OpEd

Pse fitorja e Donald Trumpit do t’i tronditë hiperglobalistët, alterglobalistët dhe populistët?

Tani, pas marrjes së informatës për zgjedhjen e Donald Trumpit në postin e presidentit të 47-të të SHBA-së (të shtyrë nga lakmia dhe ruajtja e privilegjeve e pushteteve qofshin ato demokratike, autokratike, diktatoriale etj.), ka filluar vërshimi i telegrameve e urimeve nga më të ndryshmet, të (pa)sinqerta, në adresë të tij. Është interesant të analizohen këto mesazhe e urime kurtuazie, që me fitoren e tij bota më nuk do të jetë asnjëherë e njëjtë me atë para ardhjes së tij në fronin e lidershipit global. Ka mendime e ekspertiza të gjera sociologjike (si ajo e sociologut Imanuel Wallersteine e Johan Galtung) që fitoren e tij e shohin si fundi i dominimit absolut të Amerikës, por edhe si fundi i globalizimit të botës me (sloganin;  petkun e ideologjisë neoliberale dhe post modernizmit si kulmim të vlerave perëndimore), por që në këtë rast s’janë objekt i analizës sonë. Në fakt, urimet duhet shikuar përveç prizmit personal (sidomos për vendet autokratike e ato diktatoriale) edhe me një “dioptri” tjetër, që dosido ka të bëjë me primesa më të gjëra, si ato të interesit shtetëror e kombëtar, të shteteve e vendeve të cilat në periudhën e dominimit absolut të perandorisë amerikane (lexo; globalizmit si ideologji, si tendencë, si ndërvarësi, po /nëse doni/ edhe si mit!?) ishin aleate, ishin partnere po edhe mike besnike në “odisenë” e kulmimit dhe dominimit në glob. Të gjitha këto urime... pa dallime të theksuara (etike e politike) janë rutinë kurtuazie dhe një dëshmi jo vetëm e shprehjes së lojalitetit ndaj administratës që ai do ta udhëheqë në 4 vjetët e ardhshëm, por edhe e besnikërisë e poltronizmit të skajshëm ndaj vetë personalitetit kontrovers të Donald Trumpit. Por, si do të manifestohet apo si do të mund të “përkthehet” lojaliteti ndaj vetë Trumpit në utilitarizëm e në interesa personale të autokratëve indolentë, diktatorëve e populistëve të pashpirtë në gjithë globin, mbetet për t’u parë. Themi kështu edhe për shkakun se shumica e analizave (amerikane) lidhur me karakterin e vetë Donald Trumpit flasin për një tip karakteri; tejet arrogant, të vetëmjaftueshëm, të paparashikueshëm, e madje edhe tip që fascinohet, joshet lehtësisht pas lajkave e miklimeve kurtuazie në publikun e gjerë(!). 

