OpEd

Qe pse s'po na pëlqen

Veprimi irracional dhe i papërgjegjshëm i dikujt që vuan nëse nuk është në qendër të vëmendjes na ka nisur rrugës së theqafjes. Është irracional për shkak se është veprim i njeriut të padijshëm, që mendon se vetëm pse e ka ndërruar imazhin, pse pi verëra të shtrenjta e bën jetë luksoze është bërë burrështetas përnjëmend. E në fakt, s'është gjë tjetër pos një politikan i keq, një gjarpër që i ndërron lëkurat si ujku qimen, por që në esencë mbetet ai që është: një injorant i rrezikshëm

Kur Gjarpni fillon të të lavdërojë dije se e ka një siklet dhe ka filluar të të frikësohet. E këtë më së miri e dëshmon statusi i pakuptimtë, një prej shumë që ia shkruajnë në Fejsbuk për çdo ditë, duke e lavdëruar shoqërinë civile në të cilin, ndër të tjera, thotë: “Kosova është me fat që ka shoqëri civile aktive, që reagon në nevojat e shoqërisë dhe punon për interesat e qytetarëve të Kosovës. Jam në të njëjtën vijë me ta, pasi edhe unë udhëhiqem në punën time nga përkushtimi për të realizuar interesat e qytetarëve. Edhe në procesin e dialogut udhëhiqem nga ky parim, dhe po angazhohem për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për Kosovën dhe qytetarët tanë”.

Dhe kurrë më gabim nuk e ka pasur. Po ta kishte pasur Kosova shoqërinë civile aktive, siç është aktivizuar tash, ky qëmoti kishte rënë nga çfarëdo kombinimi politik. Për më tepër, as që i kishte rënë hise të merrej me dialogun. Dhe përderisa njerëzit që janë mbledhur të mërkurën e shkuar për të protestuar për së dyti, në masë jo të vogël, janë ngopur me krimin e organizuar dhe me përvetësimin e shtetit për interesa private, ky vazhdon të negociojë në emër tonin, ani pse këtë të drejtë nuk ia jep as Kushtetuta e as nuk ia ka dhënë Kuvendi. E në mungesë të çfarëdo aktiviteti normal politik që do të duhej ta bënte opozita, njerëzit u mblodhën vetë (ju SHIK-at, AKI-t, Polici e Prokurori mund t'i ndërtoni ca teori konspiracioni për dora e zgjatur e dikujt që po na shtyn të dalim në rrugë) për të thënë boll mâ!

Shyqyr e zbuloi “kasavetin”

“Edhe zyrtarisht, i pëlqeu dikujt apo jo, unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit që ajo pjesë t’i bashkohet Kosovës. Nuk kam ndonjë nostalgji për vijat e shtruara nga famëkeqi Aleksandar Rankoviq. Të gjithë janë të pajtimit që duhet rregulluar vijat me Serbinë. Unë nuk e kam ndonjë kasavet për Serbinë, por vendi ynë duhet të ecë përpara”, e thotë historiani Thaçi. Përzien Rankoviqa, Vuçiqa, Daçiqa; përmend kufij këndej, kufij andej -- herë thotë s'bën të ndryshohen, herë thotë bën të korrigjohen... Një Zot e di se çka sheh ëndërr ky njeri. Kush e di se kush po ia mbush kokën me makinacione të ndryshme; kush e di edhe sa gjëra të shëmtuara do t'i shpikë vetëm për ta mbajtur veten sa më larg Speciales.

Taktika për të qenë në qendër të vëmendjes e ka qëllimin e qartë: me Mogherinin e interesuar për ta pasur një “sukses të madh” diplomatik, sepse mandati i skadon vitin që vjen, asaj nuk i intereson nëse do të ketë ndarje, shpërndarje, korrigjim a përpirje territoresh. Fundja, pasojat e çfarëdo marrëveshjeje absurde e diabolike që do të mundë të arrihej në Bruksel do t'i bartim ne, e jo ajo. Ajo do të shkojë tutje në karrierë, dhe do ta fusë në biografi edhe fjalinë: “e zhbëri nyjën e Ballkanit dhe i pajtoi Beogradin e Prishtinën”. Ani që me këtë mund ta hapë kutinë e Pandorës që do të na kthejë 20 vjet prapa në luftë.

Lufta për shumë kë u dëshmua biznes i mirë. Edhe kërcënimi me jostabilitet u tregua fitimprurës për shumë kë. Dhe me gjasë mu biznesi duket të jetë esenca e trumbetimit për korrigjim, ndryshim e këmbim kufijsh. Disi sa herë që përmenden këto kombinime, mendja më shkon te “Trepça” dhe statusi i saj i padefinuar. Qëllimisht. A thua me synimin që të mundë të gllabërohet: gjysma për Vuçiqin, gjysma për Thaçin?

Qe, pse

E pra nëse është kështu -- nëse një Kosovë e tërë mbahet peng nga Thaçi, pse ky do që t'i ikë Speciales e ndërkohë të sigurohet edhe për më shumë pasuri, të cilën partia e tij e mban nën kontroll që nga fundi i luftës, atëherë duhet të dalim të mërkurën e t'ia themi publikisht: Jo nuk po na pëlqen!

