Një fjali e gjatë për kandidatët e Prishtinës
Më thotë se po quhet “Aktash” kjo lagje tash dhe mund të jetë fare lehtë që të gjithë të tjerët që nuk jemi si unë dhe ai, të lindur në qytet, ta marrin si të mirëqenë këtë emër, por ne e dimë se si quhet, sepse kemi ecur këtyre rrugëve verës dhe dimrit, e dimrit në veçanti ka qenë vështirë, sepse të gjithë dimrat e kaluar, në të gjitha vendet ku ka rënë borë, ishin më të ftohtë, sepse ne ishim fëmijë e të vegjëlve i ftohti i atëhershëm ishte më i ftohtë, ndërtesat ishin më të mëdha dhe çdo kajsi e domate ishte më e shijshme, këtë e dimë me siguri unë dhe miku im që po ngjitemi rrugës përpjetë kah Përmendorja, se aty tek emri dallon kush është i lindur këtu e kush jo, sepse nuk i thotë kush te Përmendorja, por tash kanë filluar ta quajnë te varri i Rugovës e disa të tjerë te varri i Demaçit, derisa të dalë ndonjë pikë reference, ndonjë hotel i madh, qendër zbavitjeje, ndërtesë shumëkatëshe, që do të jetë çudia arkitektonike e radhës të marrë e gjithë lagjja emrin sipas saj, si kur u kthye Ali Dybeshi prej shkuarjeve në Itali me disa prej djemve të kësaj lagjeje e disa prej Kacallarëve, atje ku punonin disa punë që nuk bën të përmenden në publik, por që kanë qenë bukur më të padëmshme se shumë të tjerat që u bënë më vonë nga ata që merreshin me të bardhë apo me disa prej atyre që erdhën paslufte e u bënë pushtet dhe merreshin me çdo të zezë, se pastaj lagjja u bë e njohur si te Kafja e Dybeshit, mbante turshi të mira dhe besonte se ka mish të mirë, por nuk kishte kush ta vërtetonte këtë punë, se të gjithë që shkonin te Dybeshi ishin aty pasi mbylleshin të gjitha lokalet e tjera dhe ngase Dybeshi mund ta ketë pasur ndonjë rrëfim prej Italisë që duhet treguar apo ritreguar, rrëfime që i mori më vonë me vete në det atëherë kur u fundos ajo anija që u nis prej Vlorës për në Brindisi dhe kur valët nxorën në breg asgjë tjetër prej Ali Dybeshit pos letërnjoftimit të tij, të KSA të Kosovës, ende shkruante shqip në të apo kështu dukej në incizimin që e jepte Euronews, se nuk doli në ndonjë televizion tjetër e ndoshta mund të ketë dalë, por ne kaq kishim mundësi të shihnim në TV, ishin kohë kur u bënë disa vjet prejse ishte mbyllur me dhunë televizioni i Prishtinës, në gjuhën shqipe fliste Hajrije Spikerica për gjithsej gjysmë ore, më pak fliste shqip Hajrije Spikerica se Radio Pekini, por për Radio Pekinin nuk kishte dëgjuar kush, sepse ishte koha e antenave satelitore dhe koha kur TV në gjuhën serbe vendosi se duhej të kombinonte të gjitha ato rrëfime të pornografisë politike që mbulonin të ashtuquajturin program informativ me pornografinë jopolitike, atë që në Perëndim etiketohej me XXX, por këtu nuk kishte nevojë për etiketa, sepse të gjitha ishin të lejuara prej momentit kur u lejua vrasja e fëmijëve, turpi nuk kishte nevojë për ndonjë shenjë të veçantë dhe këtë e dinte edhe Bata kur e çeli shtëpinë e vet publike te Parku, së paku u përpoq të kishte arsyetimin se ai në fakt po institucionalizonte diçka që bëhej fshehtas aty përballë te Parku, apo se ishte më pak turp çka bëhej tek ai nën dritat e kuqe se çka bëhej gjithandej, se kishin filluar luftërat e çdo gjë është më pak jomorale se lufta apo