Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Secili me Pronton e vet

Mbi PDK-në si hidra rri afera Pronto. Rasti tashmë ndodhet në tavolinën e drejtësisë. Pavarësisht epilogut, të përfshirët në të, tashmë kanë marrë njëfarë gjykimi publik, sido që të jetë verdikti i instancave gjyqësore në fund, ndonëse praktika dëshmon se sikurse në shumë raste të tjera, lënda do të mundë të përmbyllet nga parashkrimi.

Afera Pronto, në fakt, vetëm shpërfaqi në publik mendësinë e instaluar prej pas luftës në Kosovë, ku çdokush mund ta ketë fituar një vend pune, jo në saje të shkathtësive profesionale, por nga lidhjet familjare, miqësore, afërsia, simpatia, apo koketimi me subjektet që tradicionalisht kanë qeverisur vendin.

Kjo, saqë më Pronto nuk është aferë, por model i punësimit pa konkurs, delegim analog me kooptimin në kryesi të partive, një formulë e zbatuar posaçërisht nga partia e përfshirë në këtë aferë.

Pronto si asnjë veprim tjetër e bëri PDK-në të shikohet në pasqyrë, të përballet me veten dhe gjithashtu edhe ta paguajë faturën e veprimeve kësisoj. Me një bilanc zgjedhor zhgënjyes për ta, PDK-së, afera Pronto i bëri gjyqin. Por shtrirja e madhe e këtij diskursi në komunikimin e përditshëm të njerëzve, duket se mori përmasa pandemie. Pothuajse 4 vjet më vonë, në situatë të ngjashme u ndodhën eksponentë të Vetëvendosjes, incizimet e të cilëve nxorën në pah se secila parti ka Pronton e vet. Çështja është se kur Prontoja e saj do të dalë në publik. Natyrisht që Prontoja e PDK-së nuk është e barasvlershme me atë të VV-së, sepse dallon për nga natyra, konteksti dhe implikimet. Por ama sido që të jetë në esencë është Pronto me logo tjetër subjekti.

Konkursi për lokalet e Ndërmarrjes Banesore përballë Katedrales, riktheu në publik aferën Pronto, duke përballë veprimet e asaj dhe kësaj afere, e cila sikurse e para nuk merr fund me kaq.

Edhe Kolumne 3 j. më parë Krejt mendtë n’Gjermani

Zhvillimet në NPB, ku ashpërsisht po përplasen interesat partiake të VV-së me PSD-në, tregojnë qartazi se përpjekjet politike për të menaxhuar me ndërmarrjet publike nuk kanë për synim ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarë, por së pari, krijimin e infrastrukturës njerëzore partiake, e cila më vonë do ta luajë rolin e inxhinieringut partiak.

Kjo e bën Ndërmarrjen Banesore në Ndërmarrje të Interesit Banesor. Ndryshe nuk mund të shpjegohet konflikti i hapur atje, fatkeqësisht jo në këtë kohë, por që prej vitit 1999.

Në fakt, VV-ja dhe PSD-ja vetëm kanë trashëguar një praktikë të etabluar tashmë në veprimet e partive politike, të cilat me ta marrë pushtetin synojnë kontrollin e ndërmarrjeve publike. Këtë e bëjnë nëpërmjet bordeve, duke i shndërruar ndërmarrjet në fabrika për punësimin e partizanëve partiakë. Kusuritje klasike për aktivitetin partiak gjatë fushatave zgjedhore, apo gjatë konsolidimit të subjekteve në terren.

Pra, asnjë ndryshim përmbajtjesor ndërmjet subjekteve, përpos akronimeve të tyre.

Ndeshja e VV-së me PSD-në për kontroll në NPB nuk po ndodh për ta stabilizuar ndërmarrjen, apo transformuar atë, por thjesht për ta kontrolluar për interesin e partisë.

Një raport i organizatës joqeveritare “Developing Together”, ka bërë të ditur se janë 400 objekte afariste, teksa vlera e patundshmërive arrin koston e 164 milionë eurove.

Megjithatë, organizata nuk ka një regjistrim të pasurisë së përgjithshme të saj, sikurse ka disa lokale të saj me modelin e qirasë mbi qira (qiraxhiu i kontraktuar nga NPB-ja ia jep me qira një pale të tretë me çmim më të lartë).

Pra, po shihet se NPB-ja është ndërmarrje që peshon, ndaj konflikti politik që po ndodh për të është i po të njëjtës peshë. Sepse realisht ta kontrollosh Ndërmarrjen Banesore, do të thotë t`i kontrollosh më se 220 objekte banesore të vjetra të Prishtinës dhe pothuajse edhe dy herë kaq të ndërtuara pas luftës. Nominalisht i bie ta kesh në kontroll gjithë Prishtinën.

