OpEd

Republika e rrugës së rakisë

Një rrëfim për “2 Korrikun” dhe “7 Shtatorin”

1.

Google Earth më thotë që rruga është e gjatë 58.48 metra; le të themi se i ka gjashtëdhjetë.
Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar quhej “Rruga e Mostarit”. Në fakt atëherë ishte “Mostarska” e pak më vonë, kur ra Rankoviqi nga pushteti, rrugët u bënë edhe shqip dhe quhej rruga “Mostari”. Nuk di a u ndërrua emri i rrugës kur Serbia zhbëri me dhunë sistemin kushtetues të Kosovës dhe e okupoi. Atëbotë nëpër qendër të qytetit kalonte i dehur e i përcjellë me muzikë trumbetash e tupanësh, aso të orkestrave për dasmë e varrime, drejtori i dhunshëm i “Grandit”, që jepte propozime gjithandej për ndryshim emrash të rrugëve e institucioneve dhe që në fund të një dite të gjatë muzike, rakie e inspirimi politik ishte mrekulluar me veten, gjenialitetin e idesë së vënies së mbishkrimit në recepsion të hotelit “U ndalohet hyrja kroatëve, qenve dhe shqiptarëve”.

Atëbotë në rrugë ishin hapur Kryqi i Kuq (ICRC) dhe Martini. Ishin si dy lajmëtarë të muajve e viteve intensive para nesh. Prania e ICRC-së ishte shenjë e luftërave të nisura, të paralajmëruara apo të papërfunduara; aso që lënë pas vetes qindra e qindra fotografi me të cilat paraqiten familjarët te zyrat e Kryqit të Kuq së bashku me një rrëfim që përfundon me “... dhe prej atij momenti nuk dimë më për të”. 

Martini ishte aty për qofte dhe raki të lirë, një magnet për bohemët e qytetit dhe aspirantët për t’u bërë bohemë, me apo pa shkrim poezi, njohuri kënge apo profesioni të dikurshëm profesorial.
Dita fillonte me nisjen e xhipave të bardhë të ICRC-së për në terrene lufte dhe përfundonte me lajmet e fundit që i jepte mysafiri i raundit të fundit të rakisë te Martini.

2.

Pas lufte nga aty iku ICRC-ja. Mori me vete sytë, të cilët shikojnë drejt nga fotografia e letërnjoftimit, indeksit të fakultetit, shërbimit ushtarak a dasmës së fundit dhe rrëfimin e familjarëve që përfundon me “...dhe prej atij momenti nuk dimë më për të”. 

Martinit iu bashkuan kolegë të tjerë, në mesin e të cilëve Afrim Roboti (si në “kush o ma i forti? Afrim Roboti”). Ai spikatej nga pastërtia (veçori jo gjithandej e njohur në ambientet e kafeve të rakisë), një recetë të vjetër të “qofteve të gjuetisë” që thuhej se i kishte sjellë Nëna nga kuzhina e Mareshal Titos dhe lëngun më të mirë të rasojit në atë rrugë e më gjerë, gjë që nuk ishte e vështirë, ngase me të vërtetë ishte i mirë e edhe po të mos ishte nuk e shërbente ndonjë kafe tjetër.

Rruga u gropua e zhgropua dy herë. Të dy herët vunë dhe nxorën gypa të mëdhenj. Herën e parë thanë se kjo duhej bërë, ngase gypat kishin mbetur nga socializmi. Herën e dytë  thanë se gypat që zëvendësuan ato të socializmit ishin më të këqij dhe se duheshin zëvendësuar me më të mirë. 
Që të dy herët Martini me shokë vazhduan të punonin ndërsa rruga ishte e hapur disa metra thellë. Në mbrëmje në tavolina ndizeshin qirinjtë, më shumë pse shkonin dritat e pak edhe për atmosferë; klientëve të disponuar për vetërrëfim romantik u dukej se ishin të ulur buzë një kanali.

Ndoshta atëherë, ndërsa rregullohej rruga autoritetet komunale ia vunë edhe emrin. E quajtën “2 Korriku”

3.

Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese të mëvetësisë së saj. Atë ditë shumica e delegatëve të institucionit më të lartë përfaqësues, me rrezik personal dhe në rrethana të rrethimit policor e ushtarak të Serbisë, adoptuan aktin më të lartë juridik që kishte bërë ndonjëherë Kosova. Në rrëfimin politik e juridik të shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëtarëve të kombeve që e kanë përkrahur emancipimin e  saj ekziston një vazhdimësi evoluimi prej Konferencës së Bujanit më 1943-1944 , tek amendamentet kushtetuese të vitit 1968 , te Kushtetuta e Kosovës së 1974-s dhe te Deklarata Kushtetuese e vitit 1990. I tërë ky evoluim ishte pjesë e dosjes, e cila u trajtua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ku në vitin 2010 u përcaktua se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkonte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Më 2 korrik të atij viti delegatët paralajmëruan nxjerrjen e Kushtetutës së re. Më 7 shtator të atij viti, pra para 35 vjetësh, delegatët e Kuvendit të Kosovës të mbledhur në Kaçanik adoptuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Që nga ai moment delegatët u detyruan të dilnin nga Kosova dhe të operonin në ekzil. 

E gjeta rrugën “7 Shtatori” në “Google Earth”. Ishte diku prapa parkut të “Dragodanit”. Fillonte si rrugë qorre dhe përfundonte te varrezat. Ose, bën edhe ndryshe. Fillonte te varrezat dhe përfundonte si rrugë qorre. 

(Ishte gati dhjetë herë më e gjatë se “2 Korriku”, ndoshta pse edhe Kushtetuta ishte më e gjatë se Deklarata Kushtetuese)

4.

Pashë tabelën “Te Martini” ngjit me atë “2 Korriku”, mbase si shenjë e një parafushate zgjedhore. Mund të ndodhë, me analogji, që te “7 Shtatori” të vihet tabela “Te varrezat”. 

Kështu ndoshta edhe përmbyllet rrëfimi i shkurtër, i rrufeshëm dhe shpërfillës për mënyrën se si historia në të cilën kur nuk merr pjesë në histori një gjeneratë politike, ajo udhëzon detyrimisht të kaluarën ta gjejë veten e vendin diku mes rrugës së kafeve të rakisë dhe rrugës që fillon si qorre e përfundon në varreza. Apo anasjelltas.