Dhe nuk po na pëlqen, pse:

1) po shkon në Bruksel sahat e dakik me u taku me Vuçiqin, i cili e tallë atë, e për shkak tijin edhe të gjithë Kosovën;

2) po mundohet të flasë anglisht, kur mezi shqipen e lidh si duhet. Nuk po na pëlqen që krejt qeshin dhe përmbahen nga shpërthimi në gaz kur përpiqet të tregojë se Vuçiqi dhe ky janë burra të mirë. E nuk e di si bëhet burrë i mirë ministri i Informimit i Millosheviqit apo dikush që ia merr mendja se duhet quajtur “lartmadhëni” tash e mbas;

3) është shndërruar në një gënjeshtar patologjik të cilit absolutisht nuk i besohet; në një gënjeshtar që e di se mund të vazhdojë të rrejë për çkado dhe kurdo -- për shkak se s'ka pasur kush ta ndalë deri tash;

4) tinëzisht mundohet t'ua veshë fajin e dështimeve të tij të tjerëve. Të huajve iu ka thënë se Zajednicën e ka negociuar Fjolla Tahiri, e pardje tha se marrëveshjen e ka nënshkruar LDK-ja. Po kush është në foton “historike” për marrëveshjen “historike” me Daçiqin dhe me Ashtonin -- shyqyr ekzistojnë arkivat dhe e tregojnë të vërtetën;

5) organizon dhe del për t'i pritur protestuesit, familjarët e të pagjeturve, pa asnjë fije turpi, duke e ditur se kurrë, asnjëherë në shtate vjetët e fundit, nuk e ka qitur mbi tavolinë çështjen e atyre që barbarisht u vranë dhe u fshehën nga serbët me të cilët negocion pa kushte;

6) për të nuk ka as ligj, as Kuvend, as Kushtetutë -- ose që të gjitha janë tijat. Se kur do t’ia japë interpretimin që këtij i konvenon ose i teket për të treguar se ka marrë përgjegjësi që nuk i takojnë;

7) përditë kur ecim rrugëve i shohim bile nja dy a tri tavolina me djem e vajza të reja që kërkojnë centë për t'iu ndihmuar shokëve që s'mund të shërohen në Kosovë, për shkak se ky e ka shkatërruar sistemin e shëndetësisë;

8) në kohën sa ka qenë kryeministër, e me gjasë ende e vazhdon avazin e vjetër, shpesh ka pirë verë, një shishe e së cilës e ka vlerën e gjysmës së pensionit të nënës sime që ka punuar 40 vjet; që ka ngrënë shumë pjata ushqimesh deti në vlerë të ndihmës sociale mujore për një familje; që e ka shfrytëzuar një biletë aeroplani me vlerë të 30 rrogave minimale të cilën e ka caktuar Qeveria që e ka udhëhequr ky;

9) u futet arkivave për të gjetur alibi për budallallëqet që i flet me kompetencë dhe i qaset populizmit për ta treguar veten si shpëtimtar të Kosovës, përderisa secili hap i tij po na shtyn edhe më afër hendekut;

10) flet për korrigjime kufijsh kur as vetë nuk e kupton se çfarë po flet, në kërkim të shmangies së Kushtetueses, së cilës, megjithatë, nuk i druhet, sepse e ka të veten;

11) kur e gjithë Kosova çohet ta kundërshtojë, pos partisë së tij, vazhdon të insistojë se do ta ngrejë këtë apo atë çështje, thuajse ky na ishte shtet presidencial, a far monarkie, ku ai është sovrani;

12) flet në emrin tonë, e ne as nuk e kemi autorizuar e as që duam që të flasë në emrin tonë.

Dhe këto janë vetëm disa nga arsyet që është dashur qëmoti të na kenë mbledhur në rrugë për të protestuar, paqësisht, kundër përgjegjësit kryesor të krizës më të thellë politike që jemi duke e përjetuar.

Veprimi irracional dhe i papërgjegjshëm i dikujt që vuan nëse nuk është në qendër të vëmendjes na ka nisur rrugës së theqafjes. Është irracional, për shkak se është veprim i njeriut të padijshëm, që mendon se vetëm pse e ka ndërruar imazhin, pse pi verëra të shtrenjta e bën jetë luksoze është bërë burrështetas përnjëmend. E në fakt, s'është gjë tjetër pos një politikan i keq, një gjarpër që i ndërron lëkurat si ujku qimen, por që në esencë mbetet ai që është: një injorant i rrezikshëm.

* * *

Nuk e di nëse ka ndonjë ankand ishujsh diku në Oqeani. Po të kishte pasur, me shumë qejf do t'ua blija nga një ishull Thaçit dhe krejt politikanëve të sojit të tij (natyrisht me para të buxhetit, dhe hiç nuk m'u kishin dhimbsur), e t'ua organizoja udhëtimin superluksoz deri te vendi, për t'u siguruar se kurrë nuk do të mundë të dilnin më prej aty. Do t'ua lejoja t'i merrnin edhe krejt paratë që i kanë mbledhur këta 20 vjet, që të ngihen deri në fyt -- veç me ditë se kështu do të çlirohej përnjëmend ky popull.

Ëndrrat janë pa para. Realizimi i tyre kërkon mund. Kërkon edhe protesta. E protestat do të kenë rezultat kur edhe kafexhinjtë e tarracave ta kuptojnë se edhe ata janë pjesë e kësaj Kosove që është në rrezik të shuhet para se të bëhet.

[email protected]