OpEd

Ra kjo pandemi e u pamë

Disa sqarime ligjore që do të duhej të ishin të panevojshme

Pandemia e koronavirusit është duke pasur ndikim të madh në shëndetin publik, ekonomik, shoqëror dhe politik në të gjithë botën duke ndikuar në të gjitha fushat e jetës sonë, nisur nga shëndeti fizik dhe mendor, deri te siguria në punë, strehimi dhe jeta familjare.

Gati të gjitha vendet e Evropës kanë ndërmarrë masa, të cilat në një mënyrë ose tjetër janë të ashpra, por në përputhje me seriozitetin e pandemisë, dhe në linjë me respektimin e të drejtës për jetë - e cila duhet kujtuar që është e drejtë absolute.

Ndërkaq në Kosovë masat e para për menaxhimin sa më të mirë të kësaj pandemie u morën me formimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID-19. Më pas u formua grupi punues për hartimin e planit për gatishmëri dhe reagim për koronavirusin. Qeveria tutje aprovoi planin për gatishmëri dhe reagim për COVID-19 dhe planin e veprimit, si dhe aprovoi kërkesën e MSh-së për ndërmarrjen e masave si: ndërprerja e procesit edukativo-arsimor; pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit etj.

Më tej, Qeveria aprovoi themelimin e komisionit të posaçëm për parandalim të infeksionit të COVID/19. Komisioni në vazhdimësi ka kryer detyrat e veta në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Shëndetësisë. Më 15 mars 2020 është shpallur gjendja e emergjencës për shëndetin publik.

Më datën 23 mars 2020 u mor vendimi 01/15 nga Qeveria e Kosovës, në të cilin u përcaktuan masat për qarkullimin e qytetarëve dhe ndalimin e tubimeve në të gjitha mjediset private dhe publike.

Është pikërisht ky vendim që zgjoi diskutimet më të mëdha publike, duke bërë kështu që deri në një masë të harrojmë se cila është sfida e vërtetë para nesh të cilën duhet adresuar.

Në po të njëjtën ditë të vendimit të marrë presidenti i vendit bëri thirrje publike për mosrespektimin e tij nën pretendimin se vendimi në fjalë është kundërkushtetues për shkak të kufizimit të lirisë së lëvizjes. Debat i ashpër në vend u zhvillua në mes të juristëve dhe jojuristëve në lidhje me atë se a lejohet kufizimi i lirisë së lëvizjes pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Presidenti me thirrjen e tij për mosrespektim krijoi panik në popull, por njashtu edhe konfuzion marrë parasysh se qytetarët nuk e kishin të qartë se çka po ndodhte. Në njërën anë Qeveria ishte duke vepruar si rezultat i rekomandimeve direkte të Institutit të Shëndetit Publik në vend, për të menaxhuar krizën dhe për të mos lejuar situatën të përshkallëzonte, dhe, në anën tjetër, presidenti bënte thirrje për injorim të këtyre masave, rrjedhimisht mosrespektim të rekomandimeve të IKShPK-së. Në një situatë të tillë, kur qytetarët marrin udhëzime të ndryshme nga Qeveria dhe Presidenca, krijohet hutim në lidhje me atë se çka duhet bërë e si duhet vepruar, sepse gjenden para dy autoriteteve, të cilat u japin direktiva të ndryshme, me gjithë faktin që njëri prej tyre s'ka asnjë kompetencë ta bëjë një gjë të tillë.

Megjithatë, presidenti nuk u mjaftua me thirrjen për mosrespektim të këtij vendimi, por e dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit 01/15. Një veprim jo i duhur ky për të sfiduar Qeverinë dhe kryeministrin në kohën kur të gjitha vendet dhe institucionet në botë janë bërë bashkë për të luftuar pandeminë si armik i përbashkët.

Çështja që ngriti presidenti në kohën kur të gjithë po merrnin vendime për të izoluar e karantinuar qytetarët ishte nëse Qeveria guxon të bëjë kufizimin e lirisë së lëvizjes pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Megjithatë, përkundër faktit që Gjykata e pranon kërkesën e presidentit, ajo në meritat e rastit e bën të qartë se: "Për sa i takon aplikueshmërisë së nenit 56 të Kushtetutës, Gjykata: (i) pajtohet me konstatimin e Qeverisë që ky nen nuk gjen aplikim në rrethanat e rastit konkret; dhe (ii) nuk pajtohet me pretendimin e presidentit që kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. E vërteta është se, siç do të shpjegohet më tutje, kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit, por kjo nuk do të thotë që kufizimi i të drejtave mund të bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kufizimi të drejtave dhe lirive të njeriut, për aq sa është në pajtim me Kushtetutën, mund të bëhet edhe pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme."

Duhet qartësuar se Gjykata në aktgjykimin e saj nuk e ka prekur vendimin për sa u përket katër kritereve të vlerësimit të kushtetutshmërisë së kufizimeve të të drejtave të njeriut:

a. qëllimi legjitim

b. domosdoshmëria në një shoqëri demokratike

c. proporcionaliteti

d. moscenimi i esencës së të drejtave të njeriut.

