm koha do të tregojë nëse paqja e Trumpit do të mbijetojë, por tani për tani duhet të njohim guximin dhe vullnetin e Trumpit për të sjellë paqe në mes të Izraelit dhe Palestinës. Plani i tij dyfazash është vazhdimësi e planit të propozuar të Bidenit, por tani katër zhvillime të reja krijuan kushtet e nevojshme për arritjen e paqes. 

I pari dhe më i rëndësishmi është vetë Trumpi. Pra Trumpi vendosi se mjaft është mjaft dhe se palët duhet t’i japin fund luftës. Pas sulmit të Izraelit mbi Katarin, Trumpi ushtroi presion mbi Netanyahun, ndërsa nga ana tjetër ai koordinoi me efektivitet aleatët amerikanë në botën arabe për të ushtuar presion mbi Hamasin. Kështu dy palë u obliguan t’i japin fund luftës. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ndërhyrjen dhe vendosmërinë e një presidenti amerikan. Ky episod ishte rikujtim se ajo çfarë ish-presidenti egjiptian, Anwar Sadat, tha në vitin 1977, është e vërtetë edhe sot: “Washingtoni mban 99% të letrave në këtë lojë”. 

Zhvillimi i dytë ishte pozita e pafavorshme e Netanyahut. Kokëfortësia e Netanyahut ishte faktor kyç në zgjatjen e luftës. Deri në ardhjen e Trumpit ai ka përdorur pozitën e dobët të Bidenit për të manipuluar spektrin politik republikan dhe demokrat në interes të tij personal. Me ardhjen e Trumpit, kjo lojë e Netanyahut arriti fundin e saj. Ai tani kishte përballë një president amerikan që nuk mund të minonte më në Washington. 

Zhvillimi i tretë ishte mbështetja e vendeve arabe dhe Turqia. Këto vende dhe Trumpi gjetën veten në një pozicion të përfitimit të dyanshëm. Trumpi kishte nevojë për fuqinë e tyre në kontrollimin e Hamasit, ndërsa ata kishin nevojë për avancimin e marrëdhënieve me Trumpin. Për shembull, Turqia ka nevojë për avionë amerikanë luftarakë “F-35”, ndërsa vendet arabe ëndërrojnë për llojin e marrëdhënieve që së fundi Katari ngriti me SHBA-në. Përveç kësaj, këto vende ballafaqoheshin me një zemërim të madh publik për mosndalimin e vuajtjeve të popullit palestinez. 

Zhvillimi i katërt ishte kolapsi i fuqisë së Iranit për të vazhduar mbështetjen ndaj “rrethit të zjarrit” të Izraelit. Sikur Hezbollahu dhe Houthit, edhe Hamasi kuptoi që nuk mund të llogarisë më në Iranin për të vazhduar luftën kundër Izraelit. Kësisoj veprimet paraprake të Trumpit (dhe Izraelit) në asgjësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit kanë qenë parakusht për sjelljen e paqes së sotme. 

Balanca e komplikuar dhe fragjile e këtyre katër dinamikave ka lejuar arritjen e paqes dhe mbajtjen e saj deri më sot. Faza e parë e paqes së Trumpit ka sjellë armëpushimin dhe kthimin e refugjatëve palestinezë, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite, lirimin e pengjeve izraelite dhe zbarkimin e ndihmës humanitare në Gazë. Dhe vetëm për këtë Trumpit duhet njohur meritat. 

Por tani fillon pjesa e vështirë. Në javët dhe muajt e ardhshëm Trump duhet të sigurojë se Hamasi do të çarmatoset dhe në vend të tij do të ngrihet forcë e re e shumëkombëshe e sigurisë. Më pastaj duhet të ngrihet një qeveri e re palestineze, e cila do të veprojë nën një trup ndërkombëtar të quajtur “Bord i Paqes”, i cili do të drejtohet nga vetë Trump dhe në fund ai duhet të administrojë një program masiv rindërtimi dhe rimëkëmbje për Gazën me qëllimin final të zgjidhjes së statusit të Palestinës.  

Sfidat në zgjidhjen e këtyre çështjeve janë monumentale dhe temat sikur këto kanë groposur deri tani procesin e paqes së Madridit, Marrëveshjet e Oslos dhe Samitin e Kamp Davidit. Por historia e së kaluarës nuk është fati i së ardhmes. Ajo çfarë është tani me rëndësi është që të mos humbet momentumi. Administrata e Trumpit duhet të lëvizë shpejt dhe në koordinim me partnerët rajonalë që të ofrojë mekanizmat zbatues, incentiva dhe sanksionet për të siguruar progres në zbatimin e njëzet pikave të mbetura të planit të paqes. Pa një lidership të vazhdueshëm të SHBA-së, paqja shumë shpejt do të rrezikohet nga kalkulimet afatshkurtra të akterëve lokalë. Thënë ndryshe, jemi vetëm në fillimin e procesit të paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Ajo çfarë na pret tani është një periudhë e gjatë negociatore dhe diplomatike e zgjidhjes së shumë problemeve politike, financiare dhe teknike. Negociatorët për shembull duhet të dakordojnë përbërjen e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese dhe njëkohësisht të sigurojnë mënyrën e çarmatosjes së Hamasit. Po ashtu, aleatët duhet të ngrenë dhe të trajnojnë nga zeroja një aparat të ri palestinez të sigurisë, i cili do të jetë i aftë të vendosë rend dhe ligj në të gjithë territorin palestinez, si dhe të sigurojë që toka palestineze nuk do të shfrytëzohet më si trampolinë për të sulmuar Izraelin. Qeveria e re teknike duhet të gëzojë legjitimitetin e popullit palestinez dhe duhet të mbështetet me fondet masive për të mundësuar rimëkëmbjen e Gazës. Të gjitha këto çështje do të kërkojnë kohë, energji dhe durim. 

Dhe këtu pikërisht qëndron ironia e rrezikut më të madh të dështimit të politikës së Trumpit në Lindjen e Mesme. Rreziku më i madh është vetë Trumpi. Karakteri politik i Trumpit është i shkëlqyer për të marrë vendime të guximshme dhe të shpejta, të cilat shohin botën nga perspektiva finitive dhe e thjeshtëzuar bardhezi, por ai vuan nga një mungesë e thellë e durimit, urtësisë dhe konsistencës që kërkon një proces kompleks i paqes, sikur ai i Lindjes së Mesme. Thënë ndryshe, lindja e një epoke të re të paqes për Lindjen e Mesme do të kërkojë lindjen e një Trumpi të ri. Një Trumpi burrështetas. Për hir të rajonit, i cili në histori bashkëkohore ka njohur vetëm luftë dhe dhimbje, uroj ta shoh këtë ditë.