Dihet se aleancat e humbësve janë gjithmonë të egra. Ato gjejnë gjithë justifikimet e mundshme e të pamundshme për të bazuar sulmet, dhe mjafton një veprim sadopak i nxituar i aleatit “të pabesë” që ta kallë ferrin.
Sot e dimë shkencërisht që gjykimi i parë që njeriu bën mbi dikë tjetër që në takimin e parë është besueshmëria. Willis dhe Todorov këtë fakt e dëshmuan me një eksperiment ku ua treguan pjesëmarrësve në test një numër fotografish të fytyrave të njerëzve për t’i gjykuar ata sa “tërheqës”, “të dashur”, “të aftë”, “agresivë” apo “të besueshëm” ishin. Edhe pse fotografitë u ekspozuan vetëm për një të dhjetën e sekondës, gjykimet rreth personalitetit të tyre përkuan me gjykimet që u bënë me një ekspozim më të gjatë të fotografive. Përkimi më i madh ishte gjykimi mbi besueshmërinë dhe kjo e tejkalonte edhe “tërheqjen fizike” duke hedhur poshtë perceptimin e shumë njerëzve se sexy është instinkti më bazik i gjithë kafshëve. Pra, mjafton edhe një e dhjeta e sekondës që ne të japim gjykimin nëse mund t’i besojmë dikujt apo jo, dhe kjo varet nga pjesa më primitive e trurit, amygdala, e cila është përgjegjëse për reagimet tona.
Ngritja marramendëse e popullaritetit të Kurtit pati edhe kundërpeshën e vet po aq marramendëse, dhe kjo u dëshmua që me krijimin e krizës qeveritare të dy partnerëve që me shumë vështirësi i besuan njëri-tjetrit. Që në ditët e para të jetës së saj të shkurtër, Qeverisë iu hoq besimi dhe filloi përgatitja e shpejtë për qeveri të re. E gjitha kjo në kohë pandemie. Kur gjithë qeveritë e botës angazhohen për të vetëdijesuar qytetarët se shëndeti i tyre tashmë është çështje nacionale, pra shëndeti, jo ekonomia, jo arsimi, jo liria, Kosova pati dhe vazhdon të ketë prioritet politikën. Kjo është tërësisht e justifikueshme.
Një popull i dalë nga shtypja e gjatë dhe lufta e që lufton me mish e me shpirt të çlirohet edhe nga paslufta duke u rrekur të mbijetojë brenda karantinës njëzetvjeçare, më në fund besoi në një ditë të re që iu dha si ofertë nga dy partitë, LVV dhe LDK. E gjithë kjo falë dy figurave kyç, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Të dy politikanë me aftësi të mëdha për të tërhequr elektoratin, i cili shpejt i mistifikoi deri në misionarët e tokës së premtuar. Vjosën e shpallën hyjneshë në fron, duke riaktualizuar hyjneshën vinçiane për të dëshmuar edhe një herë lidhjen me tokën që gjatë u është mohuar. Albin Kurtin me profetin e anatemuar, të kryqëzuar dhjetëra herë për mëkatet e atyre që tradhtuan tokën, i cili më në fund korri fitoren për të na sjellë ditën e madhe.
E gjithë kjo pritje masive, në të cilën futet edhe shkruesja e këtyre radhëve, gjeti hapa konkretë që në ditët e para të Qeverisë me veprime të guximshme, të cilat e bënë ëndrrën e elektoratit çdo ditë më të prekshme, më reale. Kjo i dha një kërcim të paimagjinueshëm popullaritetit të Osmanit e Kurtit. Harmonia mes këtyre të dyve, që në mendjen e elektoratit përbëjnë binomin par excellence në udhëheqjen e vendit, dy të rinj, të të dy gjinive, të ditur e parimorë, solli ekuilibrin e munguar në mendjen e masës. Ekzaltimi se kjo nuk ishte më vetëm një ëndërr, mori trajektoren e përpjetë pas çdo veprimi të Qeverisë që ndoshta e hutuar me lehtësinë me të mund të rregulloheshin gjërat në dukje, nënvlerësoi kundërpeshën e vet.
Ndërsa Qeveria merrej me shkarkime a emërime njerëzish, duke u munduar të sillte “njeriun e ri” në politikë, kundërpesha politike mobilizohej për çlirimin nga ky realitet i veshur me ëndërr. Ky është realiteti më i rrezikshëm në politikë. Politika nuk është shumë më tepër sesa emocion, dhe lufta më e ashpër politike bëhet pikërisht në nivel emocionesh. Aty është fitorja apo humbja. Aty fituan Albini e Vjosa.
Dihet se aleancat e humbësve janë gjithmonë të egra. Ato gjejnë gjithë justifikimet e mundshme e të pamundshme për të bazuar sulmet, dhe mjafton një veprim sadopak i nxituar i aleatit “të pabesë” që ta kallë ferrin. Ja ku rishfaqet tradhtari, armiku i vjetër Kurti, të cilit gabuam që i besuam. Ja ku rishfaqet Vjosa, që nuk e meriton më fronin e hyjneshës.
Kur ferri u kall e Qeveria është në buzë të greminës në kulmin e pandemisë në vend, na shfaqet një këshilltar sizifian, i cili na risjell në opinionin publik krimet e luftës të bëra nga UÇK-ja, duke ia dhënë ndoshta pavetëdijshëm shkelmin e radhës Qeverisë në emër të lirisë së fjalës. Çfarë ka skandaloze deklarata e Gashit që nxiti deri te reagimet histerike dhe solli shkarkimin e tij? Asgjë. Asgjë, përveçse kontekstit, dhe këtu shfaqet tradhtia e radhës që i bëhet projektit të Kurtit nga njeriu i vet, pak orë pasi i kishte dalë në mbrojtje në konferencë për shtyp. Njeriu që do të duhej ta mbështeste në përpjekjen për mbijetesë qeveritare, në momentin më kritik e harroi greminën e madhe që përgatiste aleanca e humbësve duke hapur një greminë tjetër.
Nëse njeriut i duhet më pak se një e dhjeta e sekondës për të kuptuar “tradhtarin”, Kurtit nuk i mjaftoi një jetë për ta njohur Gashin, të cilin e njohim edhe ne për skandalet që zunë fill me publikimin e biografisë së paautorizuar të Demaçit. Gashi e kishte tradhtuar “bacën” duke nxjerrë në shesh fjalët e thëna në konfidencë dhe kjo e dërrmoi Adem Demaçin edhe ashtu me autoritet të dërrmuar. Gashi mund të jetë zë i fuqishëm i lirisë së mendimit, sizif i së drejtës që i duhet dhënë patjetër publikut, por si i tillë mund të veprojë mrekullisht si aktivist i pavarur, jashtë një formati qeveritar të cilit ia rrezikon unitetin, aq më tepër kur ndodhet në zonën e kuqe.
Konteksti kur u bë deklarata e Gashit, pas së cilës vijoi deklarata idiotike e Baton Haxhiut, përveçse mjegull në erë, ishte një shkelm më shumë për Qeverinë në detyrë në rrugën e rënies, ku kryeministrit i duhej të vepronte edhe me një shkarkim më shumë. Kjo nuk mund të mos sillte shpërthimin e zemërimit në popull, të cilit para syve po i shuhej një ëndërr nga e cila ka nevojë për ca kohë që të zgjohet.