Madje, Gjykata ka theksuar shprehimisht se: "nevoja për të ndërmarrë masa dhe domosdoshmëria e tyre nuk është kontestuar nga asnjë palë në këtë rast. Përcaktimi i politikave rreth shëndetit publik nuk hyn në kompetencat dhe autorizimet e Gjykatës Kushtetuese. Për çështje të shëndetit publik, edhe vetë Gjykata Kushtetuese u referohet dhe u bindet institucioneve përkatëse shëndetësore dhe profesionale në nivel shtetëror dhe botëror".

Në Aktgjykimin e saj Gjykata në asnjë moment nuk ka kontestuar legjitimitetin e masave të marra për të parandaluar shpërndarjen më të madhe të virusit COVID-19. Ajo ndër të tjera ka konstatuar që të njëjtat vendime do të duhej të merreshin nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjykata në këtë aktgjykim ka dhënë hapësirë dyjavore deri në marrjen e masave të reja. Më datën 13 prill, pikërisht atëherë kur Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese do të hynte në fuqi, Qeveria ka shfuqizuar Vendimin 01/15 dhe menjëherë Ministria e Shëndetësisë në përputhje me këtë aktgjykim ka vazhduar menaxhimin e situatës me COVID-19.

Masat e reja të marra nga Ministria e Shëndetësisë që vijnë si rezultat direkt i rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës janë qartazi në përputhje me kriteret kushtetuese të shpallura në rastin e fundit (nr. KO54/20). Kjo sqarohet shumë lehtë nëse lexojmë atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, Ligji dhe IKShPK-ja, si më poshtë:

(1) Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese: "Ministria e Shëndetësisë... vazhdon të jetë e autorizuar që të nxjerrë vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë, për aq sa është e autorizuar përmes Ligjit nr. 02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse".

(2) Ligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse (neni 41.2): "Ministria e Shëndetësisë ... përcakton masat e posaçme të jashtëzakonshme për mbrojtje nga sëmundje ngjitëse: ... Ndalimi i qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtpërsëdrejti të rrezikuara"

(3) Konstatimi i IKShPK-së: "të gjitha komunat konsiderohen të infektuara ose drejtpërdrejt të rrezikuara nga përhapja e infeksionit COVID-19".

Ministria e Shëndetësisë është e autorizuar sipas Gjykatës Kushtetuese të ndalojë qarkullimin (plotësisht apo pjesërisht) në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Pikërisht këtë e ka bërë Ministria e Shëndetësisë me vendimet e saj të datës 14 prill 2020. As më pak, as më shumë.

Është e vërtetë që Kosova nuk ka një ligj specifik për COVID-19, por qëndrimet se kufizimet e lëvizjes janë bërë pa ligj nuk qëndrojnë, marrë parasysh që ekziston Ligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Ky ligj shprehimisht rregullon edhe mundësinë e kufizimit të lëvizjes, siç kam specifikuar më lart (ndër të tjera).

Vendet e tjera kanë marrë masa edhe më rigoroze, shih shembullin e Francës ta zëmë, e cila lejon veç një orë daljeje në ditë për ushtrime fizike.

Shtete të tjera në Evropë si Belgjika janë bërë bashkë për të tejkaluar dallimet politike dhe për t'u bashkuar në luftën e përbashkët kundër COVID-19.

Ndërkaq ne, një shtet me sistem gati të rrënuar të shëndetësisë, kemi kaluar kohën më të madhe duke u marrë me çështje ligjore sesa me çështje shëndetësore. Një sfidë e panevojshme që harxhonte energjinë e qeverisë duke u marrë me konfuzionin e krijuar nga thirrjet politike të bëra prej 23 marsit e tutje. Pra, në kohën kur kërkohej solidaritet dhe mbështetje nga qytetarët për ta bërë punën e qeverisë më të lehtë, u hap luftë ndaj qeverisë nga institucionet e ndryshme për ta bërë punën e qeverisë më të vështirë.

Në tri javët më kritike të betejës kundër COVID-19, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë pasur të pamundur të koncentrojnë 100% kapacitetin e tyre në luftimin e COVID-19, meqenëse është dashur të prisnin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të marrë vesh se sa hapësirë juridike kishin për të vepruar, dhe për të analizuar se në cilën mënyrë mundeshin njëkohësisht të vazhdonin masat parandaluese në njërën anë, dhe të respektonin në tërësi Gjykatën Kushtetuese, në anën tjetër.

Kjo është situatë e re për shtetin tonë dhe si e tillë vjen edhe me të panjohura. Megjithatë, është e trishtueshme të shihet që në një momentum të tillë kur të gjithë duhet të bëhemi bashkë kundër COVID-19, ka të tillë që tregojnë gatishmëri për të kënaqur apetitet e tyre politike duke krijuar paqartësi, të cilat në aspektin ligjor dhe kushtetues janë (ose të paktën do të duhej të ishin) më se të qarta.

(Autorja është këshilltare ligjore e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti)