OpEd

(S)bashkimi i PISA-ve

Për grevën e mësimdhënësve dhe të gjitha PISA-t e Kosovës

Mësuesit e Kosovës nuk kanë nevojë për një Sindikatë që nuk gëzon kredibilitet publik. Prej kohësh, SBASHK-u më shumë ngjason me një organizim biznesi, sesa me një grupim që ka për synim mbrojtjen e interesave të mësuesve.

Tashmë, të perfeksionuar për shantazh, kjo sindikatë e ka shndërruar grevën në njëfarë disipline shkollore në secilin gjysmëvjetor.

Paaftësia për negocim me secilën Qeveri duhet t’i faturohet kreut të Sindikatës, ndaj ajo ka nevojë për një strukturë tjetër drejtuese, e cila përveç grevës ka potencial negociues.

Në këtë kontekst, SBASHK-u do të duhej përpara grevës të bënte llogarinë për orët e humbura ndër vite nga grevat sikurse kjo. Greva është vetëm një nga format e kundërshtimit sindikal. Porse me grevat disa-orëshe e disaditëshe, kjo sindikatë ka matur peshën e vet reale.

Çuditërisht, çështja e pagave asnjëherë nuk është tematizuar përpara fillimit të vitit shkollor. Kujtesa regjistron vetëm kërcënimet e kësaj sindikate kur afrohet viti i ri shkollor, porse asnjë përpjekje serioze që kjo e drejtë të arrihet me një qasje tjetër që do të shkonte në favor të tyre dhe jo në dëm të nxënësve. Sigurisht që argumenti i tyre do të jetë se i kanë provuar të gjitha mjetet sindikale, porse të kesh pas vetes një armatë prej 30 mijë mësuesish e të mos mund ta realizosh kërkesën për rritje pagash, problemin duhet parë te drejtuesit e saj. Në kuptimin nominal, mësimdhënësit përbëjnë një masë njerëzish të barasvlershme me një subjekt politik. Atëherë, pse me kaq pak ndikim në çështjet që kanë të bëjnë me ta. Kjo, ngase Sindikata, nuk pati pothuajse asnjëherë në krye të saj drejtues të shkathtë në negociata me autoritetet qeveritare, ndaj zakonisht greva mbeti si opsion i vetëm.

Edhe më keq kur dihet fakti se kjo sindikatë dhe këta mësues, shumica syresh nuk hezituan të hanë darka politike me liderë partiakë gjatë fushatave zgjedhore dhe gjithnjë të mbeten jashtë fokusit të tyre, kur ata morën timonin e pushtetit.

Kjo votë e lirë ua dogji buzët tërë kohën, siç ua dogji edhe mundësinë që në tavolinë dhe jo me nxënës ta realizojnë të drejtën e tyre për paga më të larta.

Rrjedhimisht, greva e së premtes ishte sa anakronike po aq absurde. Teksa çështja është në Kushtetuese, përpjekja e tyre për presion ndaj Qeverisë është veç për ta mbrojtur kreun e SBASHK-ut. Për faktin se aktualisht vendi nuk ka Qeveri dhe së dyti Kushtetuesja ka pezulluar Ligjin për paga deri më 30 mars 2020.

Greva dy-orëshe sigurisht që nuk ka prodhuar asnjë efekt, përpos dëmit ndaj nxënësve, të cilët në kalendarin e orëve të humbura do t’i kenë dy më shumë.

Mbase, në marsin e adhuruar ndër ne, kjo sindikatë sërish do të mund ta ftojë një grevë tjetër, me epilog të panjohur. Por zor të na bie të dëgjojmë që kjo sindikatë të ftojë ndonjë grevë për kushte më të mira pune apo zgjerim të hapësirave shkollore.

Megjithatë, ndonëse nuk foli për PISA-n, në vitin 2016, kjo sindikatë pati grumbulluar 15 mijë nënshkrime kundër paralajmërimit të Ministrisë së Arsimit për vlerësim të njohurive të mësimdhënësve. Në skaner, nga tetori i vjetëm, kanë kaluar më shumë se 400 mësimdhënës kosovarë nga 22.714 sa ka i tërë sistemi arsimor. Por ama rezultatet e këtij PISA testit ndonëse nuk dihen, është afërmendsh se do t`i nxjerrin mësuesit në nivel. Kjo për faktin se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve përfshin vetëvlerësimin e mësimdhënësit, ku ata vlerësohen me 10% apo 14 pikë, vlerësimi nga drejtori i shkollës 30% apo 42 pikë, vëzhgimi i orës mësimore 30% apo 42 pikë dhe planifikimi dhe përgatitja me shkrim 30% ose 42 pikë.