Por këndvështrimi i interesave që do të sjellin dobi, izolacionizmi i tij i rekomanduar me moton “first America” gjatë fushatës elektorale, me siguri blloku tjetër i identifikuar si BRIKS (Brazili, Rusia, India, Kina…) do ta shfrytëzojë në konsolidimin dhe afirmimin e vlerave të reja antipode perëndimore. Nga ky këndvështrim nuk ishte e rastësishme e as e çuditshme përkrahja e sofistikuar e hibride që ia “dhuruan” shtetet e këtij blloku të ri: ekonomik (ku filozofinë e kapitalizmit neoliberal e konstaton si të bankrotuar (!); politik (një mishmash ideologjik /si rasti i Kinës/ ); e vlerësues të (një pikëpamjeje krejtësisht të re mbi proceset dhe zhvillimet globale) kampit të Trumpit, gjatë fushatës elektorale. Mirëpo, çfarë do të sjellë më saktësisht timonieri Trump, si lidership i ri me izolacionizmin” e tij amerikan, në rrafshin global? Shumica e sociologëve janë të pajtimit që, midis tjerash, ai do të sjellë: Kufizim të dukshëm të KTN-ve që merren me industri ushtarake dhe agjencive informative në SHBA-së; Ndërprerje të dy vatrave më të rrezikshme të luftës; në Ukrainë dhe atë në Lindje midis Izraelit dhe Hamasit, që ushtrohet përmes trysnisë, shantazheve dhe kushtëzimeve ekonomike; Kthim të KTN-ve amerikane nga tregu global (që u transferuan edhe fizikisht nga Amerika në Meksikë, Kinë, Japoni, Tajvan e gjetiu periudhës së globalizimit);  Fillim të një “ndjekjeje të re të shtrigave”, ndaj industrisë farmakologjike, teknologjike dhe sidomos asaj ushqimore amerikane, që do t’i besohen Robert Kenedit dhe Elon Maskut. Kur jemi te politikat e jashtme, Donald Trump duket që pamëshirshëm do t’i vazhdojë ato të mandatit të parë. Riformatimin e rolit të NATO-s, që dosido është një paralajmërim edhe për neve në Kosovë, se në kohërat që po vijnë të ndajmë shumë më shumë buxhet në ushtri e armatim mbrojtës…Kurse, kur jemi te reflektimi apo te trysnia hipotetike politike që supozohet se mund të ndodhë mbi rajonin (Bosnjën dhe Serbinë) dhe në veçanti mbi Kosovën, për ata që mendojnë se zgjedhja e Trumpit do ta dobësojë pozicionin e qeverisë së ardhshme, kam mendim tërësisht tjetër…Si dhe përse do të ndodhë ky reflektim e trysni pozitive, kujtoj se do të varet shumë nga: uniteti (jouniformiteti në mendime e qëndrime politike) i përfaqësuesve legjitimë që do të dalin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit; në avokimin e argumenteve për shtrirjen e sovranitetit, slogan zgjedhor i vetë Trumpit (“e ardhmja u përket vendeve të pavarura”) të Kosovës; nga heqja dorë e të menduarit dhe të gjykuarit dogmatik (lexo; bunkerimi e insistimi naiv në pozicione këmbëngulëse e pa doza elasticiteti) e sidomos nga përafrimi i konceptit, ideve, veprimeve dhe pragmatizmit (që s’nënkupton dorëzim, por mjeshtërinë e konfrontimit) tonë politik për të realizuar interesat tona afatgjata kombëtare e shtetërore.

Pse nuk guxojmë të rrëshqasim në antitrumpizëm dhe të vetëmjaftohemi me frymën euforike të nacionalizmit tonë irracional? Sepse, mu ky turravrap i yni i pamenduar mirë me “peshoren e argjendarit” mund të na fusë në rrugë të pakthim të konfrontimit jo vetëm me administratën në ardhje të njohur si tipike antiglobaliste, por edhe me vlerat perëndimore. Andaj, adresa e pushtetit për të afirmuar vlerat tona të nëpërkëmbura nga e kaluara jo fort e largët nuk guxon dhe nuk duhet assesi të na e krijojë “distancën sociale” me minoritetet (sidomos me serbët e manipuluar dhe të kontrolluar nga regjimi fashist i Serbisë!) dhe grupet e tjera etnike. Arsyeja është shumë e thjeshtë; ne si Kosovë nuk e kemi problemin me serbët vendës, por me Serbinë, e cila është duke bërë gjithçka për ta “mbjellë” farën dhe disponimin antiamerikan në trojet tona shqiptare. Nacionalizmi i kosovarëve duhet të “spastrohet” dhe dekontaminohet në mënyrë shumë “kirurgjikale “nga synimet dhe ambiciet irracionale. Po ashtu, ai nuk duhet as të figurojë në programet dhe agjendat shtetërore (derisa në ato partiake mund të shërbejë si retorikë përkohësisht për interesa ekskluzive për animimin e opinionit të gjerë për t’i zgjedhur ata në aulën e pushtetit), ngase programet e simuluara dhe të stimuluara përmes “agjendave” shtetërore shumë lehtë mund ta krijojnë një gjeneratë antiamerikane e antiperëndimore, gjë që e synon me mish e me shpirt Serbia. Natyrisht këtë synim programor kurrë nuk kisha dashur ta shihja e aq më pak ta realizojë ndonjë subjekt i yni nga Kosova. Antitrumpizmi “prodhon” përveç labirinteve e kurtheve të rrezikshme edhe pasiguri në rajon…! Kështu që, periudha e re duhet të na mësojë që pas zgjedhjeve të shkurtit politika jonë të ecë në (si thuhet) “teh shpate” dhe të veprojë unanimisht me një zë, sidomos kur janë në pyetje interesat afatgjata kombëtare e shtetërore…