se ky ishte i vetmi vend ku vinin edhe shqiptarët e serbët pa ndonjë diskriminim, sepse prostitucioni nuk bën dallime siç bën politika, por në fund edhe bota u dorëzua, sepse pati një ofertë më të mirë dhe e shndërroi lokalin në një lloj hoteli të tipit të mbyllur për diplomatët që kuptonin të kaluarën e këtij vendi vetëm kur mbërrinin për të fjetur në dhomat rozë me perde zemrash dhe pasqyrë në tavan, një moment përfundimtar ballafaqimi me veten pas një dite të gjatë ballafaqimi me realitetin e Prishtinës dhe të kësaj lagjeje me shumicë dërrmuese shqiptare, me çdo shtëpi që kishte një rrëfim të vetin për të treguar, por që nuk kishte kush të dëgjonte, sepse nuk kishte aq shumë diplomatë sa kishin halle këta njerëz e çdonjëri prej tyre mendonte se halli i tij është më i madh se ai i tjetrit, që të gjitha të rrëfyera pashmangshëm te Furra e Kacallarëve, ku mblidheshin çdo mëngjes për të këmbyer informata sepse, siç dihej, nga të gjithë ata vetëm informatat që këmbehen mes njerëzve që njihen mes vete janë për të besuar, se kjo gjë u pa edhe gjatë bombardimeve kur radiot e televizionet e huaja tregonin sa bomba janë hedhur, por vetëm te furra mund të kuptoje se kush prej shqiptarëve është vrarë dhe jo prej bombave, por prej policëve e ushtarëve dhe nga furra ktheheshin me bukën ende më të mirë të misrit që është bërë ndonjëherë, sepse asnjë gjë nuk është e shijshme sa ato që fillon të jesh i vetëdijshëm që vlejnë, sikur jeta a ndihma, a kujdesi familjar, a një fjalë e mirë, a shpresa se do të bëhet më mirë, a buka e misrit e Kacallarëve, ajo që nuk blihej në Ramazan, sepse nga aty dilnin pitalkat më të mira, madje edhe kur nuk ishte Ramazan ishin të mira ato që bëheshin gati për qebaptoret e mëhallës që fillonin të ngrohnin skarën prej pesë e diçka të mëngjesit, kur rrugës nga Përmendorja poshtë ndiheshin gjithnjë e më shumë hapat e njerëzve që niseshin për në punë dhe pak më vonë e shokëve tanë që niseshin për në shkollë, gjithnjë me këpucë pak më të baltosura se ne, shenjë e pashmangshme e të qenit pjesë e Lagjes së Muhaxherëve, aty ku pleqtë dinin të flisnin për mëngjesin e një dite të vitit 1878, kur familja u desh të bëhej gati që brenda një ore të braktiste shtëpinë e të nisej për Kosovë, aty ku fëmijët harronin rrëfimet e pleqve çdo ditë të dimrit me akull, sepse ishte pjesa më e mirë e qytetit për t’u lëshuar me saja dhe aty ku shoku im dhe unë në të hyrë të mëhallës dinim se kishim hyrë në një territor të veçantë nga i cili dalloheshim me tisin e lehtë të diferencës së ardhjes së familjeve tona në qytet, të faktit se prindërit tanë kishin ardhur prej viseve të tjera të Kosovës, nuk ishin teknikisht muhaxherë, edhe pse që të gjithë ne në qytet disi kishim ardhur prej dikah, vetëm prishtinasit nuk kishin ardhur prej kurrkund, ata kishin shkuar, nuk kishin mbetur pothuajse të këtillë këtu dhe çdoherë më bie në mend ndonjë prej atyre që i dija për prishtinali para zgjedhjeve komunale, sikur tash me këto që mbahen në tetor e kur Prishtina duhet të zgjedhë një kryetar komune, ndoshta ndonjë që mund të kuptojë se ky qytet si çdo tjetër është rrëfim dhe se ti duhet të bëhesh kryerrëfimtar e jo ndërprerës i rrëfimeve apo heshtës i tyre.