Gjatë dekadave të ardhshme, fatkeqësitë e lidhura me klimën, pandemitë, valët e migrimit dhe konfliktet e dhunshme do t'i tendosin kapacitetet e qeverisë deri në kufirin më të fundit. Për të zhvilluar mekanizma të menaxhimit të krizave që mund t'u rezistojnë goditjeve të ardhshme, qeveritë kombëtare nuk mund të lejojnë të shpërfillin mësimet e pandemisë, veçanërisht nevojën për të ndërtuar partneritete afatgjate, të bazuara në besim, me autoritetet vendase dhe drejtuesit lokalë të biznesit
Për zhgënjimin e imunologëve, virologëve e ekspertëve të shëndetit publik, qeveritë kanë përfunduar punë me mësimet nga COVID-19. Politikëbërës kudo në botë, të përballur me një krizë të kostos së jetesës, po e pengojnë shpenzimin e shumave të mëdha të parave për përgatitje ndaj pandemisë. Por disa nga mësimet kyç kanë të bëjnë me funksionimin e qeverisë dhe madje edhe vendet me buxhet të kufizuar duhet që të ndërmarrin hapa bazikë për t’i përmirësuar kapacitetet e tyre të menaxhimit me kriza. Këto masa mund njashtu t'u ndihmojnë që të përgatiten për ndryshimet klimatike dhe për emergjenca të tjera potenciale.
Përvoja e Mbretërisë së Bashkuar ofron disa njohuri të rëndësishme. Pak përpara shpërthimit të COVID-19, Mbretëria e Bashkuar qe renditur e dyta në Indeksin Global të Sigurisë Shëndetësore, i cili i rangon kapacitetet e vendeve për të zbuluar, parandaluar dhe raportuar epidemitë. Më 2016, Qeveria britanike e zhvilloi një simulim treditor për ta vlerësuar ndikimin e një pandemie potenciale të gripit, duke e krijuar një doracak të menaxhimit të rrezikut, të cilin do të mund ta përdorte në rast të shpërthimit të ndonjë sëmundjeje ngjitëse. Edhe megjithëkëtë, Mbretëria e Bashkuar pati telashe ta kontrollonte COVID-19, më shumë sesa që duhej. Siç tregohet në një raport të Ciaran Martinit dhe bashkautorëve të tjerë të tij, fajtori i mundshëm për reagimin e çrregullt pandemik të vendit nuk ishte mungesa e gatishmërisë, por sistem politik jofunksional.
Gjatë pandemisë, disa vende ia dolën të kishin koordinim efektiv midis qeverive qendrore dhe
kombëtare. Në Gjermani, për shembull, politikëbërësit në nivelin kombëtar dhe atë shtetëror u bashkuan gjatë muajve të parë të COVID-19 për ta ndjekur një qasje të unifikuar, e cila hapi rrugë për përgjigje të ndryshme lokale. Po kështu, vendimmarrësit australianë i bashkuan forcat gjatë shpërthimit fillestar për të zhvilluar një strategji kombëtare koherente që e integroi ekspertizën lokale.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, pandemia i tendosi marrëdhëniet midis Qeverisë britanike dhe administratave të transferuara të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut. Qeveria kombëtare mori përsipër prokurimin mbarëkombëtar të pajisjeve mbrojtëse dhe diagnostikimin gjatë javëve të para të pandemisë dhe e drejtoi Skemën e Rruajtjes së Vendeve të Punës gjatë Koronavirusit (e njohur ndryshe si “skema e pushimit”) teksa Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut e ndoqën shembullin.
Por përgjigja e unifikuar pandemike e Mbretërisë së Bashkuar u shpërbë më 10 maj të 2020-s, kur kryeministri i atëhershëm, Boris Johnson, i zbuti masat e “qëndrimit në shtëpi”. Udhëheqësit në Skoci, Uells dhe në Irlandë të Veriut e kundërshtuan vrullshëm vendimin e Johnsonit. Protestat e tyre e shpërfaqën jo vetëm mospërputhjen midis Westminsterit dhe qeverive të transferuara të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe injorancën e Johnsonit për strukturën qeverisëse të vendit. Gatishmëria për pandemi kërkon dialog, vendimmarrje të përbashkët dhe shkëmbim të informatave dhe burimeve, veçanërisht midis qeverive të kontrolluara nga parti të ndryshme politike.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ky dështim u përcoll në katër qeveri. Dështoi edhe në një nivel tjetër në Angli. Mungesa e angazhimit me qeveritë lokale dhe qytetet e bëri jashtëzakonisht të vështirë hartimin dhe zbatimin e një përgjigjeje efektiv pandemike. Përderisa autoritetet lokale të Anglisë kanë detyra të gjera dhe specifike në raste të emergjencave, Qeveria kombëtare nuk i dinte apo nuk u besonte aftësive të tyre. Në dekadën e para pandemisë, Qeveria e shkurtoi në mënyrë drastike financimin për autoritetet lokale, duke i lënë me më shumë përgjegjësi, por më pak burime dhe me kapacitete të pamjaftueshme.
