Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Qeverisja e shëndetit global nga rrënjët

Politikëbërësit nuk duhet ta neglizhojnë përkujdesjen shëndetësore në nivelin lokal. Për t’u përgatitur më mirë për pandemitë e ardhshme, modelet tona nga lart-poshtë dhe marrëveshjet duhet t’i formësojnë përgjigjet që janë të bazuara fuqimisht te komunitetet lokale dhe te vlera e angazhimit, pronësia e rrezikut dhe shqetësimet e tyre

Asambleja Globale e Shëndetësisë u takua javën e shkuar midis një mori propozimesh – më së fundi nga Paneli i Pavarur i Kombeve të Bashkuara për Gatishmëri dhe Përgjigje ndaj Pandemive – për krijimin e rregullave më të ashpra dhe të zbatueshme globle rreth luftimit të shpërthimeve në të ardhmen të sëmundjeve infektive. Traktati i ri global për pandemi, institucionet më të fuqishme dhe të pavarura ndërkombëtare, si dhe një trup ndërkombëtar i financimit për pandemi janë të gjitha një përzierje. Por strategjia parësore duhet të jetë më e mirë.

Një rishikim i veçantë nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë fillimit të këtij viti ka shpalosur katër mënyra për fuqizimin e qeverisjes globale të shëndetësisë. Ka bërë thirrje për një qasje të centralizuar të fuqizimit të gatishmërisë së vendeve për emergjenca shëndetësore; për një sistem mbarbotëror të njoftimit që siguron monitorim të fuqishëm të zbatueshmërisë; për kapacitete globale, si infrastruktura e sekuencimit të gjenomit; dhe për bashkëpunim më të afërt midis institucioneve ndërkombëtare, përfshirë OBSH-në, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve, Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi dhe Programit të OKB-së për Mjedis.

Krejt këto janë objektiva të çmuara. Por a është qasja prej lart-poshtë mënyra më e mirë për t’u ndjekur?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ekspertët globalë shëndetësorë duhet që t’u kushtojnë më shumë vëmendje përpjekjeve të suksesshme rrënjësore të luftimit të sëmundjes.

Kijeni parasysh luftën kundër onkocerkiazës, apo verbëria e lumit. Në vitet ‘70 përpjekjet në këtë drejtim ishin prirë nga kryetari i Bankës Botërore, Robert McNamara, shefi ekzekutiv i Mercksit, Roy Vagelos, dhe drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Halfdan Mahler. Por me kalimin e kohës, strategjia prej lart-poshtë, nëpërmjet së cilës një komunitet prej gjysmë milioni punëtorësh shëndetësorë të fshatit e morën në dorë trajtimin e problemi, doli të ishte më efikase. Një studim i viteve 1994-94 i kryer në shumë vende ka treguar se kur komunitetet janë përgjegjëse për organizimin e shpërndarjes së ivermectinit (ilaç ky që e trajton onkocerkiazën), mbulueshmëria është më e madhe sesa kur sistemi shëndetësor e shpërndan ilaçin.

Edhe Opinion 2 j. më parë Ndërtimi i së ardhmes së Kosovës, një vend pune pas tjetrit

Një tjetër raport i përpiluar nga Carter Center ka spikatur rolin që farefisnia dhe rrjetet lokale kanë luajtur në luftimin e kësaj sëmundjeje.

Po kështu, Bombay Leprosy Project është një program i kahershëm që mbulon lagjet më të mëdha, të varfra në Mumbai, siç është Dharavi. Vullnetarët e komunitetit të BLP-së, të trajnuar nga punëtorët shëndetësorë, kanë kryer sondazhe derë më derë midis popullatës me qëllim të detektimit të rasteve të reja. Gjatë pandemisë kjo ka qenë njëra prej kanaleve më efikase për shpërndarjen e pajisjeve të mbrojtjes personale, të përkujdesjes shëndetësore, ushqimit dhe tani të vaksinave kundër COVID-19 për më të varfrit në rajonet e varfra, ku shteti i Maharashtras dhe qeveritë federale janë kryesisht të munguara.

Rëndësia e iniciativave prej poshtë-lart në rastin e përgjigjes ndaj pandemisë nuk është e kufizuar me vendet në zhvillim. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka investuar majmë në shërbimet e centralizuara kombëtare të testim-gjurmimit. Por dëshmitë kanë sugjeruar se edhe skemat me relativisht pak fonde kanë kaluar më mirë, duke e shtrënguar Qeverinë që ta rishikojë qasjen e saj.

Efikasiteti i shtuar nuk është arsyeja e vetme për ta marrë në konsideratë këtë strategji bazike.

