OpEd

Pushteti i kotillës

Për punësimin e sebepeve dhe të punësuar të tjerë. Kur institucionet publike shndërrohen në shoqëri aksionare të njerëzve të kotillës. Kur edhe skandalit i humb kuptimi. Pushtet akraballëku në Kosovë ka pa ia nda, pothuajse që nga fundviti 1999. Atëherë në emër të meritave të luftës, pastaj në emër të pasojave të luftës, tash si peshqesh të lirisë. Siç thotë Atë Zef Pllumi, “Asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnua bijtë e vet të këqij”

Rrëfimet e njerëzve për arsyeshmërinë e kapjes me pushtetin, kryesisht janë përcjellë me një diskurs moralo-didaktik të tipit “gjërat duhet të ndryshohen nga brenda”.

Ky përkufizim prej vitesh ka marrë konotacion ironik, sepse të gjithë ata që hynë me këtë nijet, përfunduan në të asimiluar. Nuk ndryshuan gjë, por u ndryshuan vetë. Tashmë të etabluar fort në skenën politike, leksionet mbi të qenit brenda politikës vishen me një tis fantastiko-shkencor. Sakaq mund të skuqet njeriu nga pretendimi se pushteti është demonizuar nga qytetarët, sepse në esencë ai punon për ta. E vërteta është që pushteti punon për qytetarët, ama çështja është se për cilin grup.

Si zakonisht ky grup qytetarësh del të jetë çdoherë i lidhur me partinë në pushtet. Pra, jo veç kësaj here kur tashmë ka marrë përmasa afere, por prej 20 vjetësh, sekush e ka pushtetin kujdeset për ata qytetarë, familjarë, sebepe, fqinj, e farefis. Për t`i rehatuar në pushtet. Në natyrën e vet pushteti është inercion. Nga ky inercion pastaj tërhiqen ata, të cilët me temena rrinë nën hijen e tij sall për t`u rehatuar apo për ta rehatuar dikë në ndonjë pozitë.

Eh, pra pushtet për individin, kotillën. Porse jo pushtet për shtetin. Shkëputja e lidhjes kauzale pushtet-shtet ka bërë që tashmë mundësia e qeverisjes në cilëndo nomenklaturë politike të ngrihet mbi të njëjtat parime.

Ideja e larjes së borxheve nëpërmjet pushtetit. Pa dhimbje, me lehtësi. Praktikisht nocioni pushtet është abstrakt. Diçka që nuk ka formë, por njëfarë tërësie e mekanizmave që e bëjnë kuptimin e tij. Ndaj, më lehtë është që në emër të tij të përvetësohet gjithçka, madje edhe vendet e punës.

Kësisoj nën tiraninë e pushtetit të turmës/sebepeve, konsolidohet pushteti i turpit. Sepse, duke qenë një vend nga i cili turpi ka emigruar s`ka pse të pritet që dikush të skuqet nga salltanetet që ia ofron pushteti i cilësdo parti.

Trendi i ndërtimit të kësaj piramide sebepesh ka nisur qëmoti. Pushtet akraballëku në Kosovë ka pa ia nda, pothuajse që nga fundviti 1999.

Atëherë në emër të meritave të luftës, pastaj në emër të pasojave të luftës, tash si peshqesh të lirisë.

Në vend se të rritet piramida nepotiste e kotillës, është mirë që padronët e saj ta mbështesin zhvillimin e sektorit privat. Kjo ngase ky sektor është komunitet punëdhënës me ndikim në zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Por, është Qeveria që ka përgjegjësi për sigurim të një mjedisi të favorshëm legjislativ e rregullator ndaj bizneseve.

Politikat e tregtisë së hapur, qeverisja e shëndoshë dhe e qëndrueshme, investimet në infrastrukturë, politika ekonomike e monetare, taksat, mbrojtja sociale dhe kostoja e të bërit biznes duhet të balancohen në funksion të nxitjes dhe aftësimit të sektorit privat.

Në të kundërtën, ky vend vetëm do t`i ndërrojë kotillat qeverisëse.