Edhe Rrustemi: PDK-ja po e pengon çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes Arbëri 3 j. më parë Rrustemi: PDK-ja po e pengon çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes

Kjo ndërmarrje aktualisht është treguesi më i mirë sesi funksionon shteti dhe shoqëria kosovare në përgjithësi. Me një kaotizëm të paparë, kjo ndërmarrje ka arritur pjesërisht të fusë nën sistem menaxhimi një pjesë të ndërtesave në kryeqytet, por ekskluzivisht për marketing politik. Sikur ta kishte njëmend, natyrisht se ajo do të ngarkohej për mirëmbajtjen e të gjitha banesave të Prishtinës, duke krijuar një bilanc pozitiv të afarizmit dhe duke mbushur edhe më arkën e Komunës së Prishtinës. Por duke shërbyer si arenë e përplasjeve ndërpartiake, NPB-ja vazhdon të mbetet me dy zot shtëpie. Si e tillë ajo është vetëm Ndërmarrje Politike Banesore, porse në asnjë mënyrë Publike.

Pretendentët për ta marrë timonin e saj janë të preokupuar për dominim politik, porse jo për të krijuar modelin e një ndërmarrjeje publike, e cila nuk merret me politikë, por me lehtësimin e jetës së banorëve që jetojnë në ndërtesa të banimit kolektiv.

Për më tepër, logjikë dhe situatë e njëjtë mbretëron pothuajse edhe në të gjitha ndërmarrjet e tjera publike të Prishtinës. Për afro tre vjet, kontesti ndërmjet LDK-së e VV-së për timonin e kompanisë “Pastrimi”, nxori fituese të parën. Kjo kompani ende udhëhiqet nga njeriu i LDK-së.

Ndërkaq bastionet e fundit të ndërmarrjeve publike, të cilat i ka marrë nën menaxhim qeverisja aktuale në Prishtinë janë Stacioni i Autobusëve dhe Trafiku Urban, në të cilat pati dorëheqje e shkarkime të kuadrove të PDK-së e LDK-së.

Në këtë kontekst, pushteti aktual në Prishtinë po e harxhon edhe mandatin e dytë pa arritur t`i stabilizojë ndërmarrjet publike. Tash edhe më keq, ngase ndarja e VV-së ka shkaktuar polarizim edhe më të madh ndërmjet ish-bashkëpartiakëve, të cilët inatet nga zhvillimet brenda subjektit të tyre po përpiqen t`i shprehin në këto relacione. Sikurse edhe zhvillimet e paradomuajshme në VV, diskutimi për problemet në NPB vazhdon të zhvillohet me një diskurs infantil të stilit “ky tha”, apo “ai tha”. Në fakt askush asgjë nuk po thotë. Sepse qytetarët nuk janë të interesuar për inflacion fjalësh, por për veprime konkrete, të dallueshme prej pushteteve pararendëse që lehtësojnë jetën e tyre. Arsyetimet për trashëgim të problemeve nga ish-pushtetet vetëm sa qesin në pah paaftësinë për t`u marrë me zgjidhjen e problemeve. Prishtina nuk ka kohë të presë edhe tre vjet të tjerë arsyetimet e pushtetit, teksa qytetarët nuk kanë pse të kënaqen me disa ndryshime simbolike, të cilat shumë po ngjajnë në iluzion optik sesa në diçka që vërtet e bën dallimin.

Në Prishtinën me një kryetar, dy nënkryetar dhe një në ardhje e sipër, vlugu i punëve është minimal.

Prishtina dhe banorët e saj po presin. Jo nga qëndrimet e shfaqura në rrjete sociale, por në Lagjen e Spitalit, te “Vreshtat”, në “Sofali”, lagjen “Janina”, “Emshir”, “Velani”...

Ditë më parë Erion Veliaj mori çmim për sheshin “Skëndërbe”, si hapësirë publike e mirë rregulluar, teksa në Prishtinë nën erën e kanalizimit, u pre shiriti i një qendre tregtare në kryeqytet.

Edhe Kolumne 1 muaj më parë Nën flamurin e ambicies

Prishtina ka nevojë për një menaxhim dinamik e kreativ që e vë në garë me Shkupin, Zagrebin e Tiranën, por jo me Malishevën, Drenasin, Skenderajn, Parteshin, Junikun, apo Hanin e Elezit.

[email protected]