Nga ky mekanizëm i brendshëm vlerësimi, natyrisht se nuk priten rezultate negative. Askush me askënd nuk do të krijojë konflikt, ndaj ky vlerësim më shumë do të ketë karakter solidariteti ndërmjet drejtorëve e mësuesve, sesa shpërfaqje të gjendjes reale.

Prandaj, problemi i arsimit kosovar nuk është vetëm PISA për nxënësit, por edhe ajo për mësuesit.

Mospjesëmarrja e disa shkollave të kryeqytetit në grevë, dëshmon se një pjesë e mësimdhënësve, megjithatë, kanë vendosur të mos bëhen pjesë e obstruksioneve sindikale me sfond politik.

Mësuesit kanë të drejtë për paga më të mëdha, po aq sa duhet të kenë guxim për të bërë më shumë në angazhimin e tyre. Nëse në testin PISA nxënësit nuk kanë ditë ta llogarisin vëllimin, kjo duhet të jetë shqetësuese për SBASHK-un si organizim që mbledh mësuesit.
Derisa nxënësit nga shkollat publike ndjekin kurse me pagesë për ta forcuar dijen në matematikë, gjuhë angleze apo gjermane në vend se këtë dije ta marrin me orë shtesë në shkollë, greva është veç mbulesë e ngecjeve serioze në angazhimin e mësuesve.

Dështimi në sistemin arsimor të Kosovës ka ndodhur përpara PISA-s. Testi i arritshmërisë ka sprovuar vazhdimisht dijen e nxënësve kosovarë, të cilët u përpoqën të nxirren nga injoranca me vjedhje testesh e me vendime politike.
Filozofia Jeanne Hersch thotë se habia është aftësia për të pyetur për diçka që na pengon ta shohim dhe ta kuptojmë botën në çast!

Sipas testit PISA për vitin 2018, nxënësit kosovarë nuk e kanë të zhvilluar as habinë e as aftësinë për të bërë pyetje.

Ngecjet në test, sipas të dhënave jopublike, janë të natyrës logjike. Ndaj është mirë që autoritetet arsimore ta shqyrtojnë idenë që lënda e logjikës të mësohet që nga klasa e parë. Përveç të kuptuarit të esencës, do të mund ta zhvillojnë edhe mendimin kreativ, një mungesë enorme e shkollës kosovare. E në këtë vazhdë, kush s’e ka që një modul për empatinë të bëhet pjesë e kurrikulës së Edukatës Qytetare. Modeli danez i lëndës së empatisë vë në qendër diskutimin, i cili synon zgjidhjen e problemeve të nxënësve me dëgjim dhe mirëkuptim.

Por, fatkeqësisht ky mendim kreativ mungon te zyrtarët arsimorë. Duke dërdëllitur për politikat arsimore, dokumentet e librat anakronikë, të zhytur në burokracinë e pushtetit, ata vazhdojnë të përdorin referenca të tejkaluara të tipit “shtet i dalë nga lufta”, apo “shtet i ri”.

Rangimi i Kosovës në listën e PISA-s, në vendin e 69-të, nuk është as i papritur e as i habitshëm. Tre vjet më parë, Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim (DVSM) në kuadër të Ministrisë së Arsimit (MASHT), bazuar në vlerësimin e nxënësve me testin e klasës së pestë nga vitet e përparshme, ka vlerësuar dijen e nxënësve në gjuhën amtare (shqipe) me notën 3.

Sipas rezultateve që maten me indeksin e mesatares së OECD-së, nxënësit kosovarë në testin PISA 2018 kanë arritur 353 pikë në lexim.
Derisa problem kryesor mbetet leximi, çfarëdo përpjekje për ndryshim të cilësisë në arsim mbetet projeksion i dëshirës.

Pra, t’i kthehemi Abetares!

Nuk ka kush që i shpëton mësuesit nga përgjegjësia për këtë nivel zibidi të nxënësve. Siç nuk do ta shpëtojë SBASHK-un greva!

Një ditë pagat edhe do të rriten, por çështja është nëse një ditë do të rritet cilësia e mësimdhënies në shkolla...?!

[email protected]