Përjashtimisht VV-së, e cila hyri më vonë në skenën politike, të tjerat zejen e punësimit mbi bazën e kotillës pothuajse e kanë shndërruar në mjeshtëri. Ndaj akuzat reciproke që po bëhen në relacion me njëra-tjetrën, semantikisht duhet lexuar si ankesa, pse nuk kanë futur më shumë njerëz në armatën institucionale. Kjo si një garanci, edhe e deponimit të votës elektorale, por edhe solidarizimit ndërmjet llojit.

Në kërkim të të ngjashmit, ky pushtet nuk dallon nga ai pushtet. Madje as nga ai tjetri. Është po aq shkërryes, përfitues e zhvatës, saqë e shemb tërësisht idenë e shtetndërtimit. Vëllamëri për pjesëmarrje në pushtet.

Të kalitur nën pushtetin e Jugosllavisë komuniste, në të cilën ka dominuar ideja e shtetit të huaj për shqiptarët e Kosovës, tradita antishtet po ruhet në mënyrë fanatike. Sot, vetëdijshëm mbi parametra të njëjtë, Kosovës po i vidhet secili aset. Sot, vetëdijshëm, favore po u krijohen vetëm njerëzve të afërt me pushtetin. Logjika e kotillës i ka bërë të gjithë të ndihen mirë, sipas qasjes orwelliane “disa më të barabartë se të tjerët”.

Me këtë logjikë, beteja për një vend pune po bëhet në taborin e njëjtë. Sepse të tjerët, jashtë kotillës, s`kanë mundësi as të jenë në lista se lëre më të ftohen në intervista...

Rrëfimi i një luftëtari të UÇK-së, i cili pohon të ketë aplikuar në 100 vende pune e të mos jetë ftuar asnjëherë për intervistë, i vë kapakun kësaj përhanie. Të kesh një vend pune në rrethanat kosovare është luks. Por ta fitosh një vend pune është pothuajse e pamundshme. Apo një ëndërr në amshim! Në fakt është e mundshme, por ama të jesh pjesë e kotillës qeverisëse.

Pastaj, dëgjon nga oborri qeveritar rrëfime rozë se si nuk është nami të fitohet një vend pune me 300-400 euro rrogë. Edhe me sistem lotarie po të ishin përzgjedhur vendet e punës, nuk do të kishte pasur mundësi që shumica e tyre të ishin farefis i pushtetarëve. Kjo ka të bëjë me atë që njihet si barazi themelore. Profesori i filozofisë, Jeremy Waldron, mbron tezën e këmbënguljes në relacion me të: “të ngulim këmbë pa u luhatur që benefiti i parimeve themelore të vlerës njerëzore dhe dinjitetit njerëzor t’i përkasë barabar secilës qenie njerëzore”.

Në kontekstin kosovar, këmbëngulja është në kajde të konformizmit. Ka vetëm qytetari vëzhguese, por jo vepruese. Kjo, e përmbledhur më së miri në frazën epike të mbretit malazias Nikolla: “Populli im– forca ime; populli im – kafsha ime!

Prandaj, kjo lëngatë s`ka ilaç. Sepse ata që e shpërndanë virusin tashmë janë konsoliduar. Fëmijët e tyre kanë mbaruar shkolla jashtë Kosovës. Nesër, apo disa vjet më vonë do ta bëjnë elitën politike të këtij vendi. Pushteti si trashëgimi. Të tjerët do të jenë rajë në shërbim të pushtetit të kotillës, i cili sikurse që nuk pati turp, s`do të ketë as fund. Apo, do ta ketë një fund... Atëherë, kur ata që nuk janë pjesë e kotillës të zgjohen nga letargjia. Dhe ta krijojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj shtetit. Të dashurisë ndaj tij. Bindjes se ai është edhe i tyre...

Legjendat e mëvonshme për shtetin do të tregojnë se atë e hëngri kotilla. E, pas shtatë kodrash do të jetojë edhe më rrëfimi për institucionet shtetërore, ku secili-secilin e kishte diçka dhe ku ai që s`e kishte askënd diçka ishte i gjykuar të jetojë gjallë e për gazepi!

[email protected]