Në fillimin e izolimit të parë për COVID-19, autoritetet lokale u përballën me një betejë pothuajse ekzistenciale për të ofruar shërbimet bazike. Shpenzimet shpërthyen e të ardhurat ranë, pasi Qeveria e Johnsonit i pezulloi taksat mbi pronën për biznese. Në përpjekje për t'i mbajtur politikëbërësit vendorë në lak, Qeveria vendosi të sigurojë fonde shtesë dhe të shqyrtojë kërkesat e ardhshme rast pas rasti, duke e dobësuar më tej aftësinë e zyrtarëve vendorë për të bërë planifikim dhe përgatitje.
Për t'u përgatitur për emergjenca të ardhshme, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të investojë në kapacitete lokale të mbledhjes së të dhënave dhe të stafit për menaxhim me krizave. Duhet që njashtu të rivendosë fondet e pushtetit vendor në mënyrë që komunat dhe administratat rajonale të mos tkurren së tepërmi.
Një tjetër mësim thelbësor për forcimin e kapaciteteve të qeverive për menaxhimin e krizave është se politikëbërësit duhet të ushqejnë marrëdhënie afatgjate që ua mundësojnë shfrytëzimin e fuqisë dhe shtrirjen te sektori privat. Gjatë pandemisë, disa qeveri bashkëpunuan me kompanitë për të planifikuar dhe për t’i përcaktuar rregullat e punës, për t’i dizajnuar programet e mbështetjes së pronarëve të bizneseve, për të siguruar prokurime efektive dhe për të investuar në objektet e testimit dhe gjurmimit, si dhe në zhvillimin dhe blerjen e vaksinave të reja.
Task-forca e Vaksinave, të cilën Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e krijoi për të lehtësuar prodhimin dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinave ndaj COVID-19, është rast një i tillë. Por edhe në këtë pikë, besimi dhe bashkëpunimi ishin të kufizuar. Në një udhëzim të 2021-s mbi përvojat e saj në kryesimin e grupit të punës, Kate Bingham, partnere menaxhuese në një firmë sipërmarrëse, e përshkroi dyshimin e thellë të sipërmarrësve dhe të menaxherëve, të cilët shpesh shiheshin dhe trajtoheshin si “macet e trasha që rrëmbejnë para” dhe interesi i vetëm i të cilëve është rrjepja e taksapaguesve. Zyrtarët qeveritarë, shtoi ajo, kishin pak interesim për të kuptuar ndryshimin midis qirasë dhe aktivitetit ekonomikisht të vlefshëm të sektorit privat.
Fatkeqësisht, natyra ad hoc e përgjigjes së Mbretërisë së Bashkuar çoi përnjëmend drejt disa kontratave që u shkonin për shtati atyre “maceve të trasha” dhe përfituesve. Më 2021, një grup liderësh biznesi hartuan udhërrëfyesin për partneritete të suksesshme publiko-private. Ata rekomanduan që qeveria të bëjë një zotim afatgjatë për angazhimin dhe veprimin, të vendosë meritën përpara marrëdhënieve ekzistuese kur u ofron role akterëve privatë dhe të sigurojë që të gjithë të sjellin ekspertizë reale – në vend të thjeshtë një dëshire për të lobuar mbi zyrtarët e zgjedhur. Çdo qeveri që dëshiron të angazhohet me bizneset në nivel kuptimplotë duhet të përqafojë këto udhëzime.
Gjatë dekadave të ardhshme, fatkeqësitë e lidhura me klimën, pandemitë, valët e migrimit dhe konfliktet e dhunshme do t'i tendosin kapacitetet e qeverisë deri në kufirin më të fundit. Për të zhvilluar mekanizma të menaxhimit të krizave që mund t'u rezistojnë goditjeve të ardhshme, qeveritë kombëtare nuk mund të lejojnë të shpërfillin mësimet e pandemisë, veçanërisht nevojën për të ndërtuar partneritete afatgjate, të bazuara në besim, me autoritetet vendase dhe drejtuesit lokalë të biznesit.
(Ngaire Woods është dekane e Shkollës së Qeverisjes Blavatnik në Universitetin e Oksfordit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).