Politikisht shumë shtete – mbase të frikësuara nga përvojat e tyre me bllokadat tregtare në fillimin e pandemisë, mungesa mbarbotërore e furnizimeve me pajisje mbrojtëse dhe nacionalizmi i vaksinave – aktualisht janë më të përqendruara në qëndrueshmërinë kombëtare sesa në zotimet globale. Një theks i ri në qëndrueshmërinë lokale mund të gjejë audiencë shumë më të hapur në komunitetet përreth botës. Njëra prej të metave të rregullave ndërkombëtare shëndetësore gjatë pandemisë së COVID-19 ka qenë dështimi për t’i përgatitur, ofruar dhe koordinuar burimet adekuate në nivel shteti. Qasja prej poshtë-lart mund ta ndryshojë këtë gjë.

Edhe Opinion 4 muaj më parë Urime 20 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë!

Për më tepër, investimet në kapacitetin e vëzhgimit shëndetësor në nivel komuniteti mund mbase të jetë çelësi për luftimin e kësaj dhe pandemive të ardhshme. Këtu shtysat e duhura financiare janë qenësore. Pronarët e vegjël ruralë në Afrikë dhe Azi do të ishin të parët që do të dinin kur disa prej pulave apo rosave të tyre të sëmuren – mbase me virusin e gripit që do të mund ta nxiste një pandemi njerëzore. Por nëse bujqit që i raportojnë shpërthimet e sëmundjeve ballafaqohen me gjasat e therjes të të gjitha tufave të tyre pa marrë ndonjë kompensim adekuat, atëherë fare lehtë do të mund të vendosnin që të mos e ndajnë me të tjerët këtë informatë.

Po kështu, siç ka argumentuar Stefan Derconi nga Universiteti i Oxfordit, investimi në depërtimin dhe cilësinë e përkujdesjes shëndetësore për komunitetit dhe në mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë është jetik për garantimin e vazhdimit të shërbimeve bazike mjekësore. Këtu përfshihen vaksinimi, sigurimi i antiretroviralëve, ushqimet suplementare, shëndeti amësor, shpërndarja e shtretërve dhe trajtimi ndaj malaries. Punëtorët shëndetësorë në komunitet janë gjithashtu qenësorë për mbrojtjen e më të brishtëve në rajonet me popullsi të dendur, si dhe për gjurmimin dhe kontrollimin e sëmundjeve.

Qasjet e këtilla prej poshtë-lart do të kërkonin mbështetje qeveritare, përfshirë financimin e përpjekjeve lokale.

Çdo mbështetje do të duhej ankoruar sipas ligjeve për të qenë e qëndrueshme, siç ishte rasti me financimin e institucionit kërkimor brazilian për shëndetin publik Fiocruz, në fillim të shekullit njëzet. Statutet e tilla mund t’i mbrojnë organizatat nga përpjekjet për t’i reduktuar alokimet buxhetore apo financimin e programeve të tjera në kurriz të tyrin.

Historikisht bashkëpunimi për shëndetin global dhe mjedisin kanë reflektuar kombinime të ndryshme të masave prej poshtë-lart dhe prej lart-poshtë. Derisa Protokolli i Montrealit nga 1987-a për mbrojtjen e shtresës së ozonit ishte një shembull i rregullit prej lart-poshtë, Marrëveshja klimatike e Parisit më 2015 rezultoi prej një procesi shumë më të gjatë që përfshinte komunitetet, qytetet dhe vendet përreth botës. Studimet dhe kërkimet akademike nga qindra universitete, instituti dhe shkencëtarë, si dhe shtysat e hershme nga kryebashkiakët dhe komunitetet individuale kanë lartësuar thellësisht vetëdijen bazike dhe zotimet nga familjet, shkollat, mediat lokale, komunat dhe administratorë rajonalë.

Edhe OBSH: Rastet me kancer pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën deri në vitin 2050 Lifestyle 2 j. më parë OBSH: Rastet me kancer pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën deri në vitin 2050

Në fund, edhe përpjekjet më të mira prej poshtë-lartë rreth kontrollimit të sëmundjeve rrezikojnë të pengohen nga dështimet ndërkombëtare për të siguruar qasje në pajisjet mbrojtëse, sekuencimet gjenetike apo vaksinat. Por politikëbërësit nuk duhet ta neglizhojnë përkujdesjen shëndetësore në nivelin lokal. Për t’u përgatitur më mirë për pandemitë e ardhshme, modelet tona nga lart-poshtë dhe marrëveshjet duhet t’i formësojnë përgjigjet që janë të bazuara fuqimisht tek komunitetet lokale dhe vlera e angazhimit, pronësia e rrezikut dhe shqetësimet e tyre.

(Ngaire Woods është dekane në Shkollën e Qeverisjes Blavatnik në Universitetin e Oxfordit. Ok Pannenborg është ish-këshilltari kryesor për shëndetësi dhe kryeshkencëtari shëndetësor në Bankën